SALI, NUK MUND TË JESH, NUK DO TË JESH

0
35

ARTAN MULLAJ, 20 Qershor 2013

Disa ditë më parë, “Zona e Lirë” e Arjan Çanit na afroi thuajse djallëzisht një fytyrë të montuar të Berishës. Ne pamë një njeri të marrë peng nga nevoja për t’u dukur në ekran si një frymor i zakonshëm. Mund të themi se nuk ishte e vështirë të kuptohej regjisura e sforcuar dhe kujdesi publicitar për të shitur në publik imazhin e një politikani në paqe të plotë me rrudhat dhe modestinë, si imazhin e një gjallese. Me këtë shitje, duket se “Zona e Lirë” kishte projektuar njëherësh t’i bënte jehonë pikërisht jehonës në shuarje të Kryeministrit shqiptar. Që e bëri këtë gjë me pandershmërinë që jep liria e ndotur dhe e tepruar e një zone marketingu të politizuar, siç është ky emision, kjo gjë është e qartë si e qartë është mbështetja e Çanit dhe e “Klanit” për fushatën pa fushatë të qeverisë dhe nuk lë vend për dyshime.

Njëlloj i qartë është edhe përfundimi: Saliu u shit! U shit në emisionin e Çanit, si shitet një dhi plakë në pazar, që më parë i kanë bërë banjë në kroin e malit dhe krehur, për t’u dukur e re dhe e pastër. I pastër edhe i qeshur dukej edhe Saliu, mes këngëtarëve të Partisë në emision; i pafajshëm, i urtë dhe engjëllor Saliu, e zezë dhe qimeshkëlqyer, pa dhjamë, pa brirë, me gjinj të mëdhenj, edhe pse të tharë dhe shteruar, dhia plakë. Të shesësh diçka që nuk vlen, si mishi që nuk zien, kjo është puna mbi të gjitha punët! Në emisionin kushtuar Berishës, Çani u qas të sharrojë një lis 100-vjeçar me briskun e rrojës.

U duk qartë kjo gjë, si një gërvishtje, ashtu si ra në sy heqja dorë e tij për ta shitur këtë herë si një shenjtor Kryeministrin, që as murg s’mund të jetë: moderatori i “Zonës së Lirë” mund të ketë kaluar shumë kufij të normalitetit dhe etikës, por nuk është aq idiot sa të mos e kuptojë që Kryeministri ka një kryq shumë të madh mëkatesh në shpinë për të qenë i tillë. Ndaj e la kryqin e tij pas perdes së ekranit. Por kjo nuk e shmangu dhembshurinë servile të Çanit për ta nxjerrë “dhembshurinë” veriore të Berishës doemos në ankand. Dhe ja doli. Dhe ç’na doli? Një gjysh babaxhan e shpirttrazuar në perspektivë, që lexon shumë, që ka kujtesë të fortë, iPad, familje të madhe, që ka një shtëpi, por që është i varfër si ipeshkvi, të cilit Zhan Valzhani i Hygoit i vodhi shandanët.

Të dielën e shkuar, pak ditë para zgjedhjeve, Kryeministri inauguroi tunelin e Elbasanit. Vepër e rëndësishme për të mos qenë një ortek elektoral në vëmendje. Preu një shirit me një kujdes përrallor, a thua po priste një copë mishi nga trupi i tij, dhe mallëngjeu më shumë veten se të tjerët me një fjalim që nuk ia doli ta bëjë turmën të harrojë se ky tunel, më shumë se i tillë, më shumë se një rrugë, është një borxh më shumë për fëmijët borxhlinj të këtij vendi, që kanë si një vrimë të zezë fatin e tyre.

Të dielat e tjera, të shtunat, çdo ditë të fushatës, njerëzit e Berishës, me po atë maskë që Çani i pat vënë shefit të tij dhe shefit të tyre në fytyrë, ose shpesh edhe pa maskë fare, janë sulur të hapnin edhe ata tunele virtuale në perceptimin e votuesve, për të fituar votën e tyre. Shteti është katandisur si prostituta në plazhin “nudo”, që nuk shkon për të nxirë edhe pjesën e bardhë te vithet dhe gjinjtë, por shkon për të gjetur klientë duke joshur. Njëlloj shteti imoral i Berishës po nxin fytyrën në fushatë, duke joshur kurvërisht votuesit, për të rrëmbyer votat e tyre. Ç’po ndodh në Tiranë? Një turp institucional i paparë, i drejtuar nga kokat pa supe të kryebashkiakut dhe Kryeministrit.

Tirana është kthyer sakaq në një kantier ndërtimi, ndërsa vetë kryetari karafil i Bashkisë është kujdesur t’u jepet rrugë e lirë ndërtimeve pa leje në çdo kënd në shkëmbim të votave për Partinë Demokratike. As në kohën e Enverit nuk ka ndodhur një njëjësim i tillë i shtetit me Partinë, apo i Partisë me mercenarë. Asnjëherë shteti nuk është njëjësuar kaq qartë me pushtetin. Dhe rezultati, synimi, shndërrohet sakaq në materie. Është si një energji e keqe, nderur në atmosferë, që prek. Që bën presion. Që poshtëron lirinë e njerëzve për të zgjedhur e dhënë pushtet. Ministrat milionerë paguajnë kamionë me ushqime për të ushqyer injorancën dhe mjerimin e votuesve të verbër që shesin fatin e fëmijëve për një thes miell, krunde a trahan.

Drejtorët që kanë më shumë yndyrë se gjak në damarë, shtriganë e injorantë, vijnë si xhindër rrugicave me shkopin e rrufeve gati të ndëshkojnë çdo të pabindur të administratës së sëmurë të Saliut, nëse këta nuk i shumëfishojnë votat në favor të pushtetit që u jep rroga dhe i mban në punë. Mësues militantë, që s’dinë mirë të lexojnë detyrat e nxënësve në shkolla, mbajnë peng nxënësit në provime, me rezultate që varen jo nga dijet e tyre, por nga premtimi i prindërve për votën që duhet t’i japin PD-së. E kështu, në çdo cep të ndërgjegjes kolektive, Saliu ka hyrë me gjithë mercenarët e tij për të bërë terror elektoral ndaj atyre që nuk e votojnë maskën bastarde që kompozoi turpshëm Çani në “Zonën e Lirë”, me gjithë këngëtarët lëpirës në panel.

Por, Sali, nuk mund të jesh. Çani dhe çanët dhe çamët nuk mund të të mbajnë më në pushtet: ti nuk je në një garë, por je në një sfidë; ti nuk ke më përballë popullin tënd, që e ke shkelur me këmbë, por ke përballë kohën, logjikën civile, sensin real të zhvillimit. Me kohën, me pulsimin e saj, askush nuk mund ta vërë. I ke shpuar zemrat ashtu si tuneli i Elbasanit ka shpuar malin e Kërrabës, por nuk mund t’u marrësh shqiptarëve lirinë. Ti nuk ke përballë kohën tënde; askush nuk ka kohë të merret me pendimin apo perëndimin tënd; ti ke përballë kohën e shkuar dëm shqiptarëve, për shkakun tënd, sa kohë ti ke qenë ngarkuar ta menaxhosh atë. Ke përballë mëkatet e tua, kryqin tënd, bërë e krijuar në këtë kohë. Janë shumë.

Gjithfarë ke bërë, nuk i kanë sjellë vetëm të këqija popullit tënd, mbërthyer si gozhdë larg në të shkuarën. Ti i ke sjellë përgjithmonë dëshpërimin, dhimbjen, mjerimin. E ke shtyrë këtë vend buzë një gremine, nga e cila as perëndia nuk mund ta nxjerrë me gjithë ushtrinë e shenjtorëve, të cilët edhe ata i ke tmerruar, të rrinë larg. Nuk është se thjesht ti ke vjedhur bashkë me të tutë votat dhe palcën e pasurisë së brishtë të kësaj shoqërie, të cilën edhe e ke vrarë. Ti ke vrarë shpirtin e shqiptarëve, duke u shuar atyre besimin. I ke shuar shpresën, duke u prishur ëndrrat. I ke mbajtur me thonj në të shkuarën, për shkak se nuk mund ta pranosh dhe durosh të ardhmen e tyre, që do të jetë ndryshe. Do të jetë e lirë. Do të jetë pa ty!

Sali, nuk mund të jesh, nuk do të jesh!