
Alba Malltezi
Problemi ynë më i madh nuk janë liderët me tipare bajraktaro-dikatoriale që arrijmë të prodhojmë, por numri i madh i servilëve, i njerëzve pa dinjitet që iu ngjiten duke i ushqyer në ambicjen pa kufi për pushtet. Janë të gatshëm, siç bënë në 50 vite diktaturë, që morën formën e Enver Hoxhës, të vazhdojnë të njëjtën traditë, me enverhoxhistë të “demokracisë”.
Që kryeministri Berisha, të shpalosë përditë teorinë e tij të një puçi të opozitës-prokurorise-presidences-medias-shish, është një fenomen alucinant dhe alarmant, por që ka njerëz të gatshëm rreth tij, të ushqejnë e të përpiqen në ditë të diellit të zbatojnë në praktikë këtë teori, kjo është e rrezikshme për të gjithë. Shëmtia e krijimit të komisionit hetimor të ngritur me nxitim nga shumica në pushtet me një seancë të jashtëzakosnhme, po jep frytet e veta tamam si një pemë e mbjellë keq.
Një grup servilësh me dinjitet të kufizuar, por me pushtet të pakufizuar, që gjysma e shqiptarëve ua ka besuar, po tenton të hedhë në një lëmsh e në amulli gjithë Shtetin. Kërkon tabulatet e Presidentit të Republikës, Kryeprokurores, Kreut të Opozitës, Kreut të SHISH, për të krijuar telenovelën e radhës. Për të treguar çfarë? Që përfaqësues të pavarur të shtetit komunikojnë me njëri tjetrin? Sigurisht që duhet të komunikojnë. Më të frikshme janë ato telefonata që mungojnë, psh.
Qe kryeministri nuk komunikon me Presidentin apo me kreun e Opozites, sikur të ishin armiqtë imperialisto-revizionistë. Por kjo, komisionit hetimor te servileve me dinjitet te kufizuar e pushtet te pakufizuar nuk u intereson; atyre u intereson realizimi i teorive të kryeministrit. Tamam siç bënte nomenklatura në kohën e Enverit. Po ne kemi 20 vjet tashmë në demokraci dhe ca gjëra edhe i dimë si funksionojnë, ndaj është detyra civile e të gjithëve ’i denoncojmë e t’i ndalojmë.
(BalkanWeb)







