Nga Agron Luka, studiues
Sipas mitologjisë së lashtë pellazgo-ilire, “Plaku i Detit”, Nereu, që je tonte bashkë me të bijat nereidat e oqeanidat, në një shpellë nënujore të Detit Jon, e dinte “Sekretin e rrugës për te Atlanti dhe Atlantida, në fund të Tokës në Perendim” dhe ishte ai, që ia tregoi këtë rrugë eksploratorit Herakli…
Mitologjia dhe autorët antikë për Atlasin dhe ishull-kontinentin Atlantida.
Në një emision të fundit shkencor televiziv, të titulluar “Në kërkim të Atlantidës”, hidheshin disa hipoteza se ndoshta Atlantida duhej kërkuar në hapësirën ishullore vullkanike mesdhetare, si në Kreta, madje deri edhe në Trojën e famshme etj. Ndër hipotezat kandidate ka pasur supozime edhe për ishujt Britanikë, për ishujt vullkanikë të Kanarieve dhe Azoreve, për një zonë në Meksikë etj. Duke u bazuar tek Platoni se Atlantida ndodhej përtej “Shtyllave të Herakliut”-Gjibraltarit, hipoteza më e fundit, të cilës i kushtohej edhe pjesa më interesante, kërkonte të demostronte se Atlantida dhe kryeqendra e saj mund të kishin qenë edhe në hemisferën perendimore, në kontinentin amerikan. Atje janë gjetur edhe rrënojat arkeologjike të një qyteti “me mure të larë në ar” dhe të një perandorie gjigande etj.
Sipas mitologjisë helene, e cila kishte përvehtësuar e rregulluar edhe nga mitologji më të lashta egjiptiane, asiro-babilonase, fenikase, pellazge etj, Atlanti/Atlasi ishte bir i Japetit dhe i një Oqeanine (Klimenes ose Asia në një varjante tjetër). Atlasi, i rracës së gjigandëve, kishte tre vëllezër Menezin, Prometeun dhe Epimeteun. Një varjante tjetër e sjell Atlasin si birin e Uranit, dhe vëlla me Kronin, pra si xhaxhai i Zeusit. Kur Zeusi i shpalli dhe e fitoi luftën ndaj gjigandëve, Atlasin e dënoi të mbante “globin qiellor në fund të botës në perendim”, diku atje te Gjibraltari e te shkretëtira marokene.
Po atje, me sa duket e kishte “internuar-dëbuar” edhe bazileusin e lashtë Gerionin e Trefishtë të Epirit me kopetë e tij, madje e kishte ngarkuar të ruante edhe Hesperidat e Bukura, Pemën e Hesperideve me mollët e arta, atje kishte edhe një gjarpër tinzar. Po ashtu edhe Prometeun e famshëm, që ua vodhi zjarrin perendive për njerëzit, Zeusi e dënoi të lidhur në një majë shkëmbore në Kaukaz, ku një shqiponjë i hante mëlçinë. Njihet pastaj mitologjia, se si Herakliu shkoi të vizitonte Atlasin, se la si shenjë “Shtyllat e Herakliut” në ngushticën e Gjibraltarit etj. Në mitologjinë helene njihej ideja se duke shkuar nga perendimi arrihej në lindje! (Shih, P. Grimal, “Enciclopedia dei miti”, 1990, f 80 etj.)
Është thënë se vepra “Odiseja/Uliksi” e Homerit realisht, ishte edhe një lloj hartë detare mesdhetare, në të katër kordinatat. Aristoteli më vonë do t’a përkufizonte: se në saje të hegjemonizmit helen, koloni-qytetet helene kuaknin, përreth detit Mesdhe, si bretkocat rreth një pellgu.
Detarët ilirë e dinin rrugën që të çonte në Atlantidë!
Në temën e Atlantit dhe Atlantidës, në mitologjitë e lashta të gadishullit Evropa, një vend zënë edhe teritoret e popullsitë iliro-epirote, madje një vend edhe me pikë-nisjen e eksploratorit Herakli! Dhe të vjen mjaft hidhur që kjo temë, sado e modës mitologjike, nuk duhej lënë në harresë nga autorët tonë dhe as në errësirën e fund detit, për mungesën e kërkimeve arkeologjike nënujore.
Dhe të kthehemi te rruga e Atlantidës. Nimfat lumore ilire i thanë Herakliut se nuk e dinin atë rrugë, por megjithatë i dhanë informatën se vetëm Plaku i Detit Nereu, i cili jetonte në një shpellë nënujore detare diku nga bregdeti i Jonit bashkë me të bijat nereidet e oqeanidet, e dinte sekretin e asaj rruge. Herakliu shkoi atje dhe vetëm pasi e shtrëngoi me forcë Nereun, arriti t’a mësonte nga ai intinerarin e asaj rruge. Ai duhej të kalonte ngushticën e AkroKaravës (Anija e madhe feake si një vargmal lartë i ngurrosur, Akrokeraunia, sipas mitologjisë së Homerit. Këtu, ngushtica e Japigjisë/Otrantos. A.L.), pastaj të lundronte brigjeve të Siçilisë dhe në pikën më të afërt duhej të hidhej në Libi dhe që andej të shkonte te Oqeani Perendimor Atllantik, nga ku mund të arrinte te ishull/kontinenti i Atlasit.
Përsëri nga Apollodori informohemi se diku nga Egjipti dhe nga Arabia, Herakliu mësoi se atje dinin edhe disa rrugë të tjera me të cilat kordinatat tokësore përshkoheshin duke u imbarkuar në një “Kupë Fluturuese të Diellit”. Me këtë kupë mund t’i bihej tokës, në të katër kordinatat, madje mund të shkohej edhe te Hiperboreanët veriorë etj. Llogjika të shtyn të mendosh se këto ide, sado realizime dëshirash njerëzore me fantazi, bazoheshin jo vetëm te toka e sheshtë me katër kordinata, por diku-diku edhe te toka glob. (Apollodori, “Biblotheca”. Lib. II, 114 etj; shih më hollësisht Grimal, cit. f 231-232 dhe f 442-443 etj.)
Një informatë interesante jep edhe Diodori i Siçilisë, i cili shkruante se, Pirrua i Epirit, mbasi i kishte mundur kartagjenasit duke ua marrë pothuajse të gjitha portet e Siçilisë, kishte grumbulluar një flotë të madhe. Pirrua, nënvizonte Diodori, synonte të hidhej nga Siçlia për të pushtuar Libinë, duke “ndjekur gjurmët e Herakliut”. (Exerpt. Hoeschel, f 497-499, cit, sip. “Ilirët dhe Iliria në autorët antikë”, 1965, f 146-147) E njejta thënie “për ndjekjen e gjurmëve të Herakliut” ishte përdorur edhe për Aleksandrin e Madh, por në drejtimin e kundërt nga lindja. Në dokumentin e zbuluar në “Statutet e Shkodrës”, në vitin 1997, “Testamenti dhe Privilegjet dhe Aleksandrit të Madh dhënë popujve ilirikë”, na del shprehja: “Aleksandri i Madh, biri i Zeusit, Zot i Tokës prej ku lind e ku perendon e nga veriu në jug” etj. (Shih shkrimin tonë botuar i shkurtuar nga red. “Koha Jonë”, dt. 18-19 shtator 2006 etj).
E këtu na duhet të shënojmë se dinastia e parardhësve të Aleksandrit të Madh e mbante veten me prejardhje nga Herakliu. Në një rast Aleksandri u mburr disi se ja kishte kaluar deri edhe Herakliut, me arritjen e tij në Indi. Dhe ishte e kuptueshme simpatia dhe mburrja me Herakliun, në gadishullin tonë; me këtë eksplorator tokësor, navigator detar dhe fluturues ajror; me këtë ndërtues qytetesh dhe muresh fortifikuese; me këtë mbrojtës të njerëzimit, i cili në një varg rastesh theu edhe dogmat e tabutë e lashta.
Herodoti, i pari, shkruante se në Afrikën veriperendimore ndodhen malet Atlas. Por, informatat më të rëndësishme e befasuese vijnë nga Platoni, i cili i referohej Solonit, i cili ishte bazuar në një informatë me prejardhje nga një prej priftërinjve të Egjiptit, që jetonte në Sais në deltën e Nilit. Platoni shkruante se ai ishull gjigand Atlantida, përtej “Shtyllave të Herakliut” në Oqeanin Atlantik, ishte fundosur/gojë gëlltitur nga oqeani, nga një shpërthim kataklizëm vullkanik rreth nëntë mijë vjet më parë se koha e tij. Ky ishull na ishte nën dominimin e Poseidonit, Hyu i Detit dhe i Tërmeteve. Siç, mund të kuptohet, “Fundet e Tokës”, rezultonin vazhdimisht më tutje, kur njerzit arrin deri atje detyroheshin të shtyheshin akoma më thellë Dhe kështu ngjau me sa duket edhe me “perendimin e diellit në fund të tokës”, i cili u shty edhe përtej brigjeve afrikane në Oqeanin Atlantik.
Sipas përshkrimeve të Platonit, ishull-kontinenti gjigand i Atlantidës na kishte pasuri të mëdha bujqësore e blegtorale dhe sidomos pasuri mineralogjike, si ar dhe në një lloj metali “orikalku” i cili shkëlqente si zjarr, kishte një qytet përrallor të rrethuar me mure të larë me ar, me tynele nëntokësore, me kanale të lundrueshme, ku vlonte tregëtia. Atlasi ishte mbreti i këtij vendi, një njeri i ditur me njohuri astronomike etj. Nisur nga fakti se kjo informatë vinte nga Egjipti, shumë studiues mendojnë se ndoshta detarët egjiptianë dhe fenikas kishin arritur ndonjë farë komunikimi e dijenie për brigjet e kontinentit amerikan dhe qytetërimin e atjeshëm.
Nga mitologjia dhe nga navigimet e fenikasve sot njihet se ata lundërtarë të famshëm e kishin pagëzuar më përpara ngushticën e Gjibraltarit si “Shtyllat e Melkartit” dhe se ata kishin lundruar thellë edhe përtej këtyre shtyllave, përgjatë brigjeve afrikane. Zbulimet më të fundit arkeologjike kanë nxjerrë ekzistencën reale të ish kolonive fenikase në brigjet e Gjibraltarit, si stacione lundrimi, pas më pas. Kështu pra mendohet se edhe vetë Platoni mund të ketë ekzagjeruar me atë datimin e para 9 mijë vjetëve, sepse një informacion i tillë ishte thuajse e pamundur të ruhej i transmetuar gojarisht qysh nga koha kur nuk ekzistonte as shkrimi e as vetë civilizimi egjiptian. Studiuesit kanë vërtetuar se çfarëdo kataklizme nuk mund t’a fundoste e t’a zhdukte komplet një ishull të atillë gjigand, pavarësisht se mund të ketë pasur një kataklizmë vullkanike në një zonë të caktuar.
Sigurisht se kjo mitologji dhe “Bota qiellore sferike” njihej e studiohej edhe në shkollat e qyteteve tona antike.
“Rizbulimi i Atlantidës” dhe “Zbritja në Hënë”, në shek II-të!
Shkrimtari grek Lukiani (shek II), i cilësuar si “Volteri dhe Zhyl Verni i antikitetit”, duke sintetizuar një paraqitje të dijetarëve e filozofëve helenë, që shkonin shumë kohë para Erës së Re, shkruante: “Duke vënë re gjithfarë dukurish të jetës unë arrita të kuptoja…vendosa t’i ngrija sytë dhe të soditja mbarë rruzullimin. Në fillim e ndjeva veten ngushtë, sepse nuk merrja vesh çfarë është ajo që filozofët e quajnë kozmos: në ç’mënyrë ishte krijuar ky kozmos dhe kush ishte krijuesi i tij. Nuk dija gjithashtu ku e kishte ai zanafillën e vet dhe cili ishte qëllimi i tij i fundit. Zura të vrojtoja botën pjesë-pjesë, por kjo më bëri ta vrisja mendjen edhe më shumë, sepse shihja yjet e shpërndarë kuturu nëpër qiell, shihja diellin, dhe atëherë digjesha nga dëshira për të marrë vesh se ç’janë tërë këto…rrufeja që përshkon retë, gjëmimi që shpërthen me aq forcë, shiu, dëbora dhe breshëri – të gjitha këto ishin për mua një enigmë e pazgjidhëshme. …vendosa t’i drejtohesha filozofëve…pagova një shumë të mirë të hollash të mbaroja kursin e filozofisë…ata ma mbushën kokën çdo ditë me teori të ndryshme, si atë mbi shkaqet e para e shkaqet e fundit, atomet, zbrazëtirat, elementet, idetë etj….ata njerëz të ditur grindeshin me njëri-tjetrin lidhur me doktrinat e veta dhe kishin pikëpamje të ndryshme për të njëjtin send!…
Shpesh herë ata nuk ishin në gjendje të thoshin se sa stade është larg Megara nga Athina, e prapëseprapë dinin me saktësi ç’largësi ndan hënën nga dielli; guxonin ta masnin atë me kut, përcaktonin trashësinë e ajrit, thellësinë e detit, periferinë e tokës, perimetrin, vizatonin rrathë, ndërtonin trekëndësha mbi katërkëndëshat, studionin gjithfarë sferash, bile edhe vetë qiellin. …Para së gjithash, tek ata vërehet një ndryshim i plotë mendimesh lidhur me botën (universin): disa thonë se bota nuk është krijuar e as ka për t’u prishur ndonjëherë, kurse të tjerët guxojnë të flasin për krijuesin dhe për mënyrën se si është ndërtuar ajo. Këta të fundit më habitnin më shumë se kushdo, për arësye se pranonin një Zot si krijues të gjithësisë, por nuk thoshin as nga kishte ardhur ky Zot, as se ku ndodhej ai, kur e krijoi botën, sepse nuk është e mundur të mendohet koha dhe hapësira para se të lindte gjithësia. …Pa le pastaj sikur të dëgjoje ç’thoshin për idetë dhe elementet jo trupore, ose ato teoritë e tyre për fundësinë dhe pafundësinë! …disa i vinin një kufi gjithësisë, ndërsa të tjerët e shihnin si të pa kufizuar.
Një palë thoshin se ka një numër të madh botësh dhe i shanin ata që thoshin se ka vetëm një botë…Sa për perenditë, as që është nevoja të flas, sepse disa e përfytyronin Zotin në formën e një numri… disa më në fund i dëbonin të gjithë perenditë e tjera dhe ia jepnin qeverisjen e botës një Hyjnie të vetme…disa të tjerë njihnin shumë zota dhe i ndanin këta në kategori, duke e quajtur njerin Zot të Parë dhe duke u caktuar të tjerëve vende të dyta e të treta sipas shkallës së hyjnisë së tyre. Veç kësaj disa mendonin se Perendia nuk ka as trup, as formë, kurse të tjerët përkundrazi, thoshin se ka trup. Jo të gjithë filozofët ishin të mendimit se perënditë përzihen në punët e njerzve; disa i lironin zotat nga çdo lloj kujdesi, ashtu siç jemi mësuar ne t’i lirojmë pleqtë nga detyrat shoqërore…një pakicë shkonin edhe më tej dhe as që besonin të ketë perëndi, por e linin botën në mëshirën e fatit, pa prijës e pa sundimtar…Epikurianët nuk e mohonin ekzistencën e perendive, por mendonin se ato rrinë në hapësirën midis yjeve dhe nuk përzihen në punët e tokës…filozofët arsyetojnë pse hëna nganjëherë merr formën e një gjysëm rrethi dhe pse formën e një drapri. Disa filozofë thonë se hëna është e banuar, disa të tjerë se është një paqyrë e varur mbi det…Këto kohët e fundit thonë se edhe drita e hënës është e vjedhur, sepse vjen nga lart nga dielli… se vetë dielli është një lëmsh i zjarrtë prej metali të shkrirë…”
(shih, Lukiani, “Vepra të Zgjedhura”, përkth. shqip, 1979, f 36-40 etj)
Lukiani përmblidhte këtu shkrimtarë, dijetarë e filozofë si Homeri, Leukipi, Talesi, Anaksimandri, Anaksimeni, Platoni, Herodoti, Anaksagora, Demokriti, Herakliti, Pitagora, Sokrati, Epikuri, Krateti i Mallosit, Aristoteli, Empedokli, Eratosteni, Ptolemeu, Apollodori, Diodori i Siçilisë etj. Ai i kritikonte disa filozofë sepse ata nuk shpjegonin dot lëvizjen, si një veti e përjetshme e materies etj. Me fantazi, madje edhe me një dozë ironie, “Volteri dhe Zhul Verni i antikitetit”, Lukiani kishte shkruar edhe për “Rizbulimin e kontinentit Atlantida, në anën e kundërt të kontinentit tuaj sferik”, duke nënkuptuar kryesisht Platonin. Ai kishte shkruar edhe për fluturime në Hënë, në Qiell e nëpër tërë Galaksinë e banuar nga qenie njerëzore dhe nga gjithfarë qeniesh të tjera. Meqënëse paraqet mjaft interes dhe është e domosdoshme për shkrimin tonë, duke kërkuar pak ndjesë për citimin e gjatë, po e citoj me përzgjedhje: “…Shumë autorë po gënjejnë…Injoranca ka fituar qytetarinë e nderit… Unë për vete mendoj se ky shkrim i imi ka për të qenë një lexim ç’lodhës, i bukur e i këndëshëm, këtu lexuesin do ta tërheqin jo vetëm veçantia e përmbajtjes dhe bukuria e idesë fillestare, jo vetëm larmia e trillimeve të paraqitura me një gjuhë bindëse e plot vërtetësi, por edhe fakti se çdo njeri nga tregimet përmban një aluzion të hollë për disa poetë, historianë dhe filozofë të lashtë, që kanë shkruar aq e aq gjëra të jashtzakonshme e të paqena;…unë nuk iu vë shumë faj atyre që tregojnë të tilla përralla, sepse kam pasur rastin fatlum të shoh se me trillime merren edhe njerëz, të cilët siç thonë vetë, ia kushtojnë kohën vetëm filozofisë…unë dua t’a përdor trillimin në një mënyrë më fisnike… E vërtetë këtu është vetëm kjo, që gjithçka që do të tregoj këtu nuk i përgjigjet aspak të vërtetës… pra do të shkruaj për gjëra që jo vetëm s’janë, por as që mund të jenë…
5. Mbasi u nisa me anije, kalova “Shtyllat e Herakliut” (mitologjia e fenikasve lundërtarë më përpara i kishte quajtur si “Shtyllat e Melkartit”. A.L) dhe, me ndihmën e erës së mbarë, dola në Oqeanin Perendimor (këtu, Oqeani Atlantik. A.L.). Shkak për t’i hyrë këtij udhëtimi qenë pjesërisht kureshtja , pjesërisht dashuria e flaktë për çdo gjë të jashtzakonshme si dhe dëshira për të parë se ku mbaronte Oqeani e ç’lloj njerëzish rronin matanë. Prandaj, pasi ngarkova një sasi të madhe ushqimesh dhe uji, mblodha pesëdhjetë veta që afroheshin në mendime me mua, grumbullova gjithfarë armësh, pajtova timonierin më të mirë dhe e paisa anijen time – anije e lehtë dhe e shpejtë – me çdo gjë që nevoitej për një lundrim të gjatë e të rrezikshëm.
(Në të njejtën temë, pak më poshtë, por, në sferat qiellore Lukiani shprehet: “…Pas tij gjendet ujëdhesa e Kalipsosë. Pasi të kalosh tërë këta ishuj, do të arrish në një kontinent të madh, që është në anën e përkundërt të kontinentit ku jetoni ju. Atje ti do të heqësh shumë të zeza; do të shtegëtosh midis gjithfarë popujve dhe, mbasi të jetosh ca kohë në mes të njerëzve të egër, do të sosësh më në fund në kontinentin tjetër…)
6. Tërë ditën dhe natën lundruam me erë të mbarë dhe, për sa kohë që dukej së largu toka, velëzuam qetë-qetë. Mirëpo të nesërmen, pasi lindi dielli, u ngrit një erë e marrë, deti zuri të trazohej, pllakosi errësira dhe ne nuk mundëm kurrsesi t’i ulnim velat. Të mbetur në mëshirë të erërave, kaluam mes rreziqeve plot shtatëdhjetë e nëntë ditë, kurse të tetëdhjetën, me të dalë dielli, pamë jo larg nesh një ishull të lartë, të veshur krejt me pyll… kur u ngritëm zgjodhëm tridhjetë veta për të ruajtur anijen, kurse njëzet të tjerët i mora me vete për të parë ishullin.
7. Pasi bëmë nja tre stade udhë, nga bregdeti në pyll, pamë një shtyllë bronzi me një mbishkrim, që ishte pothuajse i shuar dhe që thoshte: “Deri këtu arritën Herakliu dhe Dionisi”. Atje afër mbi disa shkëmbinj pamë edhe dy gjurmë këmbësh, njera me madhësi sa një pletër e Herakliut dhe tjetra më e vogël e Dionisit…
8. Sa kaluam lumin në va… hasëm në disa qenie njerëzore, disa gra amazona gjysëm njerëz gjysëm hardhia…ato na përshëndetën.. .disa prej tyre flisnin lidisht, të tjera indisht, kurse shumica greqisht…
9. Rreth mesditës, shpërtheu befas një tufan që e ngriti anijen tonë përpjetë nja tri mijë stade, duke e sjellë rrotull pezull në ajër. Era rrihte velat e anijes dhe duke i fryrë ato, na shtyu tej e më tej.
10. Plot shtatë dit e shtatë net lundruam në ajër, të tetën ditë pamë në ajër një tokë të madhe, që dukej si ndonjë ishull vezullues në formë sfere dhe që lëshonte një dritë të fortë. …Poshtë pamë një sferë tjetër, ku kishte qytete dhe lumenj, dete, pyje dhe male. Atëherë e morëm me mend se përfund nesh ndodhej ajo Toka ku ne banojmë.
11. Vendosëm të shkonim më tej… kur pamë disa kuaj-skifterë-shqiponja… pasi na kapën na shpunë te Mbreti. Kur, na pa dhe na njohu siç duket nga mënyra e veshjes, na pyeti: “Grekë jeni ju o të huaj”? Ne iu përgjigjëm me “po” dhe ia treguam tërë punën… dhe ai na tregoi historinë e vet… Dhe ky vend, – tha ai – nuk është tjetër veçse Hëna, e cila ju ndrin juve që banoni atje poshtë”…
12. “Po të më ecë fati në luftën që do t’u hap banorëve të Diellit dhe mbretit të saj Faetonit (Dielli është i banuar siç është edhe Hëna), do të rroni tek unë me tërë të mirat. …Nesër do t’ia nisim fushatës…
14. …erdhën edhe forca aleate për të dyja palët…
16. …Faetonit i erdhën për ndihmë banorët e Siriusit… u vonuan hobetarët e Kashtës së Kumtrit dhe Re Centaurët…
19. Mbretëria e Diellit e fitoi luftën… ata vendosën të ndërtonin një mur në ajër me qëllim që asnjë rreze dielli të mos binte në Hënë, ky mur i dyfishtë përbëhej prej reshë… Kështu Hëna u errësua në një natë të përhershme…
20. “Banorët e Diellit bashkë me aleatët e vet vendosën të bëjnë paqe me banuesit e Hënës dhe aleatët me këto kushte: …ta shembin murin që i pengonte dritën Hënës…
22. Tani dua të flas, për gjithçka të re dhe të jashtzakonshme që pamë në Hënë… Së pari fëmijët atje lindnin jo nga gratë, por nga burrat. Martesat bëheshin midis burrave dhe fjala “grua” nuk njihej fare. Deri në moshën 25 vjeç banori i Hënës ishte si grua dhe e çonin te burri, kurse pas kësaj moshe ai merrte vetë për grua një burrë. Fëmijët ata i rritnin jo në bark, por në pulpë…
23. Kur plaket njeriu, nuk vdes, por tretet si tymi, bëhet ajër…
26. Në pallatin e mbretit pashë edhe një send tjetër të çuditshëm: një pus jo shumë të thellë, mbuluar me një pasqyrë të madhe. Po të zbresësh në këtë pus mund të dëgjosh gjithçka flitet në tokën tonë. Dhe po të vështrosh në atë pasqyrë, do të shohësh gjithë qytetet dhe popujt, sikur t’i kishe përpara syve. (Vini re: një lloj përgjuesi dhe një lloj teleskopi filmues A.L.) Unë pashë me të vërtetë të afërmit e mij dhe tërë atdheun; nëse më kanë parë edhe ata nuk mund të them asgjë me siguri. Kush të mos besojë, le të vejë vetë atje t’a verifikojë …
45. Pas një farë kohe, në ujë u dukën peshq dhe përreth nesh zunë të fluturonin zog – shenja këto që tregonin se aty afër kishte tokë…
47. …Të nesërmen kur zbardhi dita , pamë Tokë dhe atëhere menduam se ky do të ishte kontinenti, që ndodhej në anën e përkundërt të kontinentit tonë…
Nuk ka asnjë dyshim se Lukiani i kishte njohur shkrimet e dijetarëve gjenialë helenë dhe më konkretisht disa nga shkrimet e Platonit, Talesit dhe Eratostenit. Eratosteni (shek III p.e.r.), mbi bazën e gjatësisë Aleksandri-Asuan që ishte një rrugë lumore e Nilit e matur, mbi bazën e këndit të rrezes diellore në një pus në Aleksandri (në Asuan në ekuator, në mesditë, rrezja binte pingul mbi pus) dhe të formulave të gjeometrisë euklidiane të harkut dhe të kordës, përcaktoi perimetrin e globit tokësor, me një gabim preçizioni shumë të vogël, duke pasur parasysh edhe metodën primitive nga këndvështrimi i sotëm modern, por që ishte gjeniale për atë kohë!
Ndërkaq, ironia e fatit dhe e koinçidencës luajti me vetë fantazistin Lukian. Rezultoi se fantazia e tij, për një tokë kontinent në hemisferën perendimore, ishte vërtetë një realitet dhe ju ndërkohë mendoni pak sikur ai të kishte shkruar me idenë e profetit dhe të mashtruesit! Lukiani, me fantazi rizbuloi jo vetëm Atlantidën, por u nis nga ai kontinent edhe për në Hënë. Ai, Zhyl Verni antik, ishte i pari që dashje pa dashje e profetizoi nisjen për në hënë nga ai kontinent, siç e dimë se me anijen Apollo dhe me modulin “Shqiponja” u arrit zbritja në hënë…
Atje ku dy detet puqen dhe kanë ndarje një pengesë që nuk e kapërcejnë dot?!
Në Kuran shkruhet: “Ne, edhe ty ta zbritëm Librin e vërtetë, që është vërtetuesi i librave të mëparshme dhe garantues i tyre” (El Maide, 48)
Ja një nga këto vërtetim-garantime, te Libri i Jobit, shkruhej: “Hyji pa ndihmë të kujt e shtrin/zgjeron Qiellin…/ Ai krijoi Arushë e Orion, Shenjëzat e Yjet e jugut/ Shtrin veriun përmbi zbrazti/ e mban Tokën varur prej asgjëje…/ Dora e tij shpon sh’lligë fluturuesen/ Cak rrethues u vuri ujrave/ N’kufi t’dritës e t’errësirës/ Në shkofsha n’lindje Ai s’do të më dëftohet/ as në Perendim s’do ta takoja/, majtë-jug n’u sjellsha, askund s’do ta ndeshja/ nëse marr djathtas-veri, syri s’do të ma shohë…” (Cit me përzgjedhje “Bibla”, bot. 1994, “Libri i Jobit”, f 623-657)
Në Kur’an-i shkruhet: “Ne me forcën tonë e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë” (Edh Dharijatë, 47); “Ai është që krijoi natën e ditën, diellin e hënën dhe secili prej tyre noton në orbitë” (Suria El Enbija, 33). “Ai krijoi qiejt e tokën me qëllim të caktuar; Ai natën ia mbështjell (vendit të) ditës dhe ditën ia mbështjell natës;…” (Ez Zumer, 5; shën me *, f 638); “Dhe i sheh kodrat e mendon se ato janë të pa lëvizëshme, ndërsa ato ecin sikurse ecin retë” . (En Neml, 88, flitet për rrotullimin e tokës);
Dhe të vijmë te tema konkrete. Në Kuran, në disa ajete shkruhet se “All’llahu është Zot i Lindjes dhe i Perendimit të Tokës” (El Muzemil, 9 etj). Në kuptimin e vështrimin e parë, si kordinata gjeografike, kjo do të kuptohej si një lindje e një perendim. Por ja ku gjendet edhe një çeshtje mjaft enigmatike, në Suren Er Rrahman, Ajeti 17, ku shkruhet e flitet “për dy lindje dhe dy perendime”! Po e citojmë edhe disi më të plotë tekstin e Sures: “5. Dielli dhe Hëna udhëtojnë sipas një përcaktimi të saktë”…; 16. E cilën begati të All’llahut ju e mohoni?; 17. Zot i dy Lindjeve dhe i dy Perendimeve”; 18. E cilën të mirë të All’llahut tuaj ju e mohoni?; “19. Ai i lejoi dy detet të puqen ndërmjet vete”; 20. Ndërmjet atyre të dyve është një pengues që ata të dy nuk e kapërcejnë”; 21. E cilën të mirë të All’llahut tuaj ju po e mohoni?; 22. Prej atyre të dyve nxirren margaritarë e diamantë; 23. E cilën të mirë të All’llahut tuaj po e mohoni?; 24. Dhe të Atij janë anijet lundruese të ngritura lart si kodra në det.; 25. E cilën të mirë të All’llahut tuaj po e mohoni?; 26. Ç’do gjë që është në të është e zhdukur.; 33. O turmë e xhinëve dhe e njerzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve dhe të tokës, depërtoni pra, po nuk mundeni vetëm me ndonjë fuqi të fortë”. (Duke shmangur forcën e gravitetit?!)
Edhe në Suren “El Mearixh, 40, shkruhet: “40. Pra betohem në Zotin e lindjeve e të perendimeve, se Ne kemi fuqi” dhe gjithashtu në Suren En Neml, 61: “…dhe në mes të dy deteve bëri ndarje”.
Atëhere ku duhet t’a kërkojmë këtë vend me një ndarje midis dy deteve?! Në Suren El Kehf, ajeti 61, shkruhet edhe për një tjetër rrip toke ndarës, si vendafrim detesh, i cili sipas kontekstit dhe interpretuesit kuptohet qartë se janë Deti i Kuq dhe Deti Mesdhe, domethënë rripi tokësor i Suezit. Ky identifikim përforcohet edhe nga fakti se tregimi aty lidhet konkretisht edhe me Moisiun/Musanë dhe me disa rrugë këmbësore e karvanesh të njohura. Realisht pozicioni i dy këtyre deteve nuk bie lindje-perendim, por vetë rripi i tokës, si meridian, sa duket shënonte një lloj ish kufiri ndarës midis lindjes dhe perendimit të vetë Orjentit, ku lidhej edhe Azia me Afrikën.
Ndërkaq duhet të vërejmë se në Suren Er Rrahman, nuk ka ndonjë shënim e interpretim identifikim për këtë vendtakim detesh! Sikur t’a mendonim se edhe këtu, flitet për rripin e Suezit, vërehet se aty nuk ka asgjë që të lidhet sadopak me Moisiun e me pasuritë minerare! Duke pasur parasysh përshkrimin dhe rastin se sa vend-takime të tilla ka në globin tokësor, ekziston mundësia se për rripin e dy lindjeve dhe dy perendimave bëhet fjalë për rripin e tokës midis dy nënkontinenteve amerikane, aty ku kufizohen dy Oqeanet dhe nënkuptohet edhe tërë hapsira tokësore e hemisferës perendimore. Por, mbetet për t’u përcaktuar se nga mund të ishte konstatuar ky kontinent: nga lartësia qiellore dhe i zbritur si informacion hyjnor, apo nga mitologji të popujve të hershëm dhe nga libra fantastikë të dijetarëve antikë (Talesi, Platoni, Lukiani etj), sigurisht edhe nga informacione të lundërtarëve antikë, që orjentoheshin me shenja dhe me anë të yjeve?! (Shih En Nahl, 14-16; 24)
Dihet dhe duhet të vërejmë këtu, se antikët i kishin studiuar disa veti që vëreheshin tek sferat dhe kjo do të thoshte se konceptet e koordinatave gjeografike, ndryshonin edhe në vartësi të lëvizjes rrotullimit, pozicionit etj. Tek sfera, një perendim ka një perendim tjetër dhe për vehte bëhet lindje e anasjelltas siç edhe tek jug-veri dhe kjo ide tek dijetarët e në mitologji ka ekzistuar.
Por, duhet pranuar se Kurani ka sjellur edhe vertetime, garantime e magazinime të arritjeve të jashtzakonshme të vetë popujve arabë, siç duket se ishte edhe kuptimi tjetër se globi ka dy lindje dhe perendime diellore e hënore në të dy hemisferat.
E Premte, 16 Nentor 2007, Gazeta Ndryshe