Salla e OKB bosh kur foli Berisha. CNN Berishës: Pse doni të hyni në BE, jeni mirë jashtë saj

0
51

Shekulli, 28.09.2011

Kryeministri Sali Berisha foli për më shumë se 30 minuta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse rregullorja e kërkon që të flasësh 15 minuta, Berisha foli sa dyfishin e kësaj kohe. Dhe per me shume, fjalimi eshte mbajtur në një sallë të boshatisur, sic edhe tregon qarte kjo foto qe me zor i ka shpetuar censures se forte qeveritare.

Nderkohe kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në Nju Jork me rastin e samitit të OKB-së, ka dhënë edhe një intervistë për CNN, e cila është transmetuar vetëm dje. Gjatë kësaj interviste, e cila nuk është zbardhur e plotë nga Kryeministria, CNN e ka pyetur kryeministrin Berisha përse kërkon që ta fusë Shqipërinë në BE, kur vendet e kësaj të fundit janë në krizë, ndërsa ekonomia shqiptare është e shëndetshme?

Ja një pjesë e shkurtër e intervistës:

CNN: Kriza ekonomike nuk është vetëm një betejë e Greqisë. 750 mijë emigrantët shqiptarë në vend, po u dërgojnë familjeve të tyre më pak para dhe shumë prej tyre po kthehen në shtëpi. Remitancat janë të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Në vitin 2009 përbënin 9 përqind të GDP. Rritja ekonomike është tkurrur nga rreth 6 përqind përpara krizës ekonomike të vitit 2008, në 3.5 përqind këtë vit, por duke e krahasuar atë me atë të Bashkimit Europian, që është vetëm 0.2 përqind, tremujorin e kaluar, gjërat nuk duken keq. Pse Shqipëria akoma kaq e etur për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, në një rrëmujë të tillë. Këtë pyetje ia bëra më herët Kryeministrit Berisha.

Kryeministri Berisha: Unë mbetem i fokusuar dhe integrimi në Bashkimin Europian është dhe do të mbetet projekti i prioritetit më të lartë i vendit tim. Ne do të bëjmë më të mirën për të arritur çfarë kërkohet: standarde, norma, praktika, për ta merituar atë. Unë e konsideroj një proces plotësisht të bazuar në meritë.

CNN: Por përse do të donte Shqipëria të ishte pjesë e një hapësire ekonomike që aktualisht është në një fazë shumë të rrezikshme, siç e përshkruan FMN. Ne mund të përballemi me një dekadë me rritje ekonomike të humbur. Pse do të donte Shqipëria të ishte pjesë e saj?

Kryeministri Berisha: Është e vërtetë që është një krizë serioze, por kam besimin e thellë se kombet europiane kanë të gjithë potencialet për ta kaluar atë dhe Shqipëria nuk ka asnjë arsye për të ngadalësuar përpjekjet e saj për integrimin europian, për shkak të kësaj krize. Unë besoj se Euro, pavarësisht vështirësive momentale, do të vazhdojë dhe do të mbahet ndoshta si një nga trashëgimitë më të mira të Europës, të të gjitha kohërave.

Berisha: Problemi i Shqipërisë është opozita

Nga Nju Jorku, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Sali Berisha është shprehur se Shqipëria ka një problem të njohur botërisht. Sipas tij, problemi ka të bëjë me bllokimin nga ana e opozitës për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar për miratim në parlament.

Shqipëria ka suksese të padiskutueshme në fushat ekonomike, sociale e të tjera, si dhe rezultate të lakmueshme të reformave. Natyrisht, Shqipëria ka një problem, tani që është bërë botërisht i njohur, që qëndron në faktin se opozita nuk do të votojë, por do ta përdorë dhe e ka përdorur pushtetin e vet për të bllokuar”, tha ai.

Berisha shtoi se tani PS është shprehur se do të angazhohet në reformën zgjedhore por tha ai, nga ana tjetër “ka shpallur se nuk do të votojë ligjet me 3/5 dhe ka vendosur një seri kushtesh e ultimatumesh”, e gjitha përfundoi ai “kanë qëllim të justifikojnë qëndrimin e mëtejshëm bllokues”.