
Preç Zogaj, 21.05.2010
Vala e dytë e protestave popullore për transparencën e zgjedhjeve dhe greva e urisë si gjeneratorja e tyre e dërguan krizën politike shqiptare në Strasburg, kësaj radhe në një seli më të lartë se selitë e mëparshme.
Krerët e dy grupeve më të mëdha parlamentare të Parlamentit Europian dhe Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian, janë bashkuar në një përpjekje të pazakontë për të afruar kryeministrin Sali Berisha dhe shefin e opozitës Edi Rama drejt marrëveshjes së shumëpritur.
Takimi që ka nisur mbrëmë është samiti i parë i këtij lloji në historinë e tranzicionit, ku një konflikt politik i brendshëm midis shumicës dhe opozitës shqiptare arbitrohet dhe moderohet në këtë nivel jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Ky fakt tregon se kriza është më e rëndë dhe më e thellë se sa duket nga jashtë, se rëndësia e zgjidhjes së saj është më e madhe se sa e konceptojnë politikanët e Tiranës, se Europa po mobilizon elitën e institucioneve të saj për të evituar një dështim me pasoja në Shqipëri.
Takimi i Strasburgut vjen si shansi i tretë i kryeministrit dhe shefit të shumicës, zotit Berisha, për të bërë transparencën e kutive të votimit.
Shansin e parë e kishte në vjeshtën e vitit të kaluar kur ngërçi për kutitë konsumohej në Tiranë pa jehonë ndërkombëtare. Ajo ishte periudha ideale kur Berisha, i vetëdijshëm dhe i mirë-informuar për trendin në ngadalësim të zhvillimeve ekonomike dhe sociale, mund të merrte vetë nismën e një pakti të gjerë me opozitën e tij.
Nëse nuk do të kishte gjetur menjëherë mirëkuptimin e kësaj opozite, është e sigurt se do të kishte gjetur mbështetje të gjerë në publik. Por, ky shans u dogj në zakonin e vjetër të politikanëve shqiptarë për të qëndruar prapa ngjarjeve dhe jo para tyre.
Shansi i dytë erdhi me ndërkombëtarizimin e krizës pas protestës së madhe opozitare të 20 nëntorit 2009, që provokoi një rezolutë për Shqipërinë të Këshillit të Europës në janar 2010, zbarkimin në Tiranë të një delegacioni të gjerë të këtij institucioni, kthimin e opozitës socialiste në Kuvend, paraqitjen prej saj të nismës ligjore për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar.
Ky shans u dogj në seancën parlamentare të 18 marsit, kur shumica hodhi poshtë variantin e opozitës dhe votoi me deputetët e saj një komision sa për të larë gojën me Europën.
Zhvillimet u kthyen të gjitha në pikën e nisjes, si në një notim kundër rrymës, kur notari lëshon krahët. Qeveria rrezikoi të humb sërish opozitën, ndërsa nuk fitoi as Europën, as SHBA-në. Ndërkombëtarët pa përjashtim e hodhën poshtë si të padobishëm komisionin e shumicës.
Shansi i tretë e ka origjinën te vala e re e protestave të kësaj pranvere dhe para së gjithash në qëndresën e grevistëve të urisë. Nëntëmbëdhjetë ditët e grevës qenë dëshmia e vendosmërisë së deputetëve dhe qytetarëve grevistë, por edhe e stërmundimeve të mëdha për të shkuar drejt së vërtetës së zgjedhjeve.
Ose e keqja e këtyre kutive është përtej asaj që të rrok mendja, ose kokëfortësia dhe sedra e politikanëve në pushtet nuk ka më asnjë lidhje me politikën – nuk ka shpjegim tjetër për të justifikuar refuzimin me këtë çmim të një kërkese elementare në botën demokratike, siç është hetimi parlamentar i zgjedhjeve aty ku ka dyshime për manipulime.
Greva e urisë e dërgoi krizën në Strasburg dhe ky është një sukses i madh i saj. Greva sensibilizoi ndërkombëtarët si asnjëherë tjetër. Greva bashkoi të majtët dhe të djathtët në Parlamentin Europian dhe kjo është një risi me vlerë të madhe që krijon garanci në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme që do t’i nënshtrohet arsyes dhe jo anësive politike partiake. Greva ka vënë në lëvizje miqtë e Shqipërisë, aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet mike të Europës perëndimore.
Asnjë interes për pushtet në Shqipëri nuk mund të qëndrojë mbi interesat e demokracisë dhe orientimit të saj perëndimor. Shqipëria është vend i NATO-s. Doktrina e NATO-s është busulla e këtij vendi të vogël.
Marrëveshja që po negociohet në Strasburg ka në themel transparencën e kutive të votimit, por konteksti i saj është më i gjerë dhe rrok drejtimin dhe shëndetin e demokracisë në Shqipëri. Marrëveshja synon të krijojë një bashkëjetesë dhe një paqe të themeluar mbi legjitimitetin e pushtetit, mbi të drejtat e barabarta e të garantuara, mbi një standard të ri për zgjedhjet në këtë vend.
Berisha nuk mund ta humbë shansin e tretë, që mund të jetë i fundit. Duke pranuar marrëveshjen, ai do t’i kursejë vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë përpjekje të tjera dhe energji të tjera për transparencën. Sepse, nuk ekziston alternativë e moszgjidhjes…







