Shansi i humbur i Lulëzim Bashës

0
62

Tema Online, 22.12.2010

Një hetues i krimeve të luftës në Kosovë, që ka punuar për gjetjen e personave të humbur, ka dëshmuar për shtypin perëndimor dhe atë shqiptar se ka hetuar së bashku me Lulëzim Bashën për këtë dosje qysh nga fillimi i viteve 2000, duke u futur në Shqipëri ilegalisht të maskuar si projektues rrugësh, apo duke mbledhur dëshmi nga vendet ku mendohej se ka pasur burgje jolegale të UÇK-së.

Në mënyrë të qartë dhe të pakundërshtueshme, ai thotë se Lulëzim Basha “ka pasur dosjen” dhe dëshmon detaje nga udhëtimet e tij së bashku me të në Shqipëri.

Gazeta “Tema” botoi online intervistën e këtij hetuesi. Pothuajse e gjithë media, përveç gazetës “Shekulli”, të nesërmen nuk botoi asgjë, por tentuan të përgënjeshtrojnë një rrëfim të sinqertë të një eksperti, i cili as që kishte synim fare të baltoste Lulzim Bashën, por donte të mbrohej së bashku me Bashën ndaj akuzave që i ka bërë Dick Marty se nuk kanë hetuar mirë.

Por nuk dua të merrem me komplekset e inferioritetit që ka Lulëzim Basha ngaqë njerëzit mësojnë se ka qenë një përkthyes i rëndomtë apo sikletin që ndjen kur i dalin relacionet e tij në hetimet kundër shqiptarëve.

Problemi që ne kemi tani me këtë njeri nuk është e kaluara e tij. Ajo bile është me e mirë se e tashmja e tij, pasi është më e vërtetë dhe më profesionale se falsiteti dhe paburrëria e tanishme. Problemi që një njeri i tillë ka kur hyn në politikë, është se duhet të sillet ashtu siç ia kërkojnë, dhe ajo ashtu siç duhet të sillet si politikan që me personalitet i del zot të shkuarës dhe të tashmes së tij.

Së pari, në përpjekjen e tij për të përgënjeshtruar përfshirjen në hetimin e krimeve të shqiptarëve gjatë luftës dhe burgjeve ilegale të UÇK-së, ai është më shumë i shqetësuar pse citohet si përkthyes, se sa për punën që ka bërë. Ky kompleks nuk do të kishte pushtuar personalitetin e tij sikur në politikë t’i kishte bërë hapat vetë dhe të ishte lartësuar nga dixhej në klube nate, në përkthyes e deri në postet më të larta të shtetit shqiptar që mban sot.

Problemi që ai ka është se jeta e tij e rëndomtë si dixhej në klube nate dhe përkthyes në ICTY ka ndryshuar si me magji kur është njohur me vajzën e kryeministrit të sotëm të vendit, e cila i ka gjetur menjëherë punën pasardhëse si Ministër dhe natyrisht duke ua shitur shqiptarëve si personalitet. Kjo është ana banale e kësaj historie.

Ana tragjike është mungesa e kurajës për të parë këtë histori në sy. Ne jemi sot përballë një stuhie ndërkombëtare të pashembullt dhe nuk kemi asnjë argument profesional apo juridik tua hedhim poshtë spekulimin ndaj nesh, i cili ka ngjitur më shumë se patetizmi dhe patriotizmi i shtirur i liderëve tanë.

Rasti i Lulëzim Bashës ishte shans i rrallë. Ne mund të kishim sot një Ministër të Brendshëm brilant në sytë e Perëndimit, që të dilte në medien shqiptare dhe ndërkombëtare dhe të thoshte: “Po, unë e kam hapur i pari dosjen e trafikut të organeve nga Shqipëria dhe ajo është një gënjeshtër”. Ai mund të ishte tani pikë referimi e besueshme, mund të ishte një gjetje brilante kundër spekulimit të Dick Marty-it.

Dhe ai njësoj si një nga ish-shefat e tij duhet ta përdorte sulmin e Dick Marty për t’u mbrojtur si ish-hetues, qoftë dhe si ish-përkthyes i Tribunalit të Hagës dhe të dëshmonte se kanë hetuar, kanë gjetur burgje, kanë raportuar për to, por s’kanë gjetur të vdekur apo monstruozitete të tilla që fliten. Me një Ministër të tillë të Brendshëm, Shqipëria sot do të ishte një zë shumë i balancuar në opinionin perëndimor, bile do të kishim prioritet dhe faktin që Basha ka qenë përkthyes se do të merrej vesh mirë anglisht me median.

Por ky nuk ka personalitetin e duhur për ta bërë këtë. Ky është një njeri pa personalitet që nuk merr dot asnjë vendim për veten e vet. Ky akuzohet për vjedhje, edhe ndoshta pa vjedhur, por ka frikë të hetohet pa i dhënë leje babai i Argitës. E si mund të bëjë ky betejë për hetimin spekulativ të Dick Marty, kur vetë i është shmangur hetimeve për një aferë konkrete? Çfarë besueshmërie ka ky njeri për drejtësinë ndërkombëtare, ku në çdo raport për vendin e tij shembulli i mos’hetimit të tij citohet si njollë e zezë për këtë vend?

Lulëzim Basha ka humbur rastin e artë të respektonte të shkuarën e tij dhe t’i bënte një nder këtij vendi duke dalë qoftë dhe “dëshmitar i djallit” në këtë histori. Por sapo i shkon në mendje puna që ka bërë, i kujtohen dosjet pa fund që ka përkthyer dhe stivosur për Fatmir Limajn, për Ramush Haradinajn dhe dhjetëra luftëtarë të Kosovës që kanë shkuar në Hagë.

Ata e kanë pranuar me burrëri fatin e tyre dhe kanë shkuar e janë pastruar aty, qoftë si të pafajshëm, qoftë duke vuajtur dënimin. I vetmi njeri i pafytyrë që nuk del dot nga makthi i së shkuarës së vet ka mbetur Lulëzim Basha, i cili nuk mbron dot as punën e tij profesionale, as punët e tij banale, as lavdinë dhe as turpin e tij. Ai sillet aq keq dhe pa mëshirë me veten e tij dhe të kaluarën e tij, sa do të sillej çdo njeri me dikë tjetër që nuk e njeh.

Si i tillë, ai sot ka humbur shansin të jetë një zë i balancuar, serioz dhe profesional në këtë betejë spekulative, duke dalë para Perëndimit të tronditur nga faktet spekulative me faktet e tij të vërteta për atë që s’ka ndodhur dhe që ai e ka hetuar jo si shqiptar, por si pjesë e ekipit të Tribunalit të Hagës. Por që ta bësh këtë, duhet të jesh vetvetja dhe duhet të kesh minimumin e parimeve në jetë. Lulëzim Basha ka dëshmuar se ka vetëm para dhe babin e Argitës, kryeministër.