Shemsi Prençi fiton betejën në Prokurorinë e Përgjithshme kundër trafikut të kromit

0
34

TemA Online, 7 Qershor 2012

Ish-drejtori i Policisë së Dibrës, Shemsi Prençi, ka arritur sot një fitore të rëndësishme në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi kjo e fundit i dha atij dhe policisë që drejton, plotësisht të drejtë për veprimet procedurale të kryera në përpjekje për të ndalur trafikun e kromit nga minera e Bulqizës.

Prokurori Sokol Stojani ka nxjerrë një vendim, në të cilin shfuqizohet vendimi i prokurorisë së Dibrës dhe Matit, për vlerësimin e masës së sekuestros. Prokurori thotë në vendimin e tij se nga studimi në tërësi i akteve të materialit kallëzues, rezulton se vendimi i vleftësimit të sekuestros është i pabazuar dhe duhet të shfuqizohet.

Ky vendim hedh poshtë pretendimin e prokurorit të Burrelit dhe Peshkopisë se sekuestrimi nga policia i makinave të kromit, është bërë në kundërshtim me ligjin. Prokuroria e Përgjithshme thotë se sekuestrimi është bërë në përputhje me nenin 300 të Kodit të procedurës penale, pasi policia gjyqësore, e vënë përballë faktit të një ngarkese thuajse dyfish i asaj të raportuar në fatura dhe në kushtet kur kjo ngarkesë kishte destinacion Portin e Durrësit, nuk mund të kryejë veprime të mëtejshme, nëse nuk e sekuestron.

Po ashtu, Prokuroria e Përgjithshme thotë se pretendimi që nuk ka arsye të dyshohet për vepër penale nuk qëndron, pasi vepra penale është e dukshme dhe e prekshme.

Bazuar në një analizë të hollësishme të rastit, prokurori Stojani ka vendosur shfuqizimin e vendimit të prokurorit të Dibrës, Hysni Vata, që ka marrë një vendim për vleftësimin e sekuestros, vendosur nga policia që drejtohej nga Prençi.

Skandali i bllokimit te 14 kamionëve të kromit prej Shemsi Prençit solli perplasjen e madhe të tij me Ministrinë e Brendshme, drejtuar nga Bujar Nishani, për shkak se një prej biznesmenëve është lidhje e ngushtë e Bujar Nishanit. Pas kësaj, Prençi denoncoi publikisht mafien e kromit të lidhur me pushtetin dhe dha dorëheqjen. Një ditë më pas, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj e liroi atë nga policia në mënyrë të paligjshme.

Vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme i hap rrugë fitores së Prençit në gjithë proceset gjyqësore. Largimi i tij u pa si fitore e mafies së kromit ndaj Policisë së Shtetit.

“Pas këtij vendimi duhet të hetohet dhe favorizim i hapur i ministrit Nishani për biznesmenin me të cilin ka lidhje te vjetra si oficer qysh në Shkollë të Bashkuar”, thotë Prençi.