Nga Mark MARKU
Diplomacia amerikane ka qenë shumë e drejtpërdrejtë dhe e shpejtë në hapat e ndërmarrë për vendosjen e kontakteve me aktorët politikë opozitarë shqiptarë: fillimisht takimet e ambasadorit Arvizu me Bashën dhe Berishën, pastaj deklarata e funksionarit të lartë të Departamentit të Shtetit J. Moore, për të vazhduar me vizitën e Presidentit Nishani në SHBA, të cilit i është kushtuar jo pak vëmendje në nivelet më të larta të administratës amerikane. Në kontekste të tjera, hapat e ndërmarrë nga diplomacia amerikane do të ishin krejt të zakonshme, por në kontekstin politik shqiptar ky intensifikim i marrëdhënieve me aktorët opozitarë duket se lidhet me shqetësimin amerikan për çekuilibrimin e mundshëm të pushteteve në Shqipëri.
Duket se SHBA, si faktori më me ndikim në Shqipëri, po reagon shumë shpejt për të frenuar prirjet e saposhfaqura të shumicës parlamentare shqiptare për ta shtrirë pushtetin që votuesit shqiptarë i dhanë në zgjedhjet e fundit në të gjitha institucionet kushtetuese të shtetit shqiptar. Në javët e fundit, maxhoranca ka ndërmarrë sulme që paralajmërojnë një marrëdhënie konfliktuale të maxhorancës me institucione të tilla, si: Presidenca, gjykatat, Shërbimi Informativ Shtetëror, Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, AMA-s etj.
Rrëzimi i dekreteve të Presidentit të Republikës për dy anëtarët e Gjykatës së lartë janë shembulli më domethënës i kësaj klime. Më këtë hap shumica parlamentare ka dhënë njëherësh dy mesazhe: së pari, ka paralajmëruar një marrëdhënie konfliktuale me presidentin Nishani, marrëdhënie që në ditët e ardhshme do të përkeqësohet më tej dhe, së dyti, përpjekjen për të shtënë në dorë institucionet më të larta të sistemit të Drejtësisë. Paralelisht me sulmin ndaj Presidentit, një sulm i tillë u ndërmor edhe ndaj kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror, teksa funksionarë të lartë të maxhorancës e akuzuan atë për mosbashkëpunim me qeverinë. Nëse këtyre akteve u shtojmë edhe rastet e AMA-s apo ILDKP-së, atëherë prirja bëhet edhe më e qartë.
Pavarësisht cilësisë dhe mënyrës si janë zgjedhur këto institucione dhe titullarët e tyre, ruajtja e pavarësisë së tyre është shumë e domosdoshme për ekuilibrin e pushteteve në Shqipëri. Madje, mënyra si u zgjodhën dhe ajo marrëdhënie me pushtetin e djeshëm që i bënte të rrezikshme vetëm pak muaj më parë për demokracinë shqiptare dhe shtetin shqiptar sot është shndërruar në gjë pozitive. Të kontrolluara nga pushteti i djeshëm, ato ishin institucione të rrezikshme për demokracinë, të pakontrolluara nga pushteti i sotshëm, ato janë faktor ekuilibri.
Rasti i Presidentit Nishani është domethënës në këtë drejtim. Sa kohë ushtrimi i funksionit të tij përkoi me pushtetin e maxhorancës që e kishte zgjedhur, ai e dëmtoi rëndë integritetin e Presidencës duke u shndërruar në një militant partiak, në shërbim të PD-së, partisë që e kishte zgjedhur dhe kryetarit të saj. Tani që ky përkim nuk ekziston më, duket qartazi që roli i tij ka ndryshuar. Ai që tani po shndërrohet dhe mund të shndërrohet edhe më shumë në të ardhmen, në një kundërpeshë të pushtetit të një maxhorance që edhe pa kontrolluar asnjë nga institucionet e pavarura kushtetuese është i tepërt (për shkak të kontrollit absolut të parlamentit).
Faktori ndërkombëtar dhe kryesisht administrata e SHBA e ka kapur në hapat e parë rrezikun e rritjes së arrogancës së maxhorancës aktuale dhe ka dhënë sinjalet e para të inkurajimit të institucioneve të pavarura dhe faktorit politik opozitar në Shqipëri. Në deklaratat e tyre të fundit, zyrtarët e lartë amerikanë nuk e kanë fshehur shqetësimin e tyre, madje kanë shpjeguar edhe dobësitë e tjera të shoqërisë shqiptare: struktura shoqërore të korruptuara, media të dobëta dhe lehtësisht të kontrollueshme nga pushteti, shoqëri civile e manipuluar nga politika, të gjithë këta faktorë inkurajues për rritjen e arrogancës së pushtetit të maxhorancës dhe të rritjes së mundësive për të abuzuar me këtë pushtet.
Ky reagim është një gjë e mirë që duhet përshëndetur, por, akoma më mirë, është se kjo ndërhyrje bëhet në kohën e duhur. Deri tani është provuar se aktorët politikë të demokracive ende të pastabilizuara, si Shqipëria, nuk bëhen dot garantë të demokracive të vendeve të tyre. Duhet një faktor ekuilibrues së jashtmi, dhe në rastin e Shqipërisë këtë rol e kanë luajtur SHBA dhe BE. Ajo çfarë është e re në këtë rast nuk është ndërhyrja, por ndërhyrja e shpejtë për të parandaluar krizën, ndërkohë që herët e tjera ka qenë ndërhyrje për të zgjidhur krizën. (Nga Panorama)