Sfida për Kosovën

0
77

Shkruan: Ndue UKAJ

Çfarë duhet të mësoj Kosova nga ngjarjet e fundit?
Kosova edhe njëherë tejkaloi sfidën e radhës falë forcave të mëdha të NATO-s, veçmas forcave të specializuara të amerikanëve, gjermanëve, francezëve dhe italianë. Kjo është një dëshmi e qartë se shteti i brishtë i Kosovës, ende nuk ka ndërtua kapacitete për ta siguruar vetë integritetin e shtetit dhe pa prezencën ndërkombëtare mund të na cenohet ky integritet kurdo dhe si do.

Përkundër vullnetit të qeverisë dhe veçmas të policisë së Kosovës, duhet kuptuar se projekti i shtetit të Kosovës, duhet harmonizuar edhe një kohë të gjatë në plotëni me shtet e fuqishme që na nxorën nga kthetrat e Serbisë. Kjo për faktin se po të mos te ishin forcat e përgatitura te KFOR-it, ato banda do te mund te drejtoheshin edhe këndej urës, madje pa telashe te mëdha. Kjo është një dëshmi sa i brishte është shteti i Kosovës dhe një dëshmi pse Kosova duhet te mendoj me ndryshe për raportet e ardhshme me Bashkësinë Ndërkombëtare, veçmas me shtet qe na kane shpëtuar, na kane sjell lirinë dhe shteti.

Të bëjmë një kthim mbrapa. Projekti për ndërtimin e shtetit të Kosovës, qysh në fillimvitet e 90-ta, është nisur si projekt partneriteti, mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, e veçanërisht mes Kosovës dhe botës perëndimore, me të cilën edhe është zhvilluar tërë procesi, duke qenë njëfarë mënyre Kosova e sotme produkt i përbashkët. S’do mend se ky partneritet ishte e vetmja alternativa për të shpëtuar Kosovën nga thundrat e politikës serbe.

Pa as më të voglën mëdyshje, pa këtë bashkëpunim e pa këtë partneritet të fuqishëm, madje edhe ekstremistët më të mëdhenj do të kuptonin se Kosova s’do të ishte kjo që është, së këndejmi edhe procesi dhe problemi i Kosovës, mund të ishte rast izoluar krejtësisht në politikën ndërkombëtare. Në këtë këndvështrim, çdo dimension i mos ruajtës së këtyre marrëdhënieve dhe këtij partneriteti, përbën rrezik në veti dhe si i tillë është i dëmshëm për tërë procesin e tashëm e sidomos për të ardhmen e vendit dhe perspektivën e pa alternativë perëndimore.

Ideja e shtetit të Kosovës, e artikuluar në dekadën e fundit të shek. XX, përmes një filozofie rrënjësisht edhe esencialisht perëndimore, nxori në pah vlerat e përbashkëta që ka shoqëria kosovare me qytetërimin perëndimore, me popujt e lirë e të zhvilluar, që duan lirinë, demokracinë dhe përparimin. Në saje të kësaj ideje dhe artikulimit të mençur të saj, si dhe në saje të qëndrimi të dinjitetshëm të popullit të Kosovës dhe përfaqësimit të jashtëzakonshëm nga klasa politike, bota perëndimore, na shpërblehu me intervenimin e saj me precedent në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kosova dhe shoqëria kosovare, e në suaza më të gjëra edhe rajoni, i përkasin një botë ku sajimet e nxituara të cilat synojnë të realizojnë qëllimet me mjete të dhunshme, kualifikohen apriori si projekte ekstreme dhe si të këtilla izolohen. Më tej, ne i përkasim një botë ku vetëm bashkëpunimi dhe ndërvarshmëria ndihmon në integrimin dhe zgjedhjen e problemeve. Aq më tepër, Kosova i përket botës e cila mbështetet tek vlerat e demokracisë liberale, te parimet e dialogut. Andaj, në këtë botë thyerja e principeve primare e parimore të demokracisë, tendenca për të krijuar segregacione në çfarëdo forme dhe politika të njëanshme, të cilat në vend të dialogut, zgjedhin dhunën dhe rrugën, duhet kuptuar se përveç kualifikimit si ekstreme, nuk kanë konceptime tjera.

Shoqëria jonë është formësuar në planin psikologjik, nën ankthin e robërisë së gjatë nëpër të cilën kemi kaluar, por në një përmasë tjetër, edhe rezultat i formësimit me makthin e frikës. Kjo ka krijuar një gjendje të rëndë psikologjike.

Në këto ditë dramatike, kur drejtpërdrejtë u cenua integriteti dhe territorialiteti i Kosovës, na u bë e qartë sa e rëndësishme është që të ruhet qetësia dhe raporti i fuqishëm me botën perëndimore. Nga bashkësia ndërkombëtare u ndihmuam ta ruajmë dinjitetin e shtetit, në kohën kur bandat serbe u vërsulën ndaj policëve dhe doganierëve të Kosovës.
Mirëpo është shqetësuese fakti për një diskurs të paartikuluar qartë lidhur me qëndrimin kundër Bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht kundër EULEX-it që po shprehet kurdo e me shpesh qarqe të caktuara. Kjo shtron pyetjen, si të duash të integrohesh në Europë dhe në anën tjetër mos ta pranosh një autoritet civil që e ka dërgua kjo bashkësi në Kosovë dhe që e ke kërkuar vetë? Kjo pyetje është mjaft sfiduese dhe një aspekt që shpërfaq anakroninë tonë përballë sfidave tona shtetërore.

Proklamimet tona për integrim dhe diskursi kundër bashkësisë perëndimore këtu, janë dy çështje antagoniste, që krijojnë një anomali të çuditshme.
Në botën perëndimore një gjë dihet mirëfilli: moskumunikimi dhe mosbashkëpunimi, bashkë me politikat diotemike përbëjnë rrezik dhe paraqesin krizë identiteti politikë. Ne nuk guxojmë të tregojmë këto shenja.

Andaj, Kosovës në të mirë të Kosovës është të mos krijohet logjika rrënuese. Aq më parë, nëse lejohet të ushqehen iluzione se pa këtë bashkësi shtetesh, mundemi me sendërtua objektivat tona.

Në këto ditë vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, kjo luftë nervash duhet izoluar, për të vetmin qëllim: Kosovën, lirinë dhe integritetin e saj. Lëvizjet e fundit politike parë në këndvështrimin e perspektivave të përgjithshme të rajonit, janë një sinjal ogurzi që vijnë nga politika e Beogradit. Kjo duhet ta vetëdijësoj politikën tonë, e veçmas institucionet që të ndërrojnë qasjen në raport me zhvillimet e brendshme dhe të jashtme.
Sfidat për Kosovën e re janë të shumëllojshme. Vetëm duke kultivuar marrëdhënie të harmonizuara me shtetet mike, mund të tejkalohen këto sfida.

(Ky opinion është i shkruar ekskluzivisht për Agjencinë e lajmeve “Kosova Info”)