Saliu dhe Liria, tamam si Gani dhe Shemsie Kadria

0
80

Nga Kledian Lula, 2 Dhjetor 2011
kledianlula@ymail.com

Familja kryeministrore “BERISHA”, po konfirmon qartë e përfundimisht bindjen e saj se paratë që mblidhen rrugëve në emër fondacionesh fantazma “janë të pastra”. Këtë bindje, kishte SALIU edhe gjatë viteve 1992-1997, kur “berishët” ishin “familje presidenciale” dhe “bekuan” me dekret bankar e qeveritar ngritjen dhe veprimtarinë e firmave piramidale, që u zhvatën shqiptarëve edhe… brekët.

Në ato vite, kur paratë mblidheshin me “fadromë”, ish-president SALIU u bënte thirrje shqiptarëve të mos mbanin asnjë qindarkë në shtëpi, por t’i çonin tek banka “SUDE”. Vetëm 8 vite pas epokës “SUDE”, menjëherë pas ardhjes në pushtet të SALIUT, në Shqipëri lindi një “piramidë” e re financiare, por që këtë herën ka si “krye-bankiere” LIRI BERISHËN, bashkëshorten e kryeministrit SALI.

Saliu dhe Liria zhvatje me fondacion, tamam si Gani dhe Shemsie Kadria

Prej 6 vitesh, “Nënë-madhja kryeministrore” Liri Berisha, ka dalë në ofensivë e po vazhdon të mbledh miliona euro, lekë, dollarë, franga, sterlina, madje dhe objekte floriri nga donatorë-bizneset shqiptare e të huaja, duke “u lutur për humanizëm”, nën tabelën dhe propagandën e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”. Ditën e enjte, në një sallë luksi, “Nënë-Madhja LIRI”, ose më saktë pronarja e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, organizoi aktivitetin e radhës për… mbledhje lekësh.

Një president firme në Tiranë, i cili ka paguar deri tani 5 herë “gjobë humanizmi” dorazi për “fëmijët shqiptarë” tek llogaria e Liri Berishës, më tregoi mënyrën se si funksion dhe vepron fondacioni i “Nënë-Madhes” së familjes kryeministrore shqiptare. Skema është kjo: Familja kryeministrore disponon listën e gjithë bizneseve “VIP”, vendase e të huaja që veprojnë në Shqipëri, ose në ortakëri edhe jashtë Shqipërisë. Po kështu, ka gjithë listën me emrat e bizneseve, që kanë probleme ligjore e financiare me qeverinë e ligjin. Ka gjithë adresat, emrat dhe telefonat e “bosëve” të firmave, të cilat ia jep kupola e QKR dhe e drejtorisë së Tatim-Taksave. Bizneset shqiptare që duhet të paguajnë “gjobë” mujore, tre mujore, 6 mujore, ose vjetore tek llogaria e familjes kryeministrore “për fëmijët shqiptarë”, piketohen nga familja “SALI”.

Lista e “viktimave” të piketuara për t’u zhvatur dërgohet tek kupola e Drejtorisë Qendrore së Tatim-Taksave e cila varet nga ministria e krye-paramidalit BODE. Këtu nis operacioni me presione ndaj “viktimave”. Prej këtu, bëhet lista me emrat përkatës, të cilëve u caktohet radha, dita e pagesës dhe vlera e “gjobës humanitare”. Mandej, “viktimat” njoftohen me pusullë dore, nga “sekserët” e fondacion-familjes kryeministrore “SALI”, nëpërmjet një “kupon-takse” me emërtesën: “FTESË PËR HUMANIZËM”, me tekstin: Për Fëmijët Shqiptarë, Me dashuri e mirënjohje Liri Berisha dhe fëmijët shqiptarë”.

Pas kësaj, firmat që e mësojnë se kush e ka pronë këtë “fondacion bamirësie”, heqin lekët e fëmijëve të tyre dhe ia japin “fëmijëve shqiptarë” të… Liri Berishës. Pasi lista e biznesmenë-viktimave ka dorëzuar “me dëshirë” plikot e milionave të paracaktuara në zyrat e fondacionit, pronarja e fondacionit familjar-kryeministror “Nënë-madhja” LIRI BERISHA, porosit TVSH-SALIUN dhe televizionet e pushtetit, për të përgatitur dhe publikuar kronikën shabllone për “aktivitetin humanitar”.

Ajo flet me “dashuri për fëmijët” në nevojë dhe buzëqesh, duke pozuar me biznesmenët që kanë paguar “gjobat”, madje duke i nxjerr ata në ekrane e fotografi dhe me bashkëshortin e saj, kryeministrin SALI, i cili është përherë prezent në këto akte “bamirësie”, ndoshta për të parë, se sa miliona “hidhen” për “lumturinë e fëmijëve shqiptarë”. Kjo prezencë e çiftit kryeministror në këto “spektakle milionash”, na krijon përshtypjen, se SALIU dhe LIRIA, me fondacionin “Fëmijët Shqiptarë”, po veprojnë tamam si GANI dhe SHEMSIE KADRIA me ish-fondacionin “GJALLICA”, që zhvatnin miliona dollarë, por edhe bënin ndonjë bamirësi…

LIRIA mbledh miliona për “fëmijët shqiptarë”, por i çon tek fëmijët e saj

Një fakt: Biznesmeni 5 herë “viktimë”, më konfirmoi se për “gjobën bamirësi” që ka paguar tek gruaja e kryeministrit Sali Berisha, disponon vetëm 5 mandat pagesa si faturat e SUDES e XHAFERRIT, ku shkruhet vlera, emërtesa “Fondacioni Fëmijët Shqiptarë” dhe një vulë e një firmë poshtë emrit “LIRI BERISHA”. Me këtë skemë listash e “gjobash humanitare” të piketuara ndaj bizneseve, u organizua nga familja kryeministrore dhe “balloja humanitare” e ditës së enjte, ku çdo “viktimë” pagoi nga 6000 euro “gjobë humanitare për “fëmijët shqiptarë” të… Liri Berishës.

Në këtë ballo, familja kryeministrore kishte sjellë 110 çifte biznesmenësh për të “kërcyer” me tufa eurosh në duar. Sipas vlerës së biletës prej 6000 euro, në 22 tavolinat e “ballos humanitare” të familjes kryeministrore u “hodhën” 660 mijë euro, pa llogaritur milionat e mbledhura (të pa deklaruara) nga shitjet private me ankand në këtë ballo-financiare, të disa pikturave ish-pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Deri sot që flasim, megjithëse kanë kaluar 72 orë nga balloja ku “kërcyen” financiarisht biznesmenët shqiptarë e të huaj, nga 660 mijë eurot që mblodhi “Nënë-madhja” LIRI BERISHA”, nuk rezulton të jetë arkëtuar asnjë qindarkë në llogarinë e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” në “Credis Bank”. Po ku shkojnë këto miliona euro, lekë e dollarë që u zhvaten bizneseve me listë presionesh e gjobash pushteti? Natyrisht në xhepin e pushtet-familjes dhe të klaneve “SALI”.

Këto nisen për fëmijët shqiptarë në nevojë ekonomike e shëndetësore, por përfundojnë aty ku përfundojnë gjithë milionat e tenderave, të koncensioneve, të lobingjeve të pista, të ryshfeteve, të aferave me trojet, tokat, plazhet, gjyqet e krimeve dhe pasurive, me minierat, naftën, energjinë, librat, ilaçet, rrugët, shkollat, privatizimet e deri tek vjedhjet me tenderat për supën e çerdheve dhe klorin e ujit. Deri sot, sipas “bllokut të pagesave në dorë” dhe llogarisë bankare “Për fëmijët shqiptarë”, fondacioni i familjes “SALI” ka grumbulluar 38 milionë euro dhe 9.3 milion dollarë, duke u shfaqur ekraneve në emër të këtij fondacioni të maskuar pas “humanizmit”.

Pa llogaritur këtu donacionet e qindra firmave vendase e të huaja në klering me veshje, produkte ushqimore, pajisje lëvizëse invalidësh, kompjutera, televizorë, frigoriferë, soba, pagesa bursash studimore, kurimesh e operacionesh mjekësore, pushime verore e dimërore, pajisje arsimore e kulturore, ndihma me medikamente e pajisje spitalore, madje dhe me apartamente banimi. Kujtojmë, që afro 15 ditë më parë, Liri Berisha, njoftoi publikisht bizneset, se po “mblidhen lekë në emër të saj”,duke i kujtuar ata, që çdo financim ta arkëtonin tek zyrat e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”.

Ne nuk e dimë saktësisht se sa miliona ka përdorur Liri Berisha nga fondet e mbledhura për “Fëmijët shqiptarë”, por 300 çanta shkolle, 200 palë, libra, 1500 tollumbace, 1500 fishekzjarrë, 150 sanduiçë, 5000 qofte, 1.5 ton oriz, sheqer e vaj, 6 komplete pune infermieresh, një kompjuter laptop që iu dhurua maturantes që shau jetimët e të vrarëve të 21 janarit dhe 12 thasë me rrobe “GABI” që u shpërndanë për fëmijët e Gërdecit, nuk besojmë se kushtojnë 38 milionë euro e 9.3 milionë dollarë!

Sipas llogarive të bëra, rezulton se “Nënë-madhja” LIRI, mbledh miliona për “fëmijët shqiptarë”, por i çon tek fëmijët e saj. Nëse thotë “JO”, po qe se i ka “duart të pastra” si qeveria e bashkëshortit të saj, le të publikojë listën me emrat dhe vlerat e “bamirësive” që ka grumbulluar këto vite nga bizneset…