Shekulli Online, 11.08.2010
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr çdo dyshim te mazhorancës shqiptare, se deklaratat e ambasadorit Withers kane qenë qëndrime personale të tij.
Në një letër derguar qeverisë shqiptare nga ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për cështjet europiane Philip Gordon, me kërkesë dhe në emër të sekretares së Shtetit Hillary Clinton, detaje të së cilës janë zbuluar nga Top Channel thuhet :
“”Sekretarja dhe unë kemi besim të plotë tek ambasadori Ëithers dhe në punën që ai po bën për të cuar përpara marredhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë. Përkushtimi i tij ndaj idealeve të demokracisë dhe shtetit ligjor përgjatë 26 viteve shërbimi të shquar kanë luajtur rol thelbësor në arritjen nga ana e Shqipërisë të anëtarësimit në NATO dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO”
Sipas Top Channel, letra është një përgjigje e letrës që më parë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta i kishte dërguar sekretares Clinton me ankesa për qëndrimet e ambasadorit Withers, përfshirë dhe deklaratat e tij për emërimet në gjykata, specifikisht në Gjykatën Kushtetuese.
Sa i përket emërimeve në gjykata, ku dhe kritikat e mazhorancës kanë qenë më të forta, ndihmëssekretari Gordon shprehet në mënyrë të prerë në të njëjtën linjë me ambasadorin Withers:
“Ne mbështesim një transparencë të plotë të procesit të emërimit dhe konfirmimit të gjykatësve”.
Ndihmëssekretari Gordon, nuk ka lënë pa ngritur edhe shqetësimin për tejzgjatjen e krizës politike në vend. Sipas tij, kjo po kushtëzon integrimin europian të Shqipërisë.
“Ne besojmë se një zgjidhje e shpejtë e ngërçit politik do të lejonte Shqipërinë të vazhdonte të shënonte përparim në përmbushjen e objektivit të integrimit të plotë në komunitetin euroatlantik”-ka përfunduar Gordon
* * *
Projektligji për SHISH-in, Withers: SHBA e ka dhënë mendimin e saj
KUKËS- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, John Withers ka deklaruar nga Kukësi, se SHBA dhe ai vetë e kanë dhënë mendimin për projektligjin e SHISH.
I pyetur për zhvillimet e fundit dhe debatin për projektligjin në fjalë, Withers ka thënë se “për këtë ligj, ambasada e SHBA-së ka dhënë opinionin e saj që mund të gjendet në faqen e saj zyrtare”.
Në faqen zyrtare të Ambasadës është deklarata ku SHBA ndan shqetësimin serioz për projektligjin për SHISH, pasi ai minon parimin e pavarësisë dhe lirisë nga të gjitha ndërhyrjet politike.
“E marrim vërtet shumë seriozisht. Shqipëria është një anëtare e re e NATO-s dhe ka aspirate për integrim të plotë euro-atlantik. Ndjejmë se ky projektligj e çon Shqipërinë në drejtimin e gabuar. Si miq, si miq të ngushtë të Shqipërisë, ne duam të ofrojmë këshillat tona për t’u siguruar që mikja jonë Shqipëria nuk do të vazhdojë në atë drejtim të gabuar”- ka thënë Withers në deklaratën e marsit, publikuar në faqen zyrtare të ambasadës.
Projektligji për SHISH-in, mbetet për t’u diskutuar në sesion tjetër parlamentar, në muajin shtator.
Pa dhënë sqarime, mazhoranca është tërhequr nga projektligji, i cili ka marrë kritika të forta, jo vetëm nga opozita, por edhe nga faktori ndërkombëtar, SHBA, NATO, madje ka marrë votën kundër edhe nga pjesa e koalicionit, LSI-ja.
E lënë për t’u diskutuar në ditën e fundit të sesionit, pra në rendin e sotëm të punimeve të Kuvendit, projektigji është spostuar.
* * *
Presidenti i vendit, Bamir Topi, i pyetur për qëndrimin e tij lidhur me projektligjin për SHISH-in ka deklaruar se ai ka qenë dhe do të mbetet luajal i parimeve të NATO-s. Nderkohe qe kryeministri Berisha ka deklaruar se ne Shqiperi nuk do te kete asnje zyrtar te larte pa mandat, perfshire edhe kreun e SHISH-it.
Gjatë një deklarate për mediat, kreu i shtetit shqiptar ka pranuar se po e ndjek këtë proces me shumë vëmendje dhe nuk mund të paragjykojë vendimin e Kuvendit.
“Unë mund të them se po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe jam i kujdesshëm për tu thënë që nuk paragjykoj vendimin e kuvendit, sepse presidenti flet në momentin kur ka një vendimmarrje të Kuvendit dhe realizohet komunikimi zyrtar mes Kuvendit dhe institucionit të Presidentit”- tha Topi.
Megjithatë ai ka theksuar se “në parim unë kam qenë e mbetem luajal i parimeve fondamentale të aleancës së Atlantikut të Veriut që është aleanca e paqes dhe sigurisë. Nga ky parim i madh dalin edhe përfundime të mëdha”- tha Topi.
Berisha: Kreu i SHISH-it, me mandat
Kryeministri Sali Berisha ka theksuar prerë se kreu i SHISH-it do të jetë me mandat.
I pyetur nga gazetarët se si do të veprojë mazhoranca lidhur me ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, Berisha deklaroi se në Shqipëri nuk do të ketë zyrtarë të lartë të emëruar pa mandat.
“Ky është një qëndrim përfundimtar i Kryeministrit të vendit. Vendet anëtare të NATO-s në tërësinë e tyre i kanë të gjithë zyrtarë me mandate të ndryshme. 4 vjet e kanë mandatin për Kryeministrin, 4 apo 5 vjet e kanë mandatin për Presidentin, dikush me mandat më të shkurtër, dikush me mandat më të gjatë. Por mandatet janë një normë dhe një standard i vendeve demokratike”- tha Berisha, por pa u përgjigjur nëse Kuvendi do e kalojë ligjin pavarësisht kontestimit të fortë të opozitës, faktorit ndërkombëtar dhe votës kundër të LSI-së.
—–
Kaos në Kuvend, PD tërheq ligjin e SHISH, telefonon Rasmussen
TIRANË – Mungesa e numrave të duhur në Parlament, por edhe një telefonatë e kreut të NATO-s, Rasmussen, me kryeministrin Berisha kanë detyruar mazhorancën që për herë të dytë të tërhiqet nga ligji i SHISH. Edhe herën e parë të djathtët u dorëzuan përpara presionit ndërkombëtar. Por, dje, ata vendosën, në mënyrë surprizë, të hedhin edhe një herë në votim ligjin që vendos Shërbimin Informativ Shtetëror në vartësi të kryeministrit.
Debatet
Që në fillim të seancës, opozita ka kundërshtuar futjen në kalendarin e punimeve të amendimit të propozuar nga deputeti Fatos Hoxha për ligjin për SHISH. Sipas socialistëve, ky ligj duhet të hiqet nga kalendari i rendit të ditës. “Minimumi jeni të detyruar ta bëni këtë, qoftë për të realizuar dhe nenin formal të rregullores që kërkon dy ditë kohë. Është e drejta juaj që në seancën pasardhëse, duke na siguruar ne si opozitë minimumin të drejtën e njohjes me projektligjin, e të drejtën e njohjes me relacionin e komisionit përkatës, që ditën e hënë të ulemi ta diskutojmë”, u shpreh kreu në emër të grupit të PS, Gramoz Ruçi.
Duke shfrytëzuar pamjaftueshmërinë e votave nga ana e mazhorancës, kreu i grupit parlamentar të PS kërkoi hedhjen në votim të propozimit të tij për heqjen nga kalendari i punimeve të projektligjit për SHISH. “Në emër të grupit parlamentar, ju propozoj që të hidhni në votë, të nxirrni nga rendi i ditës së pikës që bën fjalë për projektligjin e Shërbimit Informativ.
Ky është propozimi ynë, që të hidhet në votë”, tha Ruçi. Por kryeparlamentarja Jozefina Topalli e kundërshtoi, duke deklaruar se është respektuar rregullorja. “Për sa kohë që ne kemi kalendarin e votuar nga seanca plenare. Ju keni të drejtë të kërkoni që të hiqet nga rendi i ditës”, sqaroi Topalli. Edhe kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, ka kundërshtuar heqjen nga rendi i ditës i projektligjit për SHISH. “Nuk është e vërtetë që projektligji ka ardhur në seancë papritur.
Nuk është problemi ynë që kur projektligji ka kaluar në Komisionin e Sigurisë, opozita nuk ka qenë e pranishme në komision. Fakti që PS nuk ka marrë pjesë në të gjitha komisionet e sigurisë nuk përbën shkak”, – deklaroi kreu i grupit parlamentar demokrat. Ndërsa aleati i kryeministrit Berisha, kreu i LSI-së, Ilir Meta, në emër të grupit u shpreh kundër kalimit të ligjit për SHISH, duke e cilësuar atë të nxituar, pasi nuk është marrë mendimi i NATO-s.
Numrat
Pas deklaratës së Metës, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nisi të bëjë llogaritë e numrave që kishte Partia Demokratike. Përveç lëvizjeve të shumë deputetëve që hynin e dilnin nga salla e Parlamentit, mazhorancës i mungonin edhe disa deputetë, mes tyre edhe kryeministri Berisha. Mungesa e deputetëve dhe katër votat e LSI-së kundër ligjit të SHISH vunë në dyshim serioz votimin ose jo të ligjit në seancën e djeshme. Në këto kushte, Topalli nisi të lëshojë pe kundrejt kërkesës së opozitës.
Telefonata
Burime të “Shekulli”-t bëjnë me dije se arsyeja e vërtetë e tërheqjes së mazhorancës nga amendimi i ligjit për SHISH i propozuar nga deputeti Fatos Hoxha ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar. Ka qenë kreu i NATO-s, Rasmussen, ai që i ka telefonuar kryeministrit Berisha dhe i ka kërkuar tërheqjen e këtij ligji. Kjo është ndërhyrja e dytë e ndërkombëtarëve, të cilët i kërkojnë mazhorancës që të mos ndryshojë ligjin ekzistues për SHISH.
Tërheqja
Për të mos bërë një tërheqje në sallën e Kuvendit, mazhoranca vendosi ndërprerjen e seancës plenare dhe mbledhjen e shpejtë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Në këtë mbledhje, përveç votave kundër të opozitës, dhanë votën kundër edhe deputetët e djathtë, Leonard Demi, Paulin Sterkaj dhe Gazmend Oketa. Pas kësaj, kryeparlamentarja Topalli deklaroi se “plotëson” kërkesën e opozitës dhe i jep asaj 24 orë kohë për t’u njohur me ligjin e ri të SHISH.