Sami Repishti flet për grevën: Shoqëria shqiptare po tregon dobësinë e saj morale (VIDEO)

0
82

TemA Online, 10 Tetor 2012

Një nga disidentët më të njohur të regjimit komunist në Shqipëri, prof. Sami Repishti, që jeton në SHBA, ka kritikuar sot ashpër presidentin e Republikës, kryeministrin, kryetaren e Kuvendit dhe Ministrinë e Financave për qëndrimin që kanë mbajtur ndaj grevës së ish të persekutuarve politikë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Repishti tha se “në qoftë se disa ish të persekutuem protestojnë, kjo tregon se ekstremi i zhgënjimit të tyne nga sistemi asht i plotë”.

“Pushteti nuk po dëgjon sepse nuk kupton heshtjen e randë të krimit që bahet ndaj ish të burgosunve, ish të persekutuemve.

Presidenti bani nji deklaratë jo dinjitoze dhe thotë se duhet nji dialog, por unë nuk mund të përfshihem. Kush mund të përfshihet në qoftë se presidenti nuk mund të përfshihet?

Kryeministri hesht sepse nuk ka ç’të thotë përveç sharjeve.

Kryetarja e Parlamentit ka la duart si Ponc Pilati, “unë nuk kam gja për të thanë” thotë, edhe vjen nga familje e persekutueme.

Të gjithë ata që kanë sakrifikuar për Shqipërinë janë për t’u respektuar jo vetëm tani, por edhe nga gjeneracionet e ardhshme, sepse kështu ndërtohet shoqëria, kështu ndërtohet kompaktësia e nji kombi. Shoqnia shqiptare po tregon dobësinë e saj morale për mendimin tim, ajo mban nji heshtje, nji heshtje që vret, ajo tregon nji indiferencë që ofendon.

Unë e dëgjova deklaratën e Ministrisë së Financave, për mendimin tim asht nji paturpsi, ka 22 vjet që ka filluar tranzicioni demokratik në Shqipni, atyre asht caktuar që shpërblimi t’u jepet për çdo vjet 1/8 e sasisë, deri tani për 22 vjet ata kanë marrë vetëm nji kist, janë shumë të paktë ata që kanë marrë kistin e dytë.

Si mund të justifikohe qeveria se ka mbajtë premtimin kur atyne nuk u ka dhanë shtatë kistet, u ka dhanë vetëm nji. Kjo asht nji manovër e padrejtë, çështja e buxhetit është diçka që është rregulluar ma përpara, nuk asht diçka që e ka gjetë qeverinë të papregatitur, ose qeveria i ka konsumue paratë e burgosurve për probleme tjera, ose qeveria eshtë krejtsisht e papërgjegjshme dhe nuk dëshiron që t’ua paguej atyre”.