TemA Online, 26 Prill 2012
Ish-drejtori i Policisë së Qarkut të Dibrës, Shemsi Prençi, i dorëhequr një ditë më parë, shpjegon për “Vizon Plus” shkaqet që e çuan të ndërmerrte vendimin e largimit nga strukturat policore.
Prençi deklaron se është gjendur përballë presioneve të vazhdueshme të mafias dhe nuk ka ndjere për asnjë çast përkrahjen e shtetit. Duke e lidhur dorëheqjen e tij edhe me emërimin e fundit si Drejtor në Qarkun e Dibrës, Prençi deklaron se presionet ndaj tij e kane fillesën që një vit më parë, kur refuzoi urdhrin për futjen e forcave speciale në një miting elektoral (bëhet fjalë për një miting të PS-së në Kamëz).
Por ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit deklaroi se edhe pse kërcënohet me jetë, do të bëjë publike çdo gjë që di. Ndërsa në një reagim zyrtar, Policia e Shtetit ka sqaruar se shkak për pezullimin nga detyra të ish-Drejtorit të Qarkut të Dibrës është bërë një proces disiplinor i nisur ndaj tij, pas shkeljeve që ka bërë në drejtimin e Policisë se Qarkut, Dibër.







