Shantazhi me përgjimet: Biseda audio të përgjuara në disa lokale të Tiranës dhe biseda telefonike

0
65

TemA, 19 Janar 2012

Shantazhet që Ilir Meta bën me të ashtuquajturat përgjime, janë regjistrime të policisë në disa restorante të kryeqytetit dhe biseda telefonike të përgjuara pa mandat, që i vihen në dispozicion Berishës për informacion. Një burim i afërt me Spartak Brahon i tha gazetës Tema se gjitha çfarë Meta ka grumbulluar janë një sërë përgjimesh ilegale të bëra nga policia e Agron Kuliçi, dhe përgjime telefonike të paautorizuara mbi disa gazetarë dhe biznesmenë, që flasin rreth videove të Ilir Metës.

Përgjimet janë bisedo në audio, që janë realizuar në së paku tri restorante të njohura të kryeqytetit, që nuk po i përmendim për efekt të biznesit të tyre, si dhe përgjime telefonike të disa gazetarëve në mënyrë të paligjshme, të cilat i shërbejnë Berishës thjesht për informacion.

Bisedat e përgjuara janë në tërësi komente rreth Ilir Metës, videos së shfaqur, dhe ecurisë së procesit gjyqësor. Në duart e Metës janë po ashtu dhe videot e gjetura në kompjuterin e Priftit, të cilin e morën ekspertët e tij gjatë ekspertimit të videos. Kjo komprometon dyfish punën e tyre si ekspertë, pasi kanë shitur materialë që prokuroria ua ka dhënë në mirëbesim.

Përgjimet përveçse nuk përmbajnë asgjë sensitive, janë thjesht një tregues i përfshirjes së pushtetit në një veprimtari të paligjshme kundër privatësisë së qytetarëve. Transmetimi i tyre do të ishte interesant dhe mezi pritet dhe nga vetë personazhet e përgjuara, pasi do të jetë një armë e fortë në betejën kundër Berishës për keqpërdorimin e pushtetit. Deri në këto momente ato po përdoren vetëm për një fushatë thashethemesh.

Dritan Prifti, ndaj të cilit drejtohet shantazhi, nuk po prononcohet ende. Ai ka premtuar se do t’i përgjigjet çdo videoje të marrë prej tyre, me disa regjistrime tronditëse. Edhe pse ai nuk ka bërë komente, është shumë e përfolur historia e videos së një njeriu të afërm të Metës që flet për vete dhe fëmijët e Berishës si dhe disa video të tjera rreth familjeve në pushtet.