SHBA, e asfiksuar për demokracinë shqiptare

0
43

Nga Mero Baze, 15 Prill 2013

Gazeta Tema ka në dorë një sërë e-mail-esh private të përfaqësuesve të Podesta në Tiranë, të cilët paguhen nga taksat e qytetarëve shqiptarë për t’i bërë makijazh qeverisë Berisha në Perëndim dhe veçanërisht në qendrat vendimmarrëse për Shqipërinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka tre momente kyçe në veprimtarinë e kësaj kompanie amerikane lobimi, që paguhet nga xhepat tanë, që janë vërtet shokuese. Është 21 Janari, zgjedhjet e Tiranës në maj 2011 dhe çështja e komisionerit të KQZ, që po debatohet sot në Kuvend. Në të tre rastet, lobistët amerikanë të Berishës, jo vetëm që janë në anën e kundërt të demokracisë dhe parimeve amerikane të lirisë, por janë më cinikë dhe gjakftohtë në mbrojtjen e disa precedentëve antiligjorë që janë pika kthese në mbijetesën e një demokracie.

Një grup e-mail-esh, shpërndarë nga kompania Podesta për 21 Janarin, janë shokuese. Ato flasin me gjuhën e Erla Mëhillit dhe u rekomandojnë mediave botërore, por dhe Departamentit të Shtetit t’i shikojnë si të justifikuara veprime të tilla antiligjore siç është mosdorëzimi nga kryeministri i komandantit të Gardës dhe 6 ushtarakëve të tjerë të kërkuar nga prokuroria si autorë të dyshuar të vrasjeve të 21 janarit. Në këto e-maile, të cilat po i botojmë dhe sot pjesërisht, shikohet se Podesta është një justifikues gjakftohtë i vrasjeve dhe i akteve të qeverisë për të mbuluar krimin.

Momenti i dytë i pështirë janë zgjedhjet e majit 2011 në Tiranë. Fakt i shëmtuar është se ata u pajtuan si lobistë të zgjedhjeve të majit 2011 nga Lulëzim Basha, jo në cilësinë e kandidatit për kryetar bashkie, por në cilësinë e Ministrit të Brendshëm. Shuma prej 180 mijë dollarësh është dorëzuar tek firma Podesta më 11 maj, pra pak ditë pasi kishin mbaruar votimet dhe po numëroheshin votat në Tiranë, kurse kontrata është nënshkruar në prill kur Basha ende nuk ishte dorëhequr nga Ministër i Brendshëm. Po të shikoni përmbajtjen e e-maile-ve të Podestës për zgjedhjet e Tiranës dhe justifikimit që ata i bëjnë ndryshimit të rregullave të lojës gjatë lojës dhe kërkimit të fletëve të votimit jashtë kutive të votimit, të krijohet ideja se nuk kemi të bëjmë me qytetarë amerikanë, që e dinë çfarë është demokracia, por azerë apo kozakë, që udhëhiqen nga sulltanët e mbetur nga perandoria sovjetike. Dhe përsëri kjo shëmti me lekët e qytetarëve shqiptarë.

Momenti i tretë i ndyrë i kësaj kompanie është çështja që po i merr sot kohë parlamentit shqiptar, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një e-mail i shpërndarë nga Podesta, të cilin e botoi gazeta Tema para dy ditësh, për këtë çështje, justifikonte veprimin një ditë para se ai të merrej në Komisionin e Ligjeve. Një tjetër e-mail në gjuhën anglezë shpërndarë nga Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dje, kishte thuajse të njëjtën përmbajtje. Pra, justifikimi i prishjes së KQZ dhe inkurajimi i qeverisë shqiptare në këtë çështje që është vendimtare për stabilitetin e Shqipërisë dhe të ardhmen perëndimore të saj, mban sërish autorësinë e Podestës.

Ajo që po ndodh sot në Kuvendin e Shqipërisë është një skandal që ka alarmuar zyrtarisht qeverinë e SHBA, Bashkimin Evropian dhe politikën shqiptare. Baronesha Ashton pritet të vijë në mesditë në Tiranë, ndërsa Këshilli i Evropës po bën gati misionet e tij speciale. Ambasadori i SHBA në Tiranë po ashtu është nën alarm dyfish, nga një anë nga ato që Berisha bën kundër zgjedhjeve, dhe nga ana tjetër nga ato që lobistët amerikanë të Berishës raportojnë për të në Uashington.

Për tre çështje të tilla të demokracisë në Shqipëri siç janë vrasjet e 21 Janarit, vjedhja e zgjedhjeve në Tiranë dhe përpjekja e hapur për të rivjedhur zgjedhjet e 23 qershorit, do të ndëshkohej ligjërisht çdokush që paguhet nga taksat e qytetarëve shqiptarë, përfshi këtu gjithë institucionet tona, si kryeministri, KQZ, gjykatat apo çdokush tjetër që me vetëdije ka dëmtuar të drejtën e shqiptarëve për të jetuar në një republikë demokratike, mbështetur mbi zgjedhjet e lira dhe të ndershme siç na garanton Kushtetuta. Për këtë arsye Podesta duhet pikësëpari të bëhet objekti padie nga opozita shqiptare dhe objekt hetimi nga drejtësia shqiptare për t’u ndëshkuar lidhur me keqpërdorimin e pareve të qytetarëve shqiptarë kundër të drejtës së tyre kushtetuese për të jetuar në një shoqëri të lirë, demokratike dhe shtet ligjor. Veprimtaria e dokumentuar e kësaj kompanie amerikane kundër të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë duhet të konsiderohet vepër e rëndë penale me pasojë shkeljen e të drejtave kushtetuese.

Së dyti, opozita shqiptare duhet t’i kërkojë shpjegime zyrtare qeverisë amerikane lidhur me të drejtën e kësaj kompanie amerikane, e afërt me Shtëpinë e Bardhë dhe Presidentin Obama, për të keqpërdorur imazhin e SHBA në çështje themelore të demokracisë dhe të drejtave të shqiptarëve për një republikë demokratike, mbështetur në shtet ligjor dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u investuan zyrtarisht në zbardhjen e vrasjeve të 21 Janarit, ndërsa kjo kompani amerikane është përfshirë në mbrojtjen e vrasësve. Qeveria amerikane është përfshirë zyrtarisht biles dhe me ndihma financiare në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri duke paguar një milion dollarë në mbështetje të tyre, ndërsa Sali Berisha po investohet kundër tyre duke paguar disa qindra mijëra dollarë më shumë kompaninë Podesta.

Ky rivalitet mes qeverisë amerikane dhe një kompanie të afërt me qeverinë amerikane, në një vend si Shqipëria, ku SHBA është tabu sa i përket mbështetjes nga shqiptarët, krijon një perceptim të shtrembëruar mbi vlerat e demokracisë amerikane dhe faktin e tmerrshëm dhe të keqpërdorur në vendet lindore, se mbështetja amerikane është diçka që blihet dhe jo që fitohet me vlera dhe standarde perëndimore. E thënë më shkurt, shqiptarët kanë nisur ta shikojnë rolin e SHBA si një garë të humbur mes një milion dollarëve të Obamës, dhënë për lirinë e zgjedhjeve në Shqipëri, dhe 1.5 milion dollarëve të Berishës dhënë miqve të Obamës kundër lirisë së zgjedhjeve dhe demokracisë në Shqipëri. Demokracia shqiptare po asfiksohet nga ky rivalitet i pështirë. Është e tmerrshme, por duket se vërtet e drejta për t’u quajtur demokraci, këtu nuk po fitohet, por po blihet!