Xhevdet Shehu, 19 Qershor 2013
Shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo nuk e vë aspak në dyshim rënien e Berishës më 23 qershor. Madje, ai është edhe optimist se Berisha do të ikë paqësisht, pasi fitorja e së majtës në këto zgjedhje do të jetë aq e thellë sa nuk do të vihet në dyshim as nga vetë Berisha. Por, Moikomi thotë se Berisha nuk do të largohet as nga politika dhe as nga PD-ja. Si shef i opozitës ai “ka dëshmuar se mund të bëjë një betejë të tmerrshme”, ndërsa shton se “demontimi i pushteteve të tij do të jetë një proces i gjatë, po , po i gjatë por jo i pamundshëm”. Ja sfidat që e presin qeverinë e së majtës pas rënies së Berishës më 23 qershor…
– A e kishit menduar të tillë finalizimin e kësaj fushate për 23 qershorin?
– Afërsisht po. Është një fushatë e veçantë, e spektakleve të mëdha dhe e shpenzimeve të mëdha. Në dukje “paqësore”, por e bazuar në një kontrast të pabesueshëm. Fushata më e tensionuar konceptualisht e këtyre 22 viteve. Fushata e flamujve dhe e premtimeve marramendëse. Berisha kërkon mandatin e tretë me këmbëngulje – ndonëse të vështirë, Rama kërkon përmbysjen e kësaj vijimësie – por edhe për të beteja nuk është aspak e lehtë. Të dy kampet kanë mobilizuar arsenalet e tyre në mënyrë maksimaliste – duket një dikotomi – midis një të kaluare dhe një të ardhmeje që nuk përputhen, por mohojnë njëra-tjetrën. Fushata është me doza simbolizmi të personalizuar skajshëm, dy kryetarët e të dy kampeve i kanë sfumuar tërë figurat e tjera – ligji zgjedhor e bën këtë gjë të pashmangshme.
– A besoni se do të ndodhë rotacioni i shumëpritur i pushtetit pas 23 qershorit dhe pse?
– Në të gjitha shkrimet dhe analizat e mia të fokusuara te ky subjekt e kam thënë se rotacioni do të ndodhë, sepse rotacioni është shumëfish i domosdoshëm, pra jetik. Me gjithë gabimet e opozitës – gabime të zhvillimit dhe të pakrahasueshme me marrëzitë e keqqeverisjes së pushtetit, opozita e ka rastin historik të rotacionit dhe të ardhjes mbas 8 vjetësh në pushtet. Rotacioni thyen statuskuonë, hap rrugë të reja, shton frymëmarrjen e vetë Shqipërisë, krijon premisa të ndryshimit konceptual në të gjitha fushat e shoqërisë. Pra rotacioni duhet të ndodhë dhe do të ndodhë – kjo është logjika formale – por procesi zgjedhor (i mbërthyer ligsht, i deformuar, i kalkuluar misteriozisht prej ligjit zgjedhor të mbrapshtë të vitit 2008) nuk është aspak i lehtë dhe jo pa të papritura. Ideja e një fitoreje plebishitare e të majtës duket e minuar pikërisht prej ligjit zgjedhor, por megjithatë, e majta e bashkuar këtë herë i fiton qartë zgjedhjet. Kjo është bindja ime, që e kam thënë prej kohësh.
– Mendoni se Berisha do ta dorëzojë paqësisht pushtetin?
– Po. Diferenca midis mandateve të së majtës dhe të djathtës do të jetë e tillë që edhe përpara opinionit publik të shqiptarëve dhe përpara ndërkombëtarëve nuk do të jetë e diskutueshme më dhe ambiguide. Në këto kushte, Berisha nuk do të ketë se çfarë të bëje – por dorëzimi i pushtetit- një nga format më të rëndësishme të demokracisë ciklike, nuk do të jetë pa emocione, deklarata, mllefe, por gjithsesi kuadri paqësor do të ruhet edhe për shkak të monitorimit të subjekteve ndërkombëtare.
– Nuk janë të paktë ata që mendojnë se Berisha mund të ikë, por është e vështirë të demontohet e gjithë struktura qeverisëse e tij, kam parasysh këtu të gjitha pushtetet që ai i vuri nën kontroll gjatë tetë viteve të fundit. Sa qëndron ky opinion?
– Nuk mendoj se Berisha do të ikë – ky është një iluzion optik – jam i bindur që ai nuk do të largohet as nga parlamenti as nga posti i kryetarit të PD. Si kryetar i opozitës, ai ka dëshmuar se mund të bëjë një betejë të tmerrshme – prandaj do të ishte naivitet të mendosh se ai do të largohet, ndërsa demontimi i pushteteve të tij do të jetë një proces i gjatë, po , po i gjatë por jo i pamundshëm. Madje ajo që vjen mbas zgjedhjeve do të jetë ndeshja më e madhe dhe më e shumëfishtë, por edhe më e vështirë, sepse do të jetë përtej verbalizmit dhe luftës së fushatave. Qeverisja do të jetë prova e së majtës shumë herë më e rëndë se sa fitorja e zgjedhjeve – po e ritheksoj tepër e komplikuar dhe sfiduese. Kërkon një mobilizim gati të pabesueshëm të të gjitha kapaciteteve, sepse qeverisja e majtë do të jetë mbi “një gropë ekonomike” mbi probleme të jashtëzakonshme dhe të mprehta, që kërkojnë para së gjithash një program vizionar antikrizë, program që është në vetvete edhe mbi luftërat e partive.
– Sa i realizueshëm ju duket programi për Rilindjen i socialistëve?
– Termi ‘Rilindje’ për mua është një metaforë – programi politik dhe ekonomik, arsimor dhe shëndetësor jo vetëm i PS por edhe i LSI – pra i së majtës në tërësi, që tregon se programi do të jetë sinkretik, (i përbashkët në pikat kryesore – pra jo veç e veç, se kjo do të qe e pamundur,) pra ky program mund të ndryshojë shumë gjëra – por pa shkopin magjik kuptohet, aq më tepër se shumë objektiva programorë më tepër janë afatgjatë dhe strategjikë se sa taktikë. Nëse qeveria krijohet me personalitete të vërteta dhe ta pakontestueshme, ahere do të ketë edhe optimizëm edhe qartësi – por megjithatë vështirësitë do të jenë të mëdha.
– Cilat konsideroni si sfidat më të mëdha të qeverisë së ardhshme?
– Do të konsideroja si sfidë gati gjithçka – së pari sfida e institucioneve kushtetuese, e parlamentit – pa harruar edhe atë të presidentit, e prokurorisë, gjykatave; së dyti sfida e krijimit të mençur dhe vizionar të qeverisë; së treti sfida e tregut real të punës që sot është një katrahurë, sfida e taksave, sfida e kulturës, sfida e ngjalljes së shpresës dhe ajo më e madhja: sfida kundër korrupsionit galopant dhe e krimit të organizuar, pa mohuar edhe sfidën me marrëdhënieve me opozitën si dhe me shoqërinë civile- që janë baza të demokratizmit dhe të emancipimit politik të shumanshëm.