SHBA-ja mbështet kryeprokuroren Rama, mazhoranca e cilëson “puçiste”

0
33

Flamur Vezaj, 26.01.2011

TIRANË- Edhe pse kryeministri Sali Berisha e cilësoi kryeprokuroren znj.Ina Rama si pjesë e planit të “grushtit të shtetit” të organizuar nga opozita e duke etiketuar si “puçiste”, përfaqësuesi i SHBA-së në Tiranë ambasadori z.Aleksander Arvizu del hapur në mbështetje të plotë ndaj punës së institucionit të akuzës. Në një konferencë të përbashkët në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme mes ambasadorit Arvizu dhe kryeprokurores Rama, kjo e fundit njoftoi se do t’i shkoi deri në fund me ndihmën e SHBA-ve procesit hetimor të nisur për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit.

“Jemi të ndërgjegjshëm se hetimi i këtyre ngjarjeve paraqet vështirësi për shkak të kompleksitetit të ngjarjes, për shkak të përfshirjes së institucioneve shtetërore që kanë qenë me detyrë në mbrojtje të institucioneve, nevojës për të zbardhur ngjarjen dhe situatës politike. Duke ndjerë detyrimin ligjor dhe përgjegjësinë për mbarëvajtjen e hetimit, kërkoj mbështetjen e ambasadës amerikane në hetimin e kësaj çështjeje, në dhënien e një asistence teknike. Kjo ka të bëjë me disa aspekte që lidhen me procedurat e hetimit. Kjo do të sjellë që hetimi të jetë më i arrirë dhe më i besueshëm”-theksoi kryeprokurorja Rama ndër të tjera në fjalën e saj.

Në vazhdim, ajo u shpreh se institucioni që ajo drejton, ka angazhuar të gjithë trupën e prokurorëve të Rrethit Gjyqësor Tiranë që kanë kryer me shumë përgjegjësi dhe përkushtim mbledhjen e të dhënave të para, pas ndodhjes së ngjarjes. “Për të dhënat e mbledhura është e nevojshme t’i nënshtrohen një sërë ekzaminimesh, konkluzionet e të cilave janë shumë të rëndësishme për nxjerrjen e një hetimi të pavarur dhe të gjithanshëm, ndihma do të garantojë një standard të madh në besueshmërinë e saj”-deklaroi znj.Rama.

E pyetur në lidhje me mos ekzekutimet e urdhër-ndalimet nga policia për gjashtë drejtuesit e Gardës së republikës, kryeprokurorja theksoi se ekzekutimi i shpejt i tyre do të jepte më shumë detaje për zbardhjen e çështjes dhe do e bënte më të lehtë vijimin e hetimit. “Nëse urdhër-ndalimet do të ishin ekzekutuar do të kishim pasur më shumë të dhëna për hetimin. Ata nuk janë urdhër-arreste, por, urdhër-ndalime të cilat lëshohen për personat e dyshuar për një vepër. Kemi pasur dyshime se këta persona kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e të premtes. Është gjithçka për t’u verifikuar më tej dhe vetë pjesa e ekzekutimit të ndalimeve do na ndihmonte në zbardhjen e çështjes”-tha kryeprokurorja Rama. Ndërkaq, në lidhje ngritjen e Komisionit Hetimor nga Kuvendi kryeprokurorja e cilësoi këtë veprim si një vendimarrje politike ndërsa, cilësimin e demonstratës si një “puç politik”, znj.Rama e cilësoi si një akuzë poltike.

Ambasadori SHBA-së, mbështet kryeprokuroren Rama
“Sipas ligjit shqiptar, Prokuroria e Përgjithshme është organi kryesor për hetimin e asaj situate dhe unë dëshiroj të deklaroj këtu, përpara të gjithëve, që Shtetet e Bashkuara e mbështesin Prokurorinë në mënyrë të plotë dhe tërësore. Do ta shoh dhe shqyrtoj me shumë kujdes letrën e Prokurores së Përgjithshme. Do të më duhet ta dërgoj në Uashington, DC për shqyrtim të mëtejshëm. Megjithatë, pres që përgjigja do të jetë e favorshme dhe pozitive megjithëse hollësitë do duhet të përcaktohen më pas. Vërej që shumë shqiptarë, duke filluar me Prokuroren e Përgjithshme, por edhe Kryeministri, z.Edi Rama, si dhe shumë shqiptarë kanë bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare për këtë hetim. Nëse është vendimi apo vendosmëria e Prokurores së Përgjithshme që Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë, ndihem i detyruar që duhet të përpiqemi. Shpresoj gjithashtu që me anë të këtij gjesti po demonstrojmë sinqeritetin tonë për vendosjen e një klime më të mirë politike këtu në Shqipëri, e cila vërtet ka nevojë për të sot. Dhe, në dritën e këtij zhvillimi, shpresoj që dy udhëheqësit kryesorë, Kryeministri dhe udhëheqësi i opozitës do të marrin në konsideratë shtyrjen apo anulimin e mitingjeve të planifikuara për të premten dhe të shtunën këtë javë.
Përsëris, pres me kënaqësi të punoj me Prokuroren e Përgjithshme në përpjekjet e saj për të kryer një hetim gjithëpërfshirës, të plotë dhe të besueshëm”-tha ambasadori Arizu në fjalën e tij në konferencën për media.

**************************

TIRANE- Kryeprokuroja Ina Rama në një konferencë për shtyp ku kishte ftuar dhe ambasadorin e SHBA-së Aleksandër Arvizu i ka kërkuar këtij të fundit asistencë hetimore nga vendi i tij. Kryeprokurorja Ina Rama në konferencën e parë për shtyp pas ngjarjeve të 21 janarit, tha se Prokuroria ka nisur hetimet dhe se ky do të jetë një hetim profesional dhe i pavarur. Sipas kryeprokurores Shtetet e Bashkuara të Amerikës disponojnë asistencën e nevojshme teknike.

“Kjo asistencë, kerkohet të shtrihet në aspekte të veçanta të ekspertizës kriminalistike dhe hetimit, ne te cilen SHBA kane nje standart te larte profesional, fakt i cili besojme se do të japë garanci te mjaftueshme se procesi i nisur i hetimit do të jetë më i arrire profesionalisht dhe më i besueshem në paanshmërinë e tij” – tha Ina Rama

Sipas Kryeprokurores Ina Rama, “rezultatet e kesaj veprimtarie hetimore të kryer që në çastet e para pas ndodhjes së ngjarjes me profesionalizem të lartë nga prokuroret dhe oficeret e prokurorise Tirane, eshte e nevojshem t’i nenshtrohen nje sërë ekzaminimeve kriminalistike apo mjeko ligjore, konkluzionet shkencore te te cilave jane teper te rendesishme per ezaurimin e nje hetimi te pavarur dhe te gjithanshem” – thuhet në deklaratën e Kryeprokurores

Ndërsa në fjalën e tij ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu pasi shprehu keqardhjen e tij për ngjarjet e 21 janarit, dhe për jetët e humbura, tha se do ta shqyrtojë me kujdes kërkesën e Kryeprokurores Ina Rama. Arvizu bëri thirrje gjithashtu qe dy partitë më të mëdha në vend të anullonin tubimet e paralajmeruara.

KJo deklarate ishte reagimi i parë i Kryeprokurores pas demonstratës së 21 janarit, ku humbën jetën tre persona dhe shumë të tjerë u plagosën. Kryeprokurorja Ina Rama është përballur gjatë këyre ditëve me akuza të njëpasnjëshme nga ana e mazhorancës për anshmëri të saj në hetime.