Nesër, në BKUK
Mbahet tribuna kushtuar Konstantinit të Madh
Me nisjativën e Asociacioni për Zhvillim të Galabit “Galabri”, Shoqata Kulturore e Kosovës “Anton Pashku”, Shoqata “Miqtë e Amerikës” dhe Unioni i Letrarëve të Kryeqytetit të Kosovës, që të gjitha në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare e Universitare të Kosovës, ditën e hënë, më 19 dhjetor, në orën 11, organizohet tribuna kulturo-shkencore kushtuar Perandorit iliro-dardan Konstatinit të Madh.
Për këtë figurë historike dardano-ilire – Konstantinin e Madh, kjo do të jetë tribuna e parë që mbahet në viset etnike shqiptare, e që shënon edhe fillimin e jubileut të 1700-vjetorit të “Ediktit t Milanos të mbajtur në vitin 313”, kur Konstaniti i Madh e kishte legalizuar krishterimin në botë.
Me këtë rast do të paraqiten gjashtë kumtesa dhe pritet të zhvillohet një debat me interes, pasi që këtë figurë historike po tenton ta përvetësoj Serbia për t’u “dëshmuar” se serbët janë popull qiellor dhe se ata e “kanë” pëhapur krishterimin në botë!
Në shnjestër
Evropa duke e “siguruar” pavarësinë e Kosovës, nëpër Kosovë krijoi Serbia të vogla, kurse ne nuk ishim në gjendje ta dëshmojmë faktin se jo vetëm që Serbiat e vogla nëpër Kosovë nuk janë serbe, por si askush tjetër kemi të drejt të krijojmë Kosova të vogla në Serbi dhe jo vetëm në Serbi, si me rastin e Konstatinit, pastaj të Justinianit, të Niketës e shumë të tjerëve
Shkruan: Frrok KRISTAJ
Toka dardano-ilire i dha Evropës, por edhe botës shumë shenjtëror, disa prej të cilëve ndikuan në zhvillimin dhe qytetërimin perëndimor. Evropa duhet t’u jetë mirënjohës ilirëve, dardanëve, arbërve dhe shqiptarëve për rolin e jashtëzakonshëm të disa shenjtërorëve të gjakut tonë, si Shën Konstandini i Madh, Shën Justiniani i Madh, Shën Jeronimi, Shën Niketa, e deri te e lumja Nëna Tereze.
Mirëpo, me porosi të Serbisë Hollivudi po bën filmin për Konstandinin e Madh, që e trajton serb, sipas romanit “Udhëkryqi i Kostandinit” të serbit Dejan Stojkoviq. Për këtë Serbia ka ndarë mbi 100 milionë dollarë. Por a e dinë serbët se Konstandini i Madh ishte dardan, paraardhës i shqiptarëve, përkatësisht se serbët duhet të nisen nga fakti se ndër emrat serb asanjëherë nuk kanë pas Konstandin.
Skenaristët serbë e dinë se s’ka asnjë dokument bindës të cilësdo kohë që Konstandinin e Madh e trajton serb. Por se shtypi serb tash e një kohë po shkruajnë se “Ky Perandor u lind në Nish e kjo është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar trashëgiminë kulturore serbe në mbarë botën, si dhe për ta “dëshmuar” se serbët janë popull i shenjtë”! Pra, vetëm pse u lind në Nish, të cilin sot e kanë serbët, Perandori i Madh na qenka serb! Sipas kësaj logjikë do të mund të bëhej kërdia në transferimin e personaliteteve të historisë nga një komb në tjetrin, sepse edhe Kanti, u lind në Konigsberg, por kjo nuk e bë atë rus.
Pra, sipas kësaj logjike do të na përmbyseshin maja e historisë, sepse De Rada, që u lind në Itali, a duhet quajtur italian, përkatësisht Papa Klement Albani u lind në Itali, por ai e pohon veten arbër, siç mban dhe zyrtarisht mbiemrin ‘Albani’ dhe emrin ‘Kelmendi’. Mid’hat Frashëri u lind në Stamboll, por ai është ndër të mëdhenjtë e shqiptarëve! Vëndlindja e Konicës sot ndodhet në Greqi, por kush mund ta bëjë grek dijetarin e madh shqiptar?!
Perandorët e parë të Romës mbanin për flamur shqiponjën me një kokë. Perandorët ilirë e zëvendësuan me shqiponjën me dy koka, siç kishte vepruar para këtyre edhe Zeusi. Pra, nga simboli fetar shqiponja u bë simbol kombëtar i shqiptarëve. Kostandini i Madh kur shkoi në Bizant mori flamurin dhe simbolin e ilirëve, shqiponjën me dy krerë. Një gjë e tillë nuk i shpëtoi as Dante Aligherit që të thotë se: “Shqiponjën Kostantini e riktheu nga lindja në perëndim, që do të thotë se shpendi shkoi te malet nga kishte dalë”. Noli për Konstantinin e Madh thotë se u lind nga shqiponja e këtij flamuri: “Flamur, që lind Shën Kostantinë / bashkon Islamnë me Krishterimnë”.
Në këto troje sllavët erdhën aty kah mesi i shekullit VI. Në fillim ata ishin shërbëtorë, pa asnjë ngjashmëri me Perandorët ilirë të Romës. Historiani R. Jenkin thotë: “Sllavët ishin të uritur për tokë Ilire”. Tunman shkruan: “Sllavët në vitin 548 dogjën Ilirinë”. Fromer shtonë se “Trysnia sllave solli ndrydhje të ilirëve. Hapësira dalmate e dardane u rrezikua shumë.
Serbia sot e shfrytëzon të ‘drejtën’ pushtuese, pasi që nuk mundet ta shfrytëzoj të drejtën historike. Dijetari N. Syme thotë se “Naissus ishte njëra nga tri kryeqëndrat e Dardanisë paraantike dhe antike”. Dijetari hungarez Jeno Fitz shton se “Dardania ishte vendlindja e atit të Konstandinit të Madh, Konstanc Klorit, e ajo banohej nga ilirët dardanë”. Francezi Viktor Dyruit thotë se “Pelazgo-ilirët shtriheshin nga Azia Perëndimore në Sardenjë e mbase më larg, në Spanjë”. Laruss për Perandorinë e Romës së vonë thotë se “Dinastia Perandorake u themelua nga ilirët e Dalmacisë e të Paonisë”. Historiani anglez R. Makmulen shton se “Vija e familjes së Konstantinit të Madh dhe e Valentienit ishin personalitete ilire”. Çurçilli dëshmon se “Perandorët nga më të aftët e Romës qenë ilirë”.
Historiani U. Sestonin thotë: “Një numur i madh senatorësh qenë nga Iliria, sikurse edhe nga gjysma e dytë e shekullit III, perandorët qenë gjithmonë nga Iliria”. Nobelisti T. Momsen shkruan: “Shqiptarët luajtën rol të veçantë gjatë Perandorisë Osmane, ashtu si të parët e tyre të lashtë – ilirët në Perandorinë e Romës”.
Sot edhe të huaj mund të sjellen argumente të përkatësisë iliro-dardane e shqiptare të Kostandinit të Madh. Pushtuesit serbë shekuj me radhë tentojnë të përvetësojnë emra të shquar shqiptarësh. Kështu, 400 vjet më parë serbi Tomas Maranoviç e bënte Skënderbeun sllav e Frang Bardhi i ishte përgjigj me “Apologjia e Skënderbeut”. Serbët duke vjedhur Konstantinin e Madh duan të lartësojnë shtatin shkurtabiq të së shkuarës së tyre.
Përndryshe, sipas Çabejit “Historia e një vendi është historia e personaliteteve”. Deputeti Laurenziano në Parlamentin italian, në vitin 1904, pat thënë se: “Francezët që në Paris mendojnë se Epirin duhet dhënë Greqisë për hir të Sokratit, a e dinë se Diokleciani, babai i sistemit juridik botëror ishte ilir”?
Nga kjo del se serbët kohëve të fundit, për ta shënuar 1700-vjetorin e legalizimit të krishterimit në botë, që e bëri Konstantini i Madh me “Ediktin e Milanos të vitit 313”, dhe për t’u “dëshmuar” se ata janë popull qiellor, ia kanë vënë syrin grabitës edhe Perandorit – Shenjtor, Konstantinit të Madh. Dhe kjo Evropë duke e “siguruar” pavarësinë e Kosovës, nëpër Kosovë krijoi Serbia të vogla, kurse ne nuk ishim në gjendje ta dëshmojmë faktin se jo vetëm që Serbiat e vogla nëpër Kosovë nuk janë serbe, por si askush tjetër kemi të drejt të krijojmë Kosova të vogla në Serbi dhe jo vetëm në Serbi, si me rastin e Konstatinit, pastaj të Justinianit, të Niketës e shumë të tjerëve.
Ka kohë që sllavët fqinjë na vjedhur hapur figurat e shquara si Aleksandrin e Madh, Pirron e Epirit, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Kukuzelin, Nënë Terezën, e tani së fundi e kanë vënë në shnjestër edhe Kostantinin e Madh. Por ç’ti bësh pasi që të dy shtetet shqiptare heshtin, sikur që heshtin edhe akademitë tona, kurse akademitë sllave e greke s’kanë turp të shpifin e të grabisin, ndërkaq tanët s’kanë turp të heshtin!
Përndryshe, çdo akademi tjetër rastin e filmit serb të Hollivudit do ta quante dhunim të atdheut përmes vjedhjes së historisë, e do t’i alarmonte së pari autorët e filmit e më pas edhe qarqet ndërkombëtare.