Nga Elez Biberaj*
Në dhjetor të këtij viti, Shqipëria do të kujtojë 20 vjetorin e demostratave të studentëve që çuan në rrëzimin e regjimit komunist. Nën diktaturën e Enver Hoxhës, shqiptarët vuajtën një brutalitet e një privim të paimagjinueshëm. Kështu, edhe 20 vjet më parë, parashikimet në lidhje me perspektivën demokratike të Shqipërisë, ishin të zymta. Nga të gjitha vendet në Europën Lindore, Shqipëria ishte më pak e përgatitura për tranzicionin nga totalitarizmi komunist në një demokraci të vërtetë pluraliste dhe në një ekonomi tregu. Vendi u përball me një krizë serioze morale e shpirtërore, me segmente të shumta të popullsisë që humbën besimin tek e ardhmja e vendit dhe kërkonin dëshpërimisht për rrugë për t’u larguar nga vendi.
Tani, pavarësisht këtyre pengesa serioze, Shqipëria i është nënshtruar ndryshimeve radikale politike, sociale dhe ekonomike dhe ka bërë hapa të mëdhenj në ndërtimin e një demokracie funksionale dhe institucionalizimin e lirive demokratike. Ajo ka zhvilluar një marrëdhënie speciale me Shtetet e Bashkuara, duke u bërë pjesë e rëndësishme e vizionit të Uashingtonit për ndërtimin e një Europe të plotë e të lirë. Në vitin 2009, ajo u bë anëtare e NATO-s, në nëntor të këtij viti Këshilli Europian mbështeti aplikimin për kandidaturën për Bashkimin Europian. Edhe pse ishte një nga vendet më të izoluara në Ballkanin Perëndimor, ajo është tashmë një faktor i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe pajtimit në rajon.
Megjithatë, 20 vite pas rënies së komunizmit dhe pas disa zgjedhjeve parlamentare, Shqipëria gjendet në mesin ë një tranzicioni të komplikuar. Shumë vëzhgues pranojnë se ka një cilësi të ulët të demokracisë, me korrupsion të kudogjendur dhe paaftësi të elitës politike për të gjetur konsensus për sfidat kryesore me të cilat përballet vendi. Demokracia vazhdon të jetë e minuar nga përplasja e fortë mes dy forcave politike kryesore në vend- Partisë Demokratike në qeverisje dhe Partisë Socialiste në opozitë- së bashku me qeverisjen e dobët dhe sfida të frikshme sociale e ekonomike.
Demokratët fituan ngushtë zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, por Partia Socialiste, duke pretenduar se ka pasur abuzim me votën, refuzon të njohë rezultatin dhe kërkon rinumërimin e votave. Në përpjekje për të detyruar qeverinë që të hapë kutitë e votimit, socialistët bojkotuan parlamentin dhe nisën protestat në rrugë. Përplasja vazhdoi për thuajse një vit, duke çuar në një ngërç politik, që paralizoi aktivitetet parlamentare dhe po dëmton perspektivën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Vetëm pas presionit të shpeshtë ndërkombëtar dhe ndërhyrjes së tyre, dy partitë pranuan në fund të majit 2010 që të nisin negociatat për t’i dhënë fund ngërçit politik. Mungesa e vullnetit politik për të gjetur një kompromis, edhe në kohërat e sfidave madhore për vendin, është një dëshmi e qartë e asaj çfarë ka nevoje për të bërë Shqipëria.
Vështrim i përgjithshëm politik
Nën Enver Hoxhën, Shqipëria pati fatin e keq që të qeveriset nga një prej regjimeve staliniste më shtypëse në gjithë Europën Lindore gjatë shekullit të njëzetë- dhe për një periudhë më të gjatë. Gjatë qeverisjes së tij me terror të pandërprerë, Hoxha krijoi një sistem ku Partia Komuniste synonte të kontrollonte të gjitha aspektet e jetës, duke ndaluar çdo shenjë disidence, duke zhdukur pronën private e duke mbyllur të gjitha institucionet fetare. Si rezultat i politikës së tij dogmatike, Shqipëria u izolua totalisht nga komuniteti ndërkombëtar. Pas ndarjes me Moskën në vitin 1960, Shqipëria lidhi aleancë më Kinën- në atë kohë regjimi në dogmatik komunist. Afrimi i Kinës me Shtetet e Bashkuara në vitet ’70, bëri që Tirana të shkëputej me Pekinin. Nga fundi i viteve ’70 e deri në vdekjen e Hoxhës në vitin 1985, Shqipëria shkëputi lidhjet me komunitetin ndërkombëtar, duke ndjekur politikën negative të “mbijetesës me forcat tona”. I përballur me një ekonomi drejt kolapsit dhe me presionin e fortë nga brenda, por dhe nga jashtë, Ramiz Alia, pasuesi i Hoxhës, tentoi të bëjë disa ndryshime kozmetike. Por këto ndryshime të kontrolluara me kujdes, ishin larg kërkesës së brendshme në rritje për reforma fondamentale. Përfundimisht, në dhjetor të vitit 1990, një vit pas rënies së regjimeve komuniste në vendet e tjera të Europës Lindore, Alia pranoi kërkesën e protestuesve nga Universiteti i Tiranës për pluralizëm politik, duke sanksionuar krijimin e partive politike jo-komuniste.
Trashëgimia i autoritarizmit komunist, mungesa e traditës demokratike dhe problemet serioze ekonomike dhe sociale, të kombinuara me dështimin e elitave politike post-komuniste për t’u pajtuar me rregullat e demokracisë dhe për të parë përtej interesave të tyre personale apo të partisë, janë nga arsyet kryesore pse tranzicioni në Shqipëri ka qenë kaq i dhimbshëm dhe pse rruga drejt demokratizimit ka qenë kaq e ngadaltë. Që pas fundit të komunizmit, vendi ka dëshmuar lindjen e më shumë se 30 partive politike, të të gjithë spektrit politik. Megjithatë, politika është dominuar nga dy forcat kryesore politike- Partia Demokratike e qendrës së djathtë dhe Partia Socialiste, një pasuese e Partisë Komuniste Shqiptare. Këto dy parti kanë tentuar që t’i shohin zgjedhjet si një lojë me shumë zero, duke shpërfillur shpesh normat demokratike, manipuluar procedurat elektorale, frikësuar gjyqësorin e median dhe duke kontestuar çdo rezultat të pafavorshëm.
Njëzet vite më parë kishte një ndarje të thellë filozofike mes dy partive, të cilat kishin qëndrime kontrastuese për shumë çështje. Për shkak se Partia Demokratike ishte qartësisht anti-komuniste, u kthye në një avokte të implementimit të reformave radikale të tregut, promovoi integrimin euro- atlantik, dhe mbështeti fort kërkesat nacionaliste të shqiptarëve etnikë në Kosovë dhe në pjesë të tjera të ish- Jugosllavisë. Partia Socialiste, në të kundërt, ishte e avashtë në distancimin nga komunistët, kundërshtoi reformat e shpejta social- ekonomike të paraqitura nga demokratët dhe kritikoi hapur lidhjet e ngushta të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Në fakt, partia ishte e dominuar nga komunistë të linjës së ashpër, që u kthyen në socialistë dhe që pranuan vetëm me gjysëm zemre që të hiqnin dorë nga marksizëm- leninizmi në vitin 1996.
Gjatë dekadës së fundit, megjithatë, ndarja ideologjike mes dy partive kryesore është ngushtuar dhe programet e tyre nuk dallojnë shumë. Të dyja pranojnë thellimin e reformave ekonomike dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Politika e jashtme e Shqipërisë nuk ndryshon shumë nga njëra qeveri tek tjetra. Të dyja palët mbështesin fort integrimin e Shqipërisë në institucionet euro- atlantike dhe thellimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe zgjerimin e bashkëpunimit me vendet e tjera në rajon.
Dy partitë e mëdha në Shqipëri e kanë alternuar pushtetin dhe përgjithësisht kanë qeverisur në mënyrë partizane dhe jo- transparente. Zgjedhjet e para shumëpartiake në Shqipëri u mbajtën në mars të vitit 1991 dhe u fituan nga Partia Socialiste. Socialistët, megjithatë, nuk mundën të mbanin pushtetin dhe zgjedhjet e parakohshme u mbajtën një vit më vonë. Partia Demokratike, e cila ishte përkrahur publikisht nga Uashingtoni, fitoi thellë. Alia dha dorëheqjen dhe u pasua nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Qeverisja e presidentit Berisha e riintegroi Shqipërinë në komunitetin ndërkombëtar dhe nisi rrugën e vështirë të ndërtimit të institucioneve demokratike, ringritjes së sistemit kushtetuese dhe krijimit të një sistem të ri të kontrollit e balancës, të mbrojtjes së të drejtave e lirive dhe rishikimit të gjyqësorit. Berisha ndërmori reforma radikale politike e ekonomike dhe ndoqi një kurs të qartë pro- perëndimor, duke zhvilluar lidhje të ngushta politike e ushtarake me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e Europës Perëndimore, dhe u bë drejtuesi i parë në Europën Lindore që kërkoi anëtarësimin e vendit të tij në NATO e në BE.
Shtetet e Bashkuara ishin një mbështetës i fortë i qeverisë Berisha, duke ofruar asistencë themelore për përpjekjet e Shqipërisë për promovimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Por Uashingtoni nisi ftohjen me Berishën pas zgjedhjeve problematike të vitit 1996, përpjekjeve të qeverisë për të kufizuar aksionin politik, miratimin e ligjeve kufizuese për median dhe lejimit të firmave të korruptuara të angazhuar në skema piramidale. Rënia e këtyre firmave në vitin 1997 solli një revoltë të armatosur, duke e zhytur vendin në një krizë të thellë politike, sociale dhe ekonomike. Në mars të këtij vit, Berisha arriti një marrëveshje për krijimin e një qeverie të pajtimit kombëtar, të drejtuar nga Bashkim Fino i Partisë Socialiste. Zgjedhjet e shpejta e me krisma të 3 muajve më vonë, sollën në pushtet sërish Partinë Socialiste. Fatos Nano, kryetar i Partisë Socialiste, i burgosur për korrupsion e më pas i falur nga Berisha në nisje të trazirave, u bë kryeministër. Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Rexhep Meidani, pasoi Berishën si president.
Gjatë tetë viteve të qeverisjes socialiste, Shqipëria e mori veten nga kriza e skemave piramidale, përjetoi një rritje domethënëse ekonomike, miratoi një Kushtetutë të re dhe ndërmori reforma të rëndësishme ligjore. Megjithatë, socialistët nuk arritën të prodhonin një qeverisje të mirë për shkak të përplasjeve të forta mes fraksioneve të ndryshme në parti, të udhëhequra nga Nano dhe ish- kreu i organizatës rinore në parti, Ilir Meta. Nano dha dorëheqje në shtator të vitit 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit, lider i demostratave të studentëve në vitin 1990 dhe një drejtues i lartë i Partisë Demokratike.
Më pas, vetëm pas një viti në detyrë, pasuesi i Nanos, Pandeli Majko, u detyrua të japë dorëheqjen, duke hapur rrugën për Metën që të bëhej kryeministër. Nano e Meta arritën një armëpushim gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2001. Por, menjëherë pasi socialistët fituan zgjedhjet, Nano organizoi bazën socialiste dhe nisi një fushatë të mirëkoordinuar kundër Metës, duke e detyruar atë të japë dorëheqje në janar të vitit 2002. Nano ishte i dekurajuar se Meta kishte tentuar ta marxhinalizonte atë dhe mbështetësit e tij duke refuzuar që të mbështeste kandidaturën e kryetarit socialist për president. I dështuar në ambiciet presidenciale, Nano mori sërish në dorë qeverinë dhe i dha Metës postin e Ministrit të Jashtëm. Meta, megjithatë, i ndjerë i marxhinalizuar, dha dorëheqjen në vitin 2003. Një vit më vonë ai la Partinë Socialiste dhe krijoi partinë e tij, Lëvizjen Socialiste për Integrim. Përplasjet politike brenda Partisë Socialiste patën një ndikim negativ në zhvillimin politik të vendit dhe tërhoqën vëmendjen nga çështje më të rëndësishme.
Përplasjet e brendshme dhe rritja e zhgënjimit me qeverisjen socialiste rezultoi me humbjen e partisë në zgjedhjet parlamentare të korrikut 2005 dhe rikthimin e demokratëve në pushtet. Nano dha dorëheqje si kryetar i Partisë Socialiste dhe u pasua nga kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama. Zgjedhjet e vitit 2005 shënuan një rikthim të habitshëm për Berishën, që mbahej si përgjegjës për trazirat e vitit 1997. Pasi mori leksione nga e kaluara kur ishte president, ai formoi një koalicion të gjerë parazgjedhor, duke mirëpritur sërish në Partinë Demokratike zyrtarët e njohur, që ishin larguar në vitet ’90, dhe ftoi 40 ekspertë të rinj nga grupet e shoqërisë civile për të hartuar platformën elektorale të partisë. Shumë nga këta ekspertë të rinj, anëtarë të Komitetit për Orientimin e Politikave, më vonë u caktuan në poste të rëndësishme në qeveri.
Berisha formoi një koalicion qeveritar me disa parti të vogla, duke siguruar një mazhorancë komforte me 81 vende nga 140 anëtarë të parlamentit. Ai shpalli një program ambicioz për të zgjidhur krizën ekomnomike, përmirësuar mjedisin e biznesit, luftuar korrupsionin e krimin e organizuar e për të shpejtuar integrimin e vendit në NATO e në BE. Gjatë katër viteve të para të mandatit, qeveria e tij arriti progres domethënës. Duke ndërtuar mbi arritjet e administratës socialiste, qeveria implementoi reforma strukturale e institucionale, të cilat sollën rritje të fortë ekonmomike, përmirësime në infrastrukturë, ulje të ndjeshme të varfërisë dhe papunësisë, rritje të pensioneve dhe pagave në sektorin publik dhe rindërtim të sektorit financiar në vend.
Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria pati një rritje ekonomike prej 7 përqind në vit. Varfëria u ul në 12.4 përqind të popullsisë nga 25.4 përqind që kishte qenë në vitin 2002, papunësia ra nga 15.8 përqind në vitin 2002, në 12.7 përqind në vitin 2009, dhe pagat në sektorin publik u rritën me 36.5 përqind nga viti 2005 deri në vitin 2009. Klima e biznesit në vend u përmirësua ndjeshëm me prezantimin e një sistemit të regjistrimit “one stop shop”, që reduktoi kohën dhe kostot e kërkuara për të hapur një biznes. Raporti i vitit 2009 i Bankës Botërore “Doing Business” e rendiste Shqipërinë në vendin e 82-të nga 183 vende. Në vitin 2008, Shqipëria renditej në vendin e 135-të. Qeveria ndërmori gjithashtu edhe një program masiv të infrastrukturës publike, përfshi dhe ndërtimin e një rruge që lidh qytetin port të Shqipërisë, Durrësin, me Kosovën.
Programi elektoral i Partisë Demokratike në vitin 2005 e kishte identifikuar luftën kundër korrupsionit si themelore për demokratizimiin e mëtejshëm të Shqipërisë. Berisha u angazhua se nëse demokratët do rifitonin pushtetin, do të qeverisnin me “duar të pastra”. Gjatë katër viteve të para si kryeministër, Berisha mbajti një pozicion të fortë antikorrupsion. Me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë, Shqipëria miratoi një strategji të re për të luftuar korrupsionin, prezantoi legjislacionin e ri për prokurimet e ryshfetet, forcoi pavarësinë e transparencën e Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe administratës së të ardhurave dhe mori masa kundër zyrtarëve të korruptuar.
Objektivat kryesore të politikës së jashtme të Berishës mbetën forcimi i partneritetit strategjik më Shtetet e Bashkuara, të cilat që nga viti 1990 kanë shërbyer si faktori më i rëndësishëm i jashtëm në promovimin e demokratizimit të Shqipërisë. Uashingtoni ishte një avokat i fortë i pranimit të Shqipërisë në NATO dhe ishte vendimtar në fitimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Tirana ka mbështetur politikën e SHBA për të luftuar nacionalizimin ekstrem dhe promovimin e stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit në Europën Juglindore.
Shqipëria ishte qartësisht në favor të rritjes së bashkëpunimit rajonal, duke thelluar lidhjet ekonomike, politike e kulturore me vendet fqinje si dhe me Kosovën e shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi. Tirana ndoqi edhe një qasje diplomatike me Serbinë gjatë kohës kur Beogradi ishte në një fushatë të fortë diplomatike në gjithë botën për të ndaluar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Qeveria shqiptare është vlerësuar gjerësisht për kontributin e ndjeshëm për të stabilizuar atë që njihej si një nga zonat më të nxehta në Europë. Tirana ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë fqinjët e saj.
Berisha ka bërë progres domethënës në përparimin e aspiratave të Shqipërisë për integrimin euro- atlantik, objektivi kryesor i politikës së jashtme. Ai e quan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009 si ngjarjen më të rëndësishme për vendin, që kur fitoi pavarësinë në vitin 1912. Shqipëria është një mbështetëse serioze e angazhimeve të NATO-s, duke dërguar trupa në Afganistan e në Irak, e duke thelluar marrëdhëniet politike e ushtarake me anëtarët e tjerë të NATO-s. Shqipëria është e fokusuar gjithashtu në një prej objektivave madhorë të politikës së jashtme: anëtarësimin në BE. Tirana ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit me Bashkimin Europian në vitin 2006 dhe në prill të vitit 2009 aplikoi për anëtarësimin e plotë. Në nëntor 2009, Komisioni Europian vlerësoi Shqipërinë për progresin e bërë dhe autorizoi përgatitjen e një vlerësimi për gatishmërinë për anëtarësim. Në prill 2010, Berisha udhëtoi për në Bruksel për të dorëzuar përgjigjet e pyetësorit të Komisionit Europian. Komisioni pritet të japë një vlerësim në vitin 2011, nëse Shqipëria plotëson kriteteret për tu bërë vend kandidat i BE. Megjithatë, Shqipëria nuk duket se do marrë një vlerësim pozitiv nëse nuk zgjidhet kriza politike.
Sfidat e kohës
Edhe pse ka arritur progres të rëndësishëm në transformimin politik, ekonomik e social, Shqipëria përballet akoma me sfida të rëndësishme dhe demokracia e saj mund të përshkruhet si në progres e sipër. Ashtu siç vë re edhe Komisioni Europian në raportin më të fundit për Shqipërinë, duhet bërë ende shumë për të forcuar zbatimin e ligjit, intensifikuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, siguruar funksionimin e duhur të institucioneve të shtetit, respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe përmirësimin e kushteve për lirinë e medias.
Autoritetet përballen veçanërisht me një sfidë sa i përket luftës ndaj korrupsionit, që mbetet i shumëpërhapur. Sipas Transparency International, Shqipëria është mes vendeve më të korruptuar në rajon. Transparency International e renditi Shqipërinë në vendin e 95-të nga 180 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në vitin 2009. Pavarësisht progresit të arritur në vitet e fundit, perceptimi i publikut për korrupsionin mes zyrtarëve mbetet shumë i lartë. Sipas një studimi të vitit 2010, të kryer nga Instituti për Kërkimin e Alternativave për Zhvillim, të financuar nga Agjencia Amerikane për Ndihmë Ndërkombëtare, 91.8 përqind e të pyeturve thonë se korrupsioni mes zyrtarëve publikë është i shumëpërhapur ose deri diku i përhapur. Studimi gjeti gjithashtu se besimi tek institucionet publike mbetet shumë i vogël, me gjyqësorin dhe partitë politike si institucionet më pak të besuara.
Edhe pse Shqipëria duket se e kaloi krizën ekonomike botërore mirë dhe ishte i vetmi vend në Europën Juglindore që regjistroi në vitin 2009 rritje pozitive rekord (3 përqind), vazhdon të mbetet mes vendeve më të varfëra në rajon, me të ardhura për frymë vetëm 6.500 dollarë. Varfëria dhe papunësia mbeten në nivele të larta dhe një pjesë domethënëse e popullsisë varet nga dërgesat e emigrantëve. Që pas rënies së komunizmit, rreth 1 milion shqiptarë, që përbëjnë nga 22 deri në 25 përqind të popullsisë, kanë emigruar në kërkim të një jetë më të mirë jashtë, shumica të vendosur në Greqi, Itali dhe Shtetet e Bashkuara. Remitancat e emigrantëve kanë luajtur një rol kritik për ekonominë, duke u përllogaritur nga 10 deri në 14 përqind të GDP-së. Për këtë arsye, kriza aktuale ekonomike në Greqi duket se do ketë një ndikim të rëndësishëm në Shqipëri. Mendohet se janë rreth 800 mijë shqiptarë në Greqi, shumica e të cilëve punojnë në ndërtim, agrikulturë e turizëm, dhe grekët janë investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri (1.2 miliard dollarë). Kriza makroekonomike greke duket se do të sjellë një ulje të ndjeshme të remitancave dhe kapitalit. Kriza ekonomike mund të bëjë që emigrantët të kthehen në shtëpi dhe sistemimi i tyre në shoqëri mund të jetë problematik.
Një nga sfidat e mëdha me të cilat përballet Shqipëria është përplasja mes dy partive kryesore pas debateve për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009. Këto zgjedhje, të shtatat që pas rënies së komunizmit, përfaqësonin një mundësi unike për forcat politike në Shqipëri për të bindur komunitetin ndërkombëtar se demokracia është maturuar dhe se fituesi do e përkthente fitoren në një qeverisje të mirë. Si një anëtar i NATO-s dhe kandidat potencial për anëtarësim në BE, Shqipërisë i kërkoheshin standarde shumë më të larta se më parë. Vëzhguesit e Organizatës për Sigurinë e Bashkëpunimin në Europë pranuan se zgjedhjet “nuk realizuan potencialin e Shqipërisë për të arritur standardet më të larta demokratike për zgjedhjet”, por vlerësuan se në fakt kishin plotësuar standardet kryesore ndërkombëtare.
Rezultati zgjedhor tregoi se elektorati shqiptar mbetet thellësisht dhe afërsisht i ndarë mes dy partive kryesore politike. Demokratët fituan 68 vende nga 140, tre më shumë se kundërshtarët e tyre socialistë. Ilir Meta i Lëvizjes Socialiste për Integrim doli si kurorëzuesi i fituesit me katër vende. Dy parti aleate me PD dhe një parti aleate me PS fituan nga një vend secila. Megjithëse PD doli si parti me më shumë vende në parlament, ajo nuk kishte shumicën për të krijuar qeverinë. Gjatë fushatës, Berisha kishte mohuar mundësinë për një koalicion me Metën, por në një ndryshim radikal qëndrimi, Berisha hyri në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke u mohuar socialistëve shansin për të krijuar qeveri të re. Meta u bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm. Partia e tij mori dhe dy poste të tjera- drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrinë e fuqishme të Ekonomisë. Përveç kësaj, marrëveshja parashikonte se Lëvizja Socialiste për Integrim mund të caktonte njerëzit e saj në 20 përqind të posteve të larta në administratë.
Marrëveshja u prit me mosbesim nga shumë mbështetës të qeverisë dhe të opozitës. Berisha e Meta kishin qenë rivalë të ashpër dhe kishin pasur qëndrime të ndryshme për çështje madhore. Megjithatë, edhe pse vëzhguesit vendas e të huaj kanë vënë në dyshim qëndrueshmërinë e koalicionit, deri më tani ka funksionuar relativisht mirë. Humbja e zgjedhjeve ngushtësisht nga Rama, shkaktoi probleme në radhët e Partisë Socialiste. Rama ishte shumë i bindur në fitore e ndërmori një fushatë shumë personale, duke marxhinalizuar aktivistët e lartë të partisë. Ai bëri një gabim serioz duke mos marrë parasysh thirrjet e dëshpëruara e të shpeshta të Metës për të bashkuar forcat kundër Berishës. Dy partitë e majta, të kombinuara, do të kishin fituar më shumë vota se demokratët. Shumë analistë mendojnë se grindjet mes socialistëve dhe dështimi i Ramës për të krijuar një koalicion paraelektoral me Metën, i hapën rrugën demokratëve për të fituar një mandat të dytë.
Në një lëvizje, që shumë e panë si një përpjekje të Ramës për të tërhequr vëmendjen nga problemet e tij të lidershipit dhe një konsolidim në krye të Partisë Socialiste, Rama refuzoi të pranonte rezultatin e zgjedhjeve, edhe pse vëzhguesit ndërkombëtarë i kishin cilësuar ato si mjaftueshëm të besueshme. Ai pretendon se votat janë manipuluar nga demokratët. Pasi ndoqi ankesat e saj në rrugë ligjore, Partia Socialiste deklaroi se do bojkotojë parlamentin e do të nisë protestat në rrugë derisa qeveria të pranojë të hapë kutitë e votimit. Rama dukshëm shpresonte se protestat do bëheshin aq përçarëse sa të mund të realizonin largimin e qeverisë Berisha, ose së paku të detyronin kryeministrin të pranonte kërkesat e tij. Demokratët refuzuan kërkesat e tij, duke pretenduar se ankesat ishin hedhur poshtë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Elektoral, trupa më e lartë gjyqësore që mund të adresojë ankesat zgjedhore. Berisha ofroi ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar zgjedhjet, në të cilin socialistët do të kishin shumicën.
Rama u përball me sfida nga anëtarët e vjetër të lidershipit të PS, të cilët kërkonin largimin e tij, duke e bërë përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve dhe kalimin e Metës në kampin e Berishës. Anëtarë të grupit kundërshtuan qëndrimin konfrontues të Ramës dhe strategjinë e bojkotit të parlamentit dhe protestat në rrugë, duke e akuzuar se po impononte kontroll autoritar në parti. Rama refuzoi që të largohej. Pavarësisht opozitës brenda partisë, në shtator 2009, Rama u rizgjodh me shumicë bindëse kryetar i partisë. Ai shtoi më shumë retorikën kundër qeverisë, organizoi protesta në Tiranë e në qytete të tjera të mëdha. Ai refuzoi thirrjet e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund bojkotit të parlamentit, duke i mohuar kështu Partisë Socialiste mbështetjen ndërkombëtare. Megjithatë, pavarësisht retorikës së Ramës, fushata e tij pak ka të bëjë me transparencën zgjedhore. Është e qartë se objektivi real i tij është konsolidimi i lidershipit të PS, mohimi i legjitimitetit të demokratëve dhe presioni për zgjedhje të parakohshme.
Në fund të qershorit 2010, disa ditë përpara skadimit të afatit ligjor për pjesëmarrje në kuvend, deputetët socialistë u kthyen në parlament. Megjithatë, ngërçi politik nuk është thyer ende, për shkak se socialistët refuzojnë të marrin pjesë në sesionet parlamentare. Është e qartë se socialistët u kthyen në parlament që të mbanin mandatet e të merrnin pagat.
Edhe pse përplasja rrezikon të zhvlerësojë kredencialet demokratike të Shqipërisë dhe të vonojë ofertën e saj për të hyrë në BE, të dy palët refuzojnë të angazhohen në negociata themelore që mund t’i japin fund kësaj situate. Socialistët iu rikthyen kërcënimeve, ultimatumeve dhe aksioneve përçarëse për të arritur kërkesat e tyre. Duke hequr paralele me trazirat popullore në Ukrainë, Gjeorgji e në Kirgistan, Rama u zotua se do e largonte me forcë qeverinë Berisha. Kryeministri u përgjigj duke e akuzuar Ramën si drejtues të një grupi të rrezikshëm mafioz dhe akuzoi socialistët se po sabotonin integrimin e vendit në BE dhe po dëmtonin reformat e rëndësishme.
Përplasja për zgjedhjet erdhi në një kohë të papërshtashme për vendin. Paaftësia e drejtuesve të vendit për të zgjidhur problemet politike, dëmtoi rëndë imazhin e tij. Edhe pse qeveria pretendon se kriza nuk ka prekur aftësinë për të qeverisur, periudha paszgjedhore ka parë pak progres në thellimin e reformave themelore. Miratimi e ligjeve që kërkojnë tre të pestat, që ligjet e Shqipërisë të përshtaten me ato të BE, është shtyrë. Me opozitën që refuzonte të merrte pjesë në parlament, demokratët kaluan shumë ligje në mënyrë të nxituar e pa shumë debate ose input publik.
Kriza arriti kulmin e ashpërsimit e të pasionit në fillim të majit, kur 20 deputetë socialistë dhe më shumë se 100 mbështetës të tyre shpallën një grevë urie dhe ngritën një kamp përpara zyrës së kryeministrisë. Greva e urisë shihej si një përpjekje e fundit e lidershipit socialist për të nxitur kundërshtim ndaj qeverisë. Strategjia e Ramës për të bojkotuar parlamentin dhe protestat e rrugës nuk kishin qenë efektive. Me përjashtim të dy mitingjeve në Tiranë, protesta nuk kishte tërhequr shumë mbështetje brenda e jashtë vendit. Situata u çlirua, të paktën përkohësisht, më 19 maj, kur socialistët i dhanë fund grevës së urisë dhe Berisha e Rama pranuan një ftesë për të udhëtuar në Strasburg për bisedime ballë për ballë me liderët e të majtës e të djathtës në Parlamentin Europian dhe me Komisionerin e BE për Zgjerimin, Stefan Fyle. Dy liderët u angazhuan se do nisnin negociata serioze, pasi morën një paralajmërim se nëse kriza zgjatej, aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE nuk do procedohej shpejt. Të dyja palët kanë zbutur pozicionet dhe ka shpresë se mund të arrihet një marrëveshje.
Rekomandimet
Shqipëria gjendet në një udhëkryq. Pavarësisht arritjeve, shumë prej tyre janë të brishta dhe ka pikëpyetje për cilësinë e demokracisë. Perspektiva demokratike do të varet kryesisht nga vullneti i forcave kryesore politike për t’u pajtuar me ligjet e për të shmangur betejat destruktive, dhe aftësinë e qeverisë për të prodhuar qeverisje të mirë, për të vijuar rritjen e qëndrueshme ekonomike, për të siguruar zbatimin e ligjit e për të luftuar korrupsionin me më shumë vendosmëri. Rivaliteti i gjatë mes socialistëve e demokratëve, i nxitur më shumë nga ambicie personale dhe interesa të ngushta partiake se sa nga diferencat ideologjike e politike, ka penguar përpjekjet për ngritjen e një demokracie të plotë e funksionale dhe mund të nxjerrë jashtë rruge përpjekjet e Shqipërisë për integrim në BE. Veçanërisht:
– Për të qeverisur në mënyrë efektive, demokratët duhet të gjejnë rrugë për të kultivuar bipartizanizmin dhe për të mbërritur tek gjysma e popullsisë që ka votuar për socialistët. Opozita, nga ana e saj, duhet të respektojë rregullat demokratike dhe të zhvillojë betejën politike brenda parlamentit, pa u angazhuar në aktivitete përçarëse ose në përpjekje për të rrëzuar qeverinë me forcë. Shqipëria po përballet me një perspektive të realizimit të ëndrrës së saj për tu ankoruar e sigurtë në Europë. Nuk mund të pranohet që për interesa të ngushta partiake të humbasë kjo mundësi historike.
– SHBA E BE duhet të bëjnë investime substanciale ekonomike e politike në zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Në një kohë që në BE është rritur ndjenja kundër zgjerimit, betejat destruktive politike dhe paqëndrueshmëria e brendshme mund të çojnë kuptueshmërisht në “lodhjen nga Shqipëria”. Megjithatë, çdo ndroje për të promovuar forcimin e institicioneve dhe perspektivën ekonomike do të minonte seriozisht perspektivën demokratike të vendit.
– Ndoshta, me ndryshimin e prioriteteve të Uashingtonit dhe angazhimin në vende e rajone të tjera me më shumë interesa vitalë, angazhimi i SHBA ndaj Shqipërisë mund të venitet. Në fakt, ka që tani shenja të kësaj. Që pas vizitës historike të presidentit amerikan, Xhorxh Bush në Shqipëri në vitin 2007, Tirana nuk është vizituar nga ndonjë zyrtar i lartë amerikan. Zëvendëspresidenti Xhozef Bajden dhe Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhejms Stajnberg, e përjashtuan Tiranën nga vizitat e tyre në rajon në vitin 2009 e 2010. Megjithatë, Shqipëria ka rëndësi dhe e ka provuar veten si një partner shumë konstruktiv amerikan në Europën Juglindore. Është imperative që politika e Shteteve të Bashkuara për angazhim aktiv në Shqipëri të vazhdojë e papakësuar. Dhe për këtë është e rëndësishme që Shqipëria të përfshihet në axhendën e zyrtarëve të lartë amerikanë për rajonin. Bërja e Shqipërisë pjesë e qëndrueshme, e zhvilluar dhe demokratike e Europës Juglindore është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
*Ky artikull është botuar në revistën “Politikat e Ballkanit Perëndimor 2010”, që botohet nga Qendra për Studime Ndërkombëtare e Strategjike, e cila drejtohet nga Janush Bugajski