Serbia reagon ndaj deklaratave të Berishës: Po nxit destabilitetin e rajonit

0
63

TemA Online, 22 Janar 2013

Qeveria serbe ka reaguar me anë të Ministrisë së Jashtme të saj, lidhur me deklaratat e Berishës dhe qeverisë shqiptare, pas heqjes së përmendores në Preshevë. Sipas një deklaratë të kësaj ministrie, Berisha me deklaratat e tij është duke nxitur destabilitetin e rajonit.

“Kualifikimet dhe akuzat e orientuara kundër Qeverisë së Serbisë, janë nën çdo dinjitet dhe në kundërshtim të plotë me bindjet e dhëna personalisht nga ana e kryeministrit shqiptar, Berisha, gjatë vizitës së paradokohshme të Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Mërkiç në Tiranë, se Shqipëria është e gatshme të shpalos një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve”, thuhet në deklaratën e ministrisë serbe.

“Arsyetimi i retorikës së zjarrtë me brengosje për pozitën e pakicës kombëtare shqiptare në jug të Serbisë, paraqet manipulim të vrazhdë”, konsideron kjo ministri, duke pasur parasysh se mbrojtja e pakicës shqiptare dhe të të gjitha pakicave të tjera në Serbi është në harmoni me standardet më të larta ndërkombëtare, shumë më tepër nga ato që zbatohen ndaj pakicave kombëtare që jetojnë në vet Shqipërinë.

“Pikërisht, duke pasur parasysh mosekzistimin e çfarëdo kornize juridike për mbrojtjen e pakicës serbe dhe të tjera nacionale në Shqipëri, konsiderojmë se autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin masa serioze që të sigurohet mbrojtja e të gjitha komuniteteve, në harmoni me standardet ndërkombëtare në fuqi”, thuhet në deklaratë.

“Nga Shqipëria, si shtet i cili si prioritet të vetin thekson pranimin e vlerave evropiane dhe anëtarësimin në BE, presim që vërtet edhe të sillet në harmoni me prioritetet e deklaruara dhe me aksionet e veta të mos kontribuojë në destabilitetin e situatës në vendet fqinje”, theksohet në fund të deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë.