Shembje në autostradën Rrëshen-Kalimash, dëmtohen 200 m rrugë

0
59

Rruga Rreshen - Kalimash

Shekulli Online, 19.01.2010

RRËSHEN – Dëmtime serioze në disa pjesë të autostradës Rrëshen-Kalimash. Bëhet fjalë për segmentin e përfunduar Rrëshen-Kalimash, deri ne hyrjen e tunelit të Thirrës. Kështu në afërsi të Gëziqit vihet re një ulje prej një gjatësie100 metra të tabanit të autostradës katërkalimshme në njërën korsi. Çedimi i tabanit i kalon 40 cm si dhe ka rrëshqitje përgjatë kësaj ulje të tabanit të rrugës.

Po ashtu një ulje e tillë vihet re edhe në një segment prej 100 metrash në afërsi të Repsit në tabanin e kësaj autostrade si dhe rrëshqitje gati identike si në pjesën e parë.

Kompania ndërtuese ka vënë tabelat sinjalizuese që paralajmërojnë rrezikun e shembjes, ndërsa makinat kalojnë me kujdes në afërsi të këtyre dy pjesëve.

Sipas disa ekspertëve që nuk duan të identifikohen rrëshqitjet janë serioze dhe rikuperimi i këtyre pjesëve do të ketë një kosto jo të vogël, ndërsa e shohin problemin në mungesën e studimeve serioze për anën gjeologjike të këtij tabani në jo pak pjesë të tij.

Është e pamundur të merret informacion të mëtejshëm nga ekspertët e kompanisë ndërtuese të kësaj rruge, pasi tashmë ky segment quhet i përfunduar, ndërsa po punohet në shembjen e tunelit Thirrë-Kalimash, dhe duket se pjesa e përfunduar është lënë pas dore, pasi nuk ka dhe mirëmbajtje të saj. Në këtë segment kalon një numër i kufizuar automjetesh,qëkur ajo është mbyllur për shkak të punimeve në tunel.