Shef ekzekutivi apo sekretar propagande?

0
33

Ermelinda Meksi, 20.08.2011

Cilësimi i zgjedhjeve si transparente në raportin e fundit të OSBE-ODIHR-it perceptohet në mënyra të ndryshme. Për shumicën e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, transparenca rezultoi falë transmetimeve live televizive, që nxorën në dritë shkeljet e KQZ-së, të Kolegjit, për pasojë grabitjen e mandatit në Tiranë. Ndërsa për kryeministrin, si përgjegjës në krye të qeverisë për administrimin e zgjedhjeve, transparenca e zbuloi si organizatorin kryesor të deformimit të tyre në Tiranë.

Megjithatë, ai guxon me demagogjinë e tij karakteristike ta lexojë transparencën e zgjedhjeve në këtë raport si vlerësim për të. Kampioni i mungesës së transparencës në gjithçka pohon pa ndrojtje se, “transparenca lufton çdo të keqe në vend”. Është sjellje tipike e tij të thotë krejt të kundërtën e asaj që bën.

Kjo të kujton për të disatën herë tjetërsimin e përmbajtjes se çdo fjalë prej tij nga perceptimi normal i saj nga publiku.

Në fakt, deri më sot zor ta kemi parë kryeministrin në rolin e tij si drejtues apo administrues i vendit, pra si kryeministër, por ai asnjëherë nuk mungon të shfaqet në rolin e sekretarit të propagandës të partisë së tij.

Edhe në mbledhjen e qeverisë të dy ditëve më parë, si gjithnjë duke përdorur pa hezituar aspak deri në ekstrem mashtrimin, Kryeministri vazhdoi me propagandën spekulative “për standarde transparente, që e paskan shndërruar Shqipërinë në vendin e parë në Europë e në botë me prokurime online”!!! Paskëtaj, vazhdoi me eufori citimin në stilin e tij sipas ndonjë referimi nga jashtë, si për të na sugjestionuar “se Shqipëria e Gjermania kanë dy ekonomitë më stabël”?!

Duke u stërbetuar për luftën ndaj korrupsionit, ai na garanton se “ajo do mbetet reforma e reformave të vendit dhe këtë do e realizojë duke vendosur transparencën si qëllimin më themelor të veprimtarisë qeverisëse për realizimin e çdo reforme, sepse sipas tij, transparenca është rrezja e diellit, që godet, dezinfekton të gjitha viruset e korrupsionit dhe të paudhësive”.

A mund të besohet ky kryeministër?

Është e pamjaftueshme, bile qesharake mburrja me transparencën, antikorrupsionin apo investimet e huaja, kur makineria institucionale qeveritare në këto aspekte është shembur, sepse ajo përfaqësohet në mënyrë butaforike vetëm nga një njeri kryeministri. Është kryeministri ai që takon pothuajse çdo investitor të huaj, në vend që institucionet përgjegjëse që ai ka reklamuar si ‘one stop shop’ t’i hapin rrugë dhe licencojnë aktivitetin e tij. Kjo praktikë nuk është as transparente, dhe as inkurajuese për investitorët e huaj seriozë që vlerësojnë së pari cilësinë e institucioneve dhe qeverisjes si faktorin kryesor në madhësinë e investimit që kryejnë.

Ata respektojnë vendet me institucione të forta dhe qeverisje të mirë. Sepse, kjo ndihmon në reduktimin e risqeve dhe uljen e kostos, duke inkurajuar investime afatgjata më të mëdha e produktive. Nëse të drejtat e pronësisë janë të siguruara, kontratat janë të mbrojtura nga sistemi ligjor, investitorët bëjnë investime që i shërbejnë zhvillimit të vendit. Në të kundërt, korrupsioni i gjerë shton kostot, në këtë rast investitorët ndihen sikur konkurrentët e tyre janë në gjendje “të blejnë” ligjet dhe rregullat që u japin avantazhe të padrejta. Për fat të keq, në Shqipëri, në mungesë të institucioneve të forta është instaluar kryeministri i fortë, që ka eskluzivitetin e çdo vendimmarrjeje për të sunduar një shoqëri pa institucione, ku ligjin e bën ai që ka pushtetin.

Prandaj, sot perceptimi i përgjithshëm është se politika e tij ka ushqyer korrupsionin galopant, duke shpërblyer atë dhe rrethin e tij në përmasa përrallore dhe duke e kthyer në psikologji dhe praktikë korrupsionin si “qytetar i nderit” në Shqipëri.

Korrupsioni është kudo

Korrupsioni, në vend të reduktohet, është shtrirë kudo dhe në çdo nivel vendimmarrjeje. Do veçoja privatizimet dhe koncesionet jotransparente e të shumëpërfolura klienteliste, qëllimi i të cilave nuk është produktiviteti dhe rritja ekonomike, por interesat okulte. Aq e vërtetë është kjo, sa duhej greva e minatorëve të Bulqizës që të njiheshim nëse ishte zbatuar detyrimi kontraktor i kompanisë koncesionare për nivelin e investimit. Qeveria dhe kryeministri nuk humbin rast të mburren me shifrat miliardëshe të investimeve të huaja sipas UNCTAD, megjithëse ai ka përdorur burimet shqiptare (investimet e huaja janë botuar nga BSH), pa bërë transparencën sa dhe ku janë bërë ato investime dhe cili ka qenë impakti i tyre në ekonomi.

Asnjëherë nuk kemi dëgjuar ndonjë analizë të qeverisë nëse privatizimi i një sektori strategjik si ai OSSH-së nga CEZ-i i shërbeu qytetarit shqiptar me shërbime dhe tarifa më të mira apo ka ndodhur e kundërta. Nuk ka pasur transparencë nëse janë respektuar detyrimet kontraktore të kësaj kompanie për investimet dhe a u rrit efektiviteti i kësaj kompanie të privatizuar në krahasim me atë të mëparshme publike? Përkundrazi, ajo që shohim janë rritja e tarifave të energjisë apo problemet me mbifaturimet që kanë shumë qytetarë me kompaninë si dhe ndërprerja e shpeshtë e energjisë edhe në zonat bregdetare në pikun e sezonit turistik.

Po njësoj ka munguar transparenca për investimet e koncesionarëve në sektorët energjetikë apo minerarë. Në vazhdim të transparencës së munguar, qeveria e kryeministrit vendosi kohët e fundit privatizimet e 4 HEC-ve më produktivë, në vend që të orientonte investitorët e interesuar në ndërtime HEC-esh të reja me qëllim rritjen e kapaciteteve prodhuese energjetike. Kjo praktikë jotransparente e këtij kampioni të transparencës nuk ka dezinfektuar dot virusin e korrupsionit, sepse politikat e ndjekura prej tij kanë favorizuar interesat klienteliste, dhe jo ato të publikut.

Kryeministri ynë, që stërbetohet për transparencë dhe luftë korrupsionit, ka në CV-në e tij qeverisëse, akoma të pandëshkuar shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit. Kryeministri mburret për prokurimet online, të cilat megjithatë janë shumë pak në totalin e investimeve, ku pjesa dërrmuese janë prokurime direkte për klientët e qeverisë. Për çfarë reforme antikorrupsion duhet të besojmë kur historitë korruptive të ministrave të tij janë të gjitha të pandëshkuara?!

Rekomandimet e BE dhe korrupsioni në Shqipëri

Është kjo arsyeja që Komisioni Europian nuk i beson kësaj propagande antikorrupsion të qeverisë dhe në raportin e nëntorit të kaluar, duke refuzuar statusin e vendit kandidat midis 12 prioriteteve për Shqipërinë, rekomandoi si prioritetet 8 dhe 9 luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit në të gjitha nivelet dhe kulturës së pandëshkueshmërisë, duke kërkuar nëpërmjet një plani konkret veprimesh, zbatimin e strategjisë antikorrupsion, që kërkon midis të tjerash heqjen e pengesave të hetimit, sidomos gjyqtarëve, ministrave dhe deputetëve, duke hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin në të gjitha nivelet, duke nënkuptuar korrupsionin e nivelit të lartë.

Qeveria dhe kryeministri, në vend të demagogjisë duhet të shprehin qartë vizionin e strukturave qeveritare për të luftuar korrupsionin, që nga policia gjyqësore me varësi te Ministria e Rendit, deri në policitë në varësi të Ministrisë së Financave, tatimore dhe antikontrabanda, apo policinë e burgjeve, atë elektrike apo ndërtimore me kompetenca të plota për ndalimin, arrestimin dhe hetimin e subjekteve që bëjnë vepra të kundërligjshme korruptive. Pa folur këtu që ligji i kontrollit të brendshëm financiar ngarkon me përgjegjësi ligjore të gjitha institucionet shtetërore të kenë strukturat e tyre të kontrollit të brendshëm, me synim kontrollin për ndalimin dhe ndëshkimin e rasteve të shkeljeve korruptive. Por për shumë nga këto struktura në planin e masave të qeverisë nuk janë të shprehura masa konkrete për të rritur efektivitetin në luftën ndaj korrupsionit.

Me gjithë premtimin e bërë KE-së, në planin e veprimit të qeverisë që adreson 12 rekomandimet nuk e gjeta as website antikorrupsioni@gov.al për të vlerësuar me transparencë progresin në luftën antikorrupsion. Ndërkaq, masat që parashikohen në sektorin e shëndetësisë për uljen e korrupsionit dhe që kanë të bëjnë me transparencën e procedurave për çmimet e barnave apo procedurat e thjeshta për zgjedhjen e barnave të listës bazë që prokurohen në spitale si dhe masat që ulin abuzimet me pacientët drejt klinikave private, me gjithë kostimin e tyre formal, zor se do realizohen sipas afateve brenda 2011-s, siç e parashikon ky dokument i qeverisë. Po kështu, nuk në realizimin në kohë të një varg masash që parashikon dokumenti në fjalë edhe për institucione të tjera të qeverisë që lidhen me këto rekomandime.

Prandaj, i kërkoj kryeministrit mjek të vizitojë ndonjë nga spitalet publike të vendit të tij e të vlerësojë në praktike sa është zbatuar atje reforma e tij antikorrupsion. Në spitalet tona, me përjashtime të rralla, duhet të paguash për çdo shërbim dhe veçanërisht të blesh vetë ilaçet. Shko p.sh, në spitalin Onkologjik zoti kryeministër, atje ku blerja e ilaçeve është një nga plagët më domethënëse për këta të sëmurë të veçantë, kur në çdo vend shteti merr përsipër t‘u lehtësojë sëmundjen me barna falas, jo vetëm kur ata ndodhen në spital, sepse ato kushtojnë shumë. Roli i kryeministrit është të bëjë politika, dhe jo të politizojë gjithçka si bën kryeministri ynë.

Prandaj, e kam të pamundur të besoj kryeministrin në monologun e tij për transparencë dhe antikorrupsion për sa kohë ai nuk ballafaqohet me dokumentin e tij dhe të vlerësojë punën e çdo ministri e institucioni në këtë drejtim. Përkundrazi, deri më sot ai ka mburrur ministrat e tij, si për të vërtetuar shprehjen se vetëm malli i keq ka nevojë për reklamë.

Le të nisë kryeministri transparencën e zbatimit të masave të një dokumenti, që ata vetë e kanë hartuar për të informuar kështu opinionin shqiptar mbi kontributin së pari të kryeministrit dhe ministrave në procesin e integrimit për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga BE, dhe pastaj të adresojnë përgjegjësitë gjetkë.

Në vend të konkluzioneve

Anti-korrupsioni është shumëdimensional dhe i lidhur ngushtë me profesionalizmin. Kjo kërkon domosdoshmërish që në vend të propagandës mburravece në qeveri apo konferenca shtypi mbi arritjet, kryeministri dhe qeveria të tregojë profesionalizëm në menaxhimin e shtetit. Nëse sipas kryeministrit, ekonomia shqiptare është bërë më e zhvilluara në Europë bashkë me Gjermaninë, për shkak se është luftuar korrupsioni, ai me transparencë të na shpjegojë pse nuk po rriten të ardhurat, po vendi po zhytet në borxhe kostoja e të cilit po bëhet me pasoja për të ardhmen e stabilitetit makroekonomik të vendit?

Korrupsioni luftohet vetëm në rrugë institucionale, duke rritur performancën e administratës së zhvlerësuar publike sipas rekomandimeve të BE-së, duke harmonizuar legjislacionin mbi konfliktin e interesave me legjislacionin mbi shërbimin civil dhe rregullat e etikës, duke thjeshtëzuar dhe përmirësuar nivelin e shërbimeve në çdo zyrë publike, qoftë kjo e pushtetit qendror a vendor, duke rritur transparencën e procedurave të tenderimeve publike, duke adoptuar normativën komunitare në fushën e prokurimeve publike dhe forcuar institucionet e Prokurimit Publik, duke reformuar rrënjësisht KLSH-në dhe raportin kushtetues Qeveri-KLSH-Prokurori, duke forcuar strukturat e kontrollit të brendshëm financiar me njerëz të aftë, sepse paaftësia është aleati më i mirë i korrupsionit.

Kryeministrat nuk bëjnë propagandë, por lejojnë institucionet të punojnë në mënyrë të pavarur. Mbi bazën e informacionit ata reagojnë për përmirësimin e punëve. Është domethënës në këtë drejtim reagimi i kancelares Merkel pas lajmit kohët e fundit për rënien e rritjes ekonomike edhe Gjermani. Ky fakt dhe problematika e borxheve përshkoi takimin e fundit Merkel-Sarkozi, dy drejtuesve të ekonomive më të fuqishme të Eurozonës. Ata ndryshe nga kryeministri i një vendi me ekonomi të dobët, nuk bënë propagandë, por me përgjegjësi si liderë europianë iniciojnë politika duke parë përtej ekonomive të tyre, në dobi të gjithë Eurozonës.