Sejdiu: Rugova – figura më e madhe politike e historisë moderne të Kosovës

0
32

Prishtinë, 21 janar 2010

– Në përvjetorin e kartërt të ndarjes nga jeta, sot në Prishtinë në Sallën e Kuqe të Pallaitit të Rinisë, u mbajt një akademi përkujtimore për Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Merrnin pjesë zyrtarë të lartë vendorë, përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në vendin tonë, diplomatë të huaj, përfaqësues të FSK dhe të Policisë Kosovës, familja Rugova e ngushtë etj. Presidenti i Republikës Dr. Fatmir Sejdiu, duke folur në këtë akademi, nën përkujdesin e të cilit u mbajt ajo, tha se sot është katërvjetori i “shkuarjes në amshim të burrështetasit të parë të Kosovës, Presidentit historik Ibrahim Rugova”.

“Ne jemi mbledhur kështu së bashku për t’i shprehur jetës dhe veprës së tij kolosale nderimet tona më të larta, për t’i shprehur Atij falënderimin për punën e jashtëzakonshme që ka bërë Ai për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit tonë, Kosovës së dashur”. Presidenti Sejdiu kujtoi se katër vjet më parë, populli dhe institucionet e Kosovës, mbetën pa Prijësin që kishte prirë me urtësi e me largpamësi në etapën më të vështirë që kaloi jo vetëm vendi ynë, po i gjithë rajoni.

“Janari i vitit 2006 sigurisht ka qenë ndër më të acartët në Kosovë. Por, as moti skajshmërisht i ftohtë, as temperaturat konstante 15 celsius nën zero nuk i ndalën dot qytetarët e mbarë Kosovës për ta rishprehur adhurimin për Presidentin Rugova”, tha Presidenti Sejdiu dhe theksoi se “asnjëherë më parë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur që i gjithë populli, i madh e i vogël, të kishte vetëm një cak – Kuvendin e Kosovës, aty ku i bëheshin nderimet e fundit Presidentit Rugova”. Ajo javë, vijoi ai, do të mbahet mend si “java e Besëlidhjes së Re të popullit të Kosovës me veprën e Presidentit Rugova”.

“Besëlidhja e Parë, e pathyer asnjëherë, ishte lidhur qëkur Ai ishte vënë në krye të subjektit të parë politik demokratik në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila me kohë u shndërrua në një lëvizje të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci”. Po ashtu Presidenti Sejdiu rikujtoi se nga mbarë bota vinin “ngushëllimet dhe vlerësimet me konsideratat më të larta për figurën brilante intelektuale, humaniste e politike të Ibrahim Rugovës”. Në vijim të fjalës së tij, Presidenti Sejdiu tha se po bëhen dy vjet që vizioni i Presidentit Rugova për Kosovën shtet sovran, të lirë e demokratik është bërë realitet dhe se Republika e Kosovës është njohur nga 65 vende demokratike anekënd botës dhe po punohet me tërë përkushtimin që ky numër të shtohet.

Me këtë rast ai vlerësoi se procesi i njohjes së Kosovës është me rëndësi jetike, ndërsa këtë e kanë kuptuar drejt edhe miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesa dërrmuese e vendeve të Bashkimit Evropian dhe vende të tjera. Po ashtu, tha ai, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë shumë vende e mbështetën legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës dhe të drejtën e popullit të saj për të jetuar i lirë, duke shtruar argumente të bollshme dhe të parrëzueshme në favor të Kosovës. Njehëresh Sejdiu vlerësoi se Republika e Kosovës, gjatë këtij dyvjetëshi të shtetësisë së saj, ka dëshmuar se është e zonja të jetojë e pavarur dhe të sigurojë shkallë të admirueshme të demokracisë në vend, të garantojë dhe të sigurojë të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore e individuale për secilin qytetar të sajin pa dallim kombi e besimi.

Ndërkaq, duke folur për politikën e fqinjësisë së mirë, Presidenti Sejdiu tha se Kosova është dëshmuar si një faktor i rëndësishëm i paqes, i stabilitetit dhe i së ardhmes së përbashkët evropiane të rajonit dhe se vendi ynë ka “raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet fqinje, me përjashtim të Serbisë, të cilën e akuzoi se “po e vazhdon politikën e saj destruktive kundrejt Kosovës”. Ai u bëri thirrje sërish autoriteteve të Beogradit që të “heqin dorë nga mendësia e vjetër e dominimit mbi të tjerët dhe t’i hapin udhë perspektivës më të ndritshme të popujve tanë”. Duke folur për figurën e njeriut të letrave, në vazhdim të fjalës së tij Presidenti Sejdiu tha se Dr. Rugoava krijoi “një model politik, me parabazë humanitetin e thellë, fillin nacional të ideve dhe me kërkesë bosht – pavarësinë e Kosovës”. Ndërsa si studiues ai kapërceu nga Poetika në Politikë, që “nënkupton kalimin nga fusha e ideve në atë të veprimit”.

“Nga poezia, nga kritika e studimi letrar, ku me bashkëmendimtarët e me bashkëkohësit e tij krijoi Shkollën e Prishtinës, e cila dekada me radhë u dha dhe po u jep ende vulën e saj meritore studimeve në fushë të dijeve albanologjike, Ibrahim Rugova kaloi në arenën e veprimit politik, në të cilën, po kështu, u shqua si emër prijatar e plotësisht i veçantë”, tha Sejdiu, duke shtuar se “në fushën e studimeve albanologjike Rugovën e bënin të veçantë qasjet e tij krejtësisht të reja dhe jokonformiste të mbrujtura nga thellësia e dijeve shkencore, të cilat ai i përsosi edhe me përvojën e mësimeve të fituara nga Rolan Barti”. Në fund të fjalës së tij, Presidenti Sejdiu rikujtoi se “Rugova është cilësuar arkitekt dhe ikonë e pavarësisë së Kosovës, shenjë me të cilën identifikohet shteti më i ri në botë – Republika e Kosovës”.

“Ibrahim Rugova, krijues i një modeli kulturor në Kosovë, u bë fuqishëm figura më e madhe politike e historisë moderne të Kosovës. Identifikimi me të, prandaj, paraqet vlerë! Këtë vlerë ne do ta mbrojmë dhe do ta kultivojmë me përkushtim, me dije dhe me dashuri të paskajshme. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë ne të gjithë, për një njeri që e solli koha për t’i prirë Kosovës, për një njeri që në Kosovë bëri epokë, bëri kohën e vet”, nënvizoi Presidenti Fatmir Sejdiu në fjalën e tij. Në fund të kësaj akademie orkestri i Filharmonisë së Kosovës ekzekutoi një program të zgjedhur artistik nga veprat e muzikës klasike, ndërsa violonistja e shquar Sihana Badivuku ekzekutoi “Legend Op,17” të H. Vienaivskit dhe Besa Llugiqi këndoi nga C. Franck, “Panis Angelicus”, nën dirigjimin e Baki Jasharit