ResPublica.al, 3 shkurt 2013
Sami Repishti shkruan te Panorama mbi Presidentin Willson (të cilit iu ngrit një bust me urgjencë, sa “me e pa zonja Klinton”) duke sjellë të përmbledhura ato që Presidenti Amerikan pati bërë për Shqipërinë në ato kohërat e vështira kur Shqipërinë donin ta copëtonin.
“Në Kathedralen e Shën Gjergjit, Boston (ose Kathedralen e Nolit, siç e quejmë ne) kam pa pleqtë e bashkësisë sonë që luteshin para fotografisë së Presidentit Wilson me të njëjtin devocion si para ikonës së Shën Gjergjit, shenjt patron i shqiptarëve. Kështu jemi edukue ne!” kujton Repishti.
Ai e konsideron thuajse të harruar figurën e Willson, a thua ngase ishte i lidhur ngushtë me Nolin? “Me këtë respekt pothuejse religjoz që shqiptarët e Amerikës kanë për Presidentin Wilson, me keqardhje kemi vrejtë se në festimet për 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar në Shqipëri, emni dhe vepra e Presidentit Wilson nuk u paraqit në veprimtaritë që respektuen figurat e mëdha të miqëve të vendit tonë. Kjo na tronditi, sepse për shqiptaro-amerikanët, Presidenti Wilson ka qenë shtyllë solide e ndërtesës së Pavarësisë së Shqipërisë. A ka mundësi që kjo figurë madhore ashtë “harrue” sepse ishte e lidhun ngushtësisht me peshkop Fan S. Nolin të anashkaluem paturpsisht?” shkruan Repishti.
Pasi kujton se Willson i pati thënë Nolit: “Unë do të kem vetëm nji zë në Konferencën e Paqes në Paris, dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë” Repishti rikujton momentet e tjera kur ky President i madh mbrojti shqiptarët, për ta mbyllur shkrimin me fjalët:
“Nji shtet i qëndrueshëm nuk ndërtohet mbi boshllëk, as nuk harron të kaluemen e tij qofte ajo e lavdishme, ose jo! Nji shoqëni e qytetnueme respekton figurat kryesore që e kanë krijue ose forcue. Fatkeqsisht, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, kemi përjetue shumë folklore e “politikë” mjerane, dhe pak histori!
Kjo ashtë nji gjendje e vajtueshme! Ashtu si shumë shqiptaro-amerikanë, edhe unë kam mbetë i shgënjyem dhe i ofenduem.”
k.c.