Sejdiu: Sot është një ditë e bekueme për Republikën e Kosovës

0
25

Prishtinë, 22 korrrik 2010 – Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Fatmir Sejdiu, mendimin e publikuar të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e ligjshme të pavarësisë së Kosovës, e vlerësoi si “edhe një ditë të bekueme për Republikën e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj”! “Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës e mirëpresin dhe e çmojnë shumë lart urtësinë e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ky mendim eksplicit iu përgjigj pozitivisht çdo pike të ngritur në favor të vendimeve që ka marrë Kosova”, theksoi Presidenti në një deklaratë para mediave, menjehrë pasi u njoftua verdikti i GJND-së. Ky mendim, vijoi Presidenti Sejdiu, rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës ka qenë vendim në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe në të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje.

“Mendimi i sotëm i GJND së i ka konfirmuar qartë argumentet e fuqishme dhe të parrëzueshme që ka paraqitur Kosova dhe të gjithë mbështetësit e pavarësisë së saj nga e mbarë bota demokratike, tha Sejdiu, duke nënvizuar se “ky mendim përfundimisht i heq të gjitha dilemat që mund t’i kenë pasur vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës”. Me këtë rast Presidenti i Kosovës u bëri thirrje sërish këtyre vendeve që të marrin sa më parë vendimet e tyre për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

“Pra, siç shihet edhe nga ky mendim i GJND së Kosova nuk paraqet rast precedent për asnjë rast tjetër në botë”. Më tej Sejdiu vlerësoi se “mendimi i sotëm i GJND së paraqet një vlerë të veçantë të së drejtës ndërkombëtare, e cila e njeh të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë dhe të pavarur”, dhe se “hap udhë për progresin e mëtejmë të Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

“Republika e Kosovës është thellësisht e përkushtuar që të jetë edhe më tej partner dhe kontribues i qenësishëm për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha vendet fqinje dhe ato të rajonit”. Presidenti theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për zbatimin e plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari në tërë vendin dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie.

Presidenti Sejdiu me këtë rast ftoi Republikën e Serbisë që t’i bashkëngjitet vizionit të përgjithshëm të shteteve të rajonit për një të ardhme më të ndritshme dhe për integrim sa më të shpejtë euroatlantik. Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë, tha ai, duke qenë në fqinjësi të parë, duhet të punojnë për krijimin e një fryme të re të bashkëpunimit në interes të mirëqenies dhe perspektivës së qytetarëve të të dyja shteteve sovrane.

“Republika e Kosovës rithekson se vizioni ynë i vetëm është integrimi i saj i shpejtë në BE, në NATO dhe në vetë OKB. Presidenti Sejdiu tha se, duke vlerësuar se Kosova është një rrëfim suksesi i një investimi të madh ndërkombëtar, Republika e Kosovës shpreh sërish falënderimin e saj të thellë për të gjitha vendet që e kanë mbështetur Kosovën në udhën e saj të lirisë dhe të pavarësisë, në procesin e njohjes së saj në botë, si dhe për mbështetjen e dhënë në GjND”.

Presidenti Sejdiu po ashtu falënderoi për rolin e veçantë që kanë luajtur dhe mbështetjen e dhënë, SHBA të, vendet e BE së, si dhe të gjitha vendet e tjera të botës demokratike. Po kështu falënderojmë NATO-n për rolin unikat që ka pasur dhe ka për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Në veçanti, ai falënderoi vendet fqinje dhe ato të rajonit për rolin e madh mbështetës për të gjitha zhvillimet pozitive që ka pasur dhe ka Kosova. Gjithashtu, Presidenti Sejdiu falënderoi tërë ekipin e Kosovës që ka përfaqësuar në mënyrë të dinjitetshme para kësaj kësaj gjykate të lartë të së drejtës ndërkombëtare.