Shantazhet e Serbisë për ndarjen e Kosovës

0
78


Nga Augustin Palokaj

Nuk është kurrfarë zbulimi i ri të thuash se Serbia punon për ndarjen territoriale të Kosovës. Rreth kësaj në Serbi ka pasur ide edhe më parë dhe ka qenë një prej pjesëve të strategjisë disavjeçare të Serbisë si një prej „opsioneve minimale“ në aspiratat e Serbisë. Opsioni i parë i Serbisë ka qenë që “Kosova dhe Metohia”, pa kurrfarë autonomie, të jenë pjesë përbërëse të Serbisë. Kur në Rambouillet ndodhi kërcënimi me sulme dhe me vendosje të forcave ndërkombëtare, Serbia ofroi “autonomi substanciale”, ndërsa kur Kosova po ecte me hapa të sigurt drejt pavarësisë, Beogradi ishte i gatshëm për “më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi”.

Tash kur ka ndodhur pavarësie a Kosovës, e cila megjithatë nuk është e përmbyllur, sepse integriteti territorial i Kosovës, ndonëse i vendosur në letër nga shteti kosovar dhe i garantuar nga fuqitë që e kanë njohur Kosovën, është shkelur dukshëm, Serbia punon në dy opsione. Opsioni maksimal është që të ndahet Kosova. “Shqiptarët e Kosovës nuk duan të jetojnë nën qeverisjen e Beogradit dhe gjithashtu serbët e Kosovës nuk duan të jetojnë nën qeverisjen e Prishtinës”, thonë tash presidenti i Serbisë, Tadiq, dhe të gjithë politikanët nën të.

Kjo ide do të duhej të çonte sinjalin se sikurse shqiptarët që e fituan pavarësinë duke refuzuar qeverisjen nga Beogradi, njësoj duhet që edhe serbët të pavarësohen nga Prishtina. Por duke marrë parasysh se në veri të Kosovës, aty ky sundon dhe ushtron pushtetin sot Serbia, ka vetëm disa dhjetëra mija serbë, krijimi i një minishteti të tyre atje nuk do të ishte një opsion i qëndrueshëm. Prandaj Beogradi „zemërgjerë“ do që për ndarjen e Kosovës të flitet me Shqipërinë. Në fund, pasi kjo ide nuk do të pranohet, Beogradi do të insistojë që të ketë një status special të veriut në territorin e Kosovës, dhe status special edhe të serbëve si komunitet, i cili do të thoshte në një mënyrë indirekte edhe legalizim i rolit të Serbisë brenda Kosovës.

Ky është qëllimi, të cilin Beogradi dëshiron ta arrijë. Dhe ky plan nuk ka për qëllim të ndihmojë komunitetin serb në Kosovë, por është thjesht një opsion dëshpërues i politikanëve të Serbisë për të paraqitur veten se kinse kanë nxjerrë diçka nga i tërë ky proces i zgjidhjes së statusit të Kosovës. Nuk ka takim ku politikanët e Serbisë nuk përsërisin se “zgjidhja nuk është ajo ku njëra palë fiton gjithçka e pala tjetër asgjë”, me çka ata mendojnë se me shpalljen e pavarësisë shqiptarët (askush nga Beogradi nuk përmend Kosovën, por „shqiptarët“ ose „Prishtinën“) kanë fituar gjithçka e serbët asgjë, prandaj tash duhet bërë diçka që edhe serbëve, nëse jo ndjenjën e fitores, do t’ua jepte ndjenjën e të pamposhturit.

Prapa secilës fjali për “pajtim historik në mes të shqiptarëve dhe serbëve”, për mundësinë e ndarjes së Kosovës, për “zgjidhje të pranueshme të statusit”, që vijnë nga Beogradi, qëndron kryekëput qëllimi i mohimit të subjektivitetit të Kosovës, shndërrimit të saj përsëri në një objekt negociatash. Në anën tjetër, duke përmendur ndarjen si opsion, Beogradi ka vendosur ta sfidojë bashkësinë ndërkombëtarë me opsionin më të papranueshëm të mundur, sepse, po të ndodhte, do të ishte rasti i parë i heqjes dorë nga parimi i mosndryshimit të kufijve të ish-njësive federale të ish- Jugosllavisë.

U bënë luftëra të përgjakshme, me gjenocid dhe krime të mëdha, me miliona njerëz u zhvendosen, ndërhyri NATO-ja dhe u nda bota në pole për shkak të ish-Jugosllavisë. Por parimi i mosndryshimit të kufijve megjithatë u ruajt. Shtatë shtete që sot janë në territorin e ish-Jugosllavisë kanë të njëjtit kufij që i kanë pasur si njësi federale të ish-Jugosllavisë. Ky ishte një prej argumenteve që fuqishëm u paraqit në Hagë nga Kroacia dhe Sllovenia gjatë debatit para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Dikujt ideja e Beogradit mund t’i tingëllojë mirë, sepse pa veriun pjesa tjetër e Kosovës do t’i bashkëngjitej Shqipërisë e ndoshta edhe tokat ku sot jetojnë shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi njashtu. Një Shqipëri e tillë do të ishte një vend me shumë kapacitete turistike dhe me begati të madhe historike. Një Shqipëri e tillë do të kishte, për shembull, dy kisha ortodokse, një autoqefali shqiptare dhe një serbe, duke bërë që kishat historike serbe të jenë në territorin e Shqipërisë. Shqipëria e tillë për nga numri i banorëve do të ishte e madhe sa edhe Serbia.

Por në Beograd nuk mendohet se sa e mirë, sa funksionale dhe sa e pranueshme do të ishte një zgjidhje e tillë. Në fakt, nuk mendohet fare. Mendohet vetëm në mënyrë destruktive, siç është menduar tash e 30 vjet. Një metodë e tillë e të menduarit ka sjellë fatkeqësitë në këto troje.

Dhe ndarja e Kosovës, nëse rastësisht do të pranohej, do të kishte pasoja edhe më të mëdha për vendet e tjera. Nëse pranohet thënia e Serbisë se “serbët nuk duan të jetojnë nën qeverisjen e Prishtinës”, njëlloj vlen edhe për serbët në Bosnjë-Hercegovinë të cilët nuk duan të jetojnë nën qeverisjen e Sarajevës dhe nesër mund të vlejë edhe për një komunitet të madh të serbëve në Mal të Zi, të cilët nuk do të duan të jetojnë nën qeverisjen e Podgoricës. Të mos flasim për shqiptarët në Maqedoni që do të mund të thonë se nuk duan të jetojnë nën qeverisjen e Shkupit apo për kroatët në Bosnjë- Hercegovinë që po ashtu nuk do të donin të jetonin nën qeverisjen e Sarajevës.

Prandaj bashkësisë ndërkombëtare, mendohet në ato vende demokratike dhe me ndjenjë të përgjegjësisë, ky skenar i hapjes së Kutisë së Pandorës me ide për ndarje të territoreve të shteteve të sotme u duket si një ëndërr e keqe. Beogradi, duke e ditur këtë, duke vepruar me dëshpërim, propozon pikërisht këto ide në mënyrë që kjo bashkësi ndërkombëtare të ulet e të bisedojë me Beogradin duke e ditur edhe fuqinë destruktive që ka Serbia në rajon me të cilën mund të prishë stabilitetin e shumë vendeve të rajonit.

Taktika e liderëve serbë, sado e tejdukshme që është, po ka ndikim tek disa politikanë të papërvojë ndërkombëtarë. Për shembull, lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, kërcënon se do të zhvillojë referendum në entitetin serb të Bosnjës. Atij i vjen në vizitë Catherinë Ashton dhe pas kësaj ai heq dorë. Por në këtë mënyrë bëhet faktor i rëndësishëm dhe nuk qortohet për idenë, por merr merita për heqjen dorë nga ajo. Edhe Beogradi sot nuk qortohet pse e ka strehuar 16 vjet gjeneralin Ratko Mladiq, të akuzuar për gjenocid në Srebrenicë, por lavdërohet pse e ka arrestuar.

Njësoj Beogradi do të lavdërohet nëse së shpejti pranon një zgjidhje për t’i lejuar kosovarët të shesin patate dhe speca në Serbi, në vend që të qortohej për bllokadën të cilën tash e sa vjet ia ka bërë tregtisë së Kosovës dhe pjesëmarrjes së saj në nismat rajonale. Kështu Beogradi nuk do të qortohet për tensionet që krijon me idetë për ndarjen e Kosovës, por do të lavdërohet se ka pranuar status special për veriun dhe serbët në Kosovë. Beogradi me idetë për ndarje dëshiron të sigurojë status të posaçëm për veriun e kjo temë së shpejti do t’i hidhet në tryezë Prishtinës dhe thuhet se kryeministri aktual i Kosovës “ka qëndrim fleksibil rreth kësaj”.

Kjo gjithsesi do të ndodhë në një moment në dialogun “Beograd-Prishtinë”, i cili me ndërmjetësimin e BE-së po zhvillohet në Bruksel. “Kjo do të vijë në rend dite dhe kur të vijë ne do të duhej të niseshim jo nga Plani i Ahtisaarit, por nga realiteti në terren”, thotë një zyrtar shumë i lartë i BE-së. Por problem për Kosovën është se këtu po flitet tash për “status” të veriut, sikur veriu të ishte një territor i papërcaktuar. Edhe “realiteti në terren” për të cilin flet Beogradi, nuk është krejtësisht ashtu siç thonë ata. Për shembull, është e pavërtetë se “serbët e Kosovës nuk duan të jetojnë nën qeverisjen e Prishtinës”, sepse një pjesë e madhe e atyre serbëve janë tashmë pjesë e asaj qeverisjeje të Prishtinës.

Janë jo “nën qeverisjen”, por në “bashkëqeverisje” me Prishtinën. Edhe në veri, po të mos ishte lejuar që Serbia me policinë e saj, me shërbimet e zbulimit dhe me grupet paramilitare të shantazhojë popullatën e atjeshme, do të kishte shumë serbë që do të pranonin të ishin pjesë e qeverisjes së Kosovës. Prandaj sa më shpejt që të ndalet Serbia në përpjekjet e saj për të shantazhuar rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare, aq më mirë do të jetë për krijimin e një stabiliteti të qëndrueshëm në këtë pjesë të Evropës që po bëhet pikërisht ashtu siç thotë Evropa, se nuk do të duhej të ishte si një “vrimë e zezë” në Evropë.