Sepse nuk i ka borxh askujt!

0
47

Mero Baze

Gazetarët që ndjekin fushatat elektorale me siguri e mbajnë mend Odetën. Është një vajzë që punon si menaxhere tek një revistë mode, pronë e gruas së Lulëzim Bashës. Revista është luksoze dhe bosh, si çdo gjë qëdelpër të mbuluar diçka dhe jo për të zbuluar diçka. Odeta është menaxherja e revistës. Ka shëtitur në disa kompani reklamash dhe marketingu, dhe së fundmi e mbajmë mend si menaxhere e medies për fushatën e Lulëzim Bashës në Tiranë. Dërgonte fotografitë nëpër redaksi, spotet nëpër televizione, dhe natyrisht mblidhte faturat e reklamave. Pastaj Basha hyri siç hyri në Bashki dhe kjo vajza u shfaq papritur me një kompani reklamash, krijuar në mes të Nëntorit, qëkishfituar një tender për të dekoruar Tiranën më 28 Nëntor. Më shëmtuar nuk bëhej siç e patë, por lekët nuk është se ishin pak. Arsyeja: Ndihmëse e gruas.

Njerëzit e administratës me siguri e njohin Tezen. Është një kushërirë e gruas së Lulëzim Bashës, që ka përfunduar studimet për mjekësi dhe qyshkurse Lulëzim Basha u bë Ministër, e hoqi nga zanati që s’di a e ka ushtruar ndonjëherë, dhe e mori pas vetes në Ministri të Transportit si drejtoreshë të rëndësishme. Natyrisht jo për probleme mjekësore. Pastaj prej andej ai iku në Ministri të Jashtme. Tezja, siç e thërrasin gjithë njerëzit e administratës që e njohin, iku përsëri pas tij; përsëri drejtoreshë e rëndësishme. Pastaj Basha u bë Ministër i Brendshëm. Tezja pas tij, po drejtoreshë e rëndësishme. Në muajin gusht bëri kurban një dash dhe hyri në Bashki. Tezja pas tij. Përsëri drejtoresha më e rëndësishme e Bashkisë. Arsyeja: Kushërirë e gruas.

Një tjetër drejtoreshë që mbulon të ardhurat tatimore mbiu papritur në Bashki. Nuk është se u bë ndonjë konkurs, kishte ndonjë CV apo kishte shkëlqyer diku. Shoferi i gruas e kishte motër (!). Dhe u bë dhe ajo drejtoreshë.

E shumëpërfolur për postin e drejtorit të lejeve të ndërtimit, Bashkia e Tiranës me siguri priste që ky vend t’i jepej dikujt që largonte hijen e korrupsionit. Me hyrjen e Lulëzim Bashës në atë ndërtesë, u gjet dhe njeriu për këtë vend pune. Arkitekti i pallatit të gruas së Bashës në Vlorë. Siç mund ta keni lexuar tek gazeta Tema, Lulëzim Basha në emër të vjehrrit të vet po ndërton dy pallate gjigante me tetë kate në ujë, në Vlorë, mu tek kthesa e Ujit të Ftohtë (atje ku Berisha thotë se nuk do të lejoj ndërtime 100 metra afër detit). Ka hyrë në det dhe po ndërton. Për turpin e Vlorës dhe gjithë shtetit shqiptar askush nuk ndihet edhe pse ka shkelur lejet urbanistike të dhëna po ashtu gabim, edhe pse prokuroria gjoja po heton. Arkitekti i kësaj shëmtire është pikërisht njeriu që u bë drejtor i lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Arsyeja: Arkitekt i pallatit të gruas.

Do të bëhet një biznes në rrugën këmbësore Murat Toptani. 40 shtëpiza të vogla në formë kioskash do të jepen me qera për biznesin të reklamojë mallrat e tij për një muaj nga 6 dhjetori në 6 janar. Njerëzit që bëjnë këtë biznes janë ortaku i kunatit të Lulëzim Bashës, – aq shumë i përfolur në kohën e aferave të Fazlliçit, kur kompania e tyre u fut në listën e hetimit nga prokuroria dhe Berisha turfullonte për ta zhbllokuar – e përfshirë në këtë biznes dhe një agjenci ndihmëse, me një vajzë që njihet gjerësisht si e fejuara e kunatit. Kërkojnë 3 mijë euro në muaj për një kioskë të ngelur pa shitur në supermarketin e tyre, i cili është kthyer në varrezë pa blerës edhe për shkak të krizës ekonomike. Arsyeja pse ata e fitojnë këtë biznes është…. përsëri gruaja e Lulëzim Bashës. Ia ka dhënë vëllait dhe kunatës së saj të ardhshme.

Lista e atyre që kanë ndodhur gjatë këtyre katër muajve në atë Bashki mund të zgjatet pa fund dhe i pari dhe i fundit njeri që ka marrë vendimin për çdo gjë duket se është gruaja e Lulëzim Bashës. Pyetja që lind me të drejtë pas gjithë këtij degradimi të turpshëm të një institucioni qendror të pushtetit është përse ky njeri që na premtoi se do të kishte Tiranën të parën, ka vënë gruan e tij të parën para çdo ligji, para çdo gare, para çdo vlere dhe çdo përfaqësimi politik në Tiranë? Kryearsyeja mendoj se nuk është sentimentale.

Vendimi për të dorëzuar Bashkinë e Tiranës familjes së tij ka të bëjë mbi të gjitha me faktin se ky njeri nuk i është mirënjohës realisht as Tiranës, dhe as qytetarëve për atë mandat. Ai nuk vjen nga një garë dhe nga një infrastrukturë politike ndaj së cilës ka detyrim. Ai vjen nga një betejë mafioze, që ka drejtuar një operacion financiar për të blerë mandatin e Tiranës. Gruaja e tij ka qëlluar me pare falë lidhjeve të saj dhe familjes së saj me VEFA-n në vitin 1996 e deri në faliment, ashtu si Lulëzim Basha ka qëlluar ministër në “punë me lek”, që shkojnë deri në 200 milionë euro abuzime. Me këto lek ata blenë pushtetin e tyre në Bashki.

Kushe mban mend fushatën, e mban mend Lulëzim Bashën, ndaras PD-së, një zyrë në Torre Drini me Shkëlzenin dhe Kunatin në krah, pa askënd nga PD-ja. Ishin duke harxhuar para për të blerë Tiranën. Gjithçka tjetër ishte fasadë. Jepeshin pare për të ilustruar mendimet mbi Tiranën nga intelektualë pazarxhinj apo gazetarë bythëshitur. Jepeshin pare për të blerë opozitarë apo për të blerë heshtje të medieve kritike. Në fund u dhanë dhe për të blerë mandatin nëpër gjykata. Një njeri që e merr kështu mandatin, nuk ka arsye tu jetë mirënjohës zgjedhësve që nuk ekzistojnë, partisë që nuk e ka votuar dhe sidomos ligjit që nuk e ka ndëshkuar. PD me Lulëzim Bashën mori më pak vota se me çdo kandidat tjetër në Tiranë, dhe po të kemi parasysh dhe rritjen normale të elektoratit gati-gati duket se ajo parti e ka urryer kandidatin e saj.

Lulëzim Basha ka gati 55 për qind të votave nga PD-ja dhe 45 për qind nga të tjerët. “Të tjerët” janë ata që nuk duan mirënjohje, por pare. Dhe ai ua ka dhënë. Duke mos qenë mirënjohës ndaj askujt për atë zaptim të shëmtuar zyre, ky njeri mos prisni tani të bëjë një Bashki të pushtetit, por thjesht një pushtet të tij personal në Bashki. Si një njeri i pavotuar, por blerës votash, ai nuk ka besim tek askush, veç tek ata që i kanë mbajtur qeset me lek nga pas në fushatë. Dhe ai është rrethi i ngushtë i familjes së tij, gruaja, kunati, shoferi, ndihmësja e gruas, kushërira, arkitekti i vjehrrit, etj.

Kjo është një arsye e fortë që ne të shikojmë sot një bashki të degraduar dhe arrogante në primitivizmin e vet, një kryebashkiak të pafytyrë që përpiqet t’i imponojë Tiranës bizneset e familjes së tij si vlerë për kryeqytetin. I përciptë, i paaftë, gënjeshtar dhe frikacak, ai po izolohet dita- ditës duke gjetur ngushëllim tek rrethi i tij familjar, i cili i është turrur Tiranës më thikë në dhëmbë të shqyejë çfarë mund.

Mos prisni që këtë shëmti ta ndalë Berisha, PD-ja, media apo intelektualët e këtij qyteti. Ai nuk u ka asnjë borxh. Ata që kanë lehur për të nëpër ekrane- janë paguar, ata që kanë pozuar si intelektualë -janë paguar, PD që s’e ka votuar- do ta paguajë. Berisha vetë ka pasur vetëm një interes madhor tek Lulëzim Basha, ta përdorte si arsye politike që kryeqyteti i kishte falur krimin e 21 janarit.

Dy njerëzit burracakë të këtij qyteti, që u mbyllën brenda xhamave të blinduar dhe piketuan vrasjen e njerëzve të pafajshëm para derës së tyre, janë në makth për ndëshkimin që kryeqyteti dhe shoqëria do tu japë për krimin ende të pashlyer të tyre. Sali Berisha vrapoi të lante gjakun nga bulevardi, duke nxjerrë bashkautorin në krim në një garë fallco për Tiranën. I sigurt se e humbiste garën dhe bashkë me të alibinë për pafajësinë në krim, Sali Berisha mbështeti projektin e tij mafioz për blerjen e mandatit me çdo çmim. Berisha nuk do as leje ndërtimi, as tenderë të vegjël, as para nga Lulëzim Basha. I duhet vetëm si alibi që kryeqyteti i voton vrasësit. Lulëzim Basha ia ka larë atë borxh, pasi ja “bleu gjakun” Tiranës për llogari të Sali Berishës.

Ndaj Lulëzim Basha është i lirë tani e tutje të punojë për familjen e tij, për gruan, kunatin dhe sojin që i heq frikën në orët e vetmisë së tij të madhe, që kur përkëdhel dy vajzat e tij i shfaqen para dy vajzat jetime të Aleks Nikës, kur inauguron ndonjë shkollë i dalin para syve lotët e Anës, që e fyejnë “demokratët” në shkollë për babin e vrarë prej tij, kur del në periferi i dalin para syve fëmijët e Hekuran Dedës në një fshat afër Tiranës që ndoshta janë pa bukë në këto momente dhe nuk i vizitojnë dot kioskat e kunatit të tij, kur bën sikur preket nga ndonjë dramë familjare me siguri që e lë pa gjumë makthi i djalit të vetëvrarë të Faik Myrtajt nga dëshpërimi i ikjes së babait. Lulëzim Basha nuk i ka borxh as Tiranës, as Berishës, as PD-së dhe as ligjit për ta qeverisur i vetëm Tiranën me familjen e tij. Ai e ka blerë pushtetin me lek, e ka “blerë gjakun” me lek, e ka blerë qetësinë nga pushteti me lek. Vetëm nuk jam i sigurt nëse fle i qetë…