Rezart Palluqi, 17.12.2009
Zoti Berisha dhe ministër i financave!
Dje ne mbledhje qeverie pranuat se kemi veshtiresi nga kriza. Kriza s’shpallet kur arkat janë boshatisur! Deri dje, u krekosët para popullit se ekonomia jonë është e patkurrshme ndaj krizës botërore.
Euforia juaj na dha përshtypjen se ne po përjetojmë zhvillimin ekonomik të evropës të viteve 60-70, ose atë të Kinës së sotme.
Në thelb Shqipëria është vend me hapësire të madhe zhvillimi, çka do të thotë se faza e zhvillimit të saj mund të krahasohet me atë të Kinës apo vendeve në zhvillimin e mesëm.
Por në rastin tonë, realiteti po dëshmon të kundërtën.
Ju duhej te ishit te paret, por fatkeqesisht jeni te fundit qe e pranuat që kriza po endet nëpër këmbët tona.
Ju krizën duhet ta kishit shapllur shumë më herët, jo për të trembur njerëzit, frenuar investimet e reja, por për të ndërgjegjësuar tregun dhe drejtuesit e saj. Kjo eshte DETYRE e juaja.
Tani që tenxheret janë bosh ju ndizni sirenat e alarmit të krizës, ndërkohë që vendet evropiane, të cilat edhe pse ia kanë arkat gjysmë të mbushura e pranuan krizën një vit më parë.
Zoti Berisha! Na ruajtë zoti prej jush. E them këtë sepse dega e ekonomisë është lënda ku ju merrni një zero me xhufkë. Më bëtë të mendoj rreth fqinjit tim mësues, i cili gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 1996 s’arkëtoi as edhe një rrogë mujore,
sepse e dini ju… edhe atëherë arkat e shtetit ishin bosh.
Atëherë, arsyeja kryesore ishte se populli i zbrazi arkat e shtetit dhe mbushi thasët e piramidave…
Po sot kush i zbrazi arkat? A e keni menduar sesi do te jetojnë një muaj pa para mijéra nënpunësit shtetërorë?
***************************************************
NJE KRIZE E RENDE EKONOMIKE PO TROKET (Zhvillimet e djeshme)
Partia Socialiste ka mbledhur dje Asamblenë e Përgjithshme. Me shumicë votash në fund të mbledhjes është votuar një rezotutë me disa pika që opozita i propozon qeverisë për daljen nga kriza ekonomike.
Kreu i PS-së, Edi Rama ka deklaruar se kriza ekonomike sapo ka filluar. “Viti 2010 do të jetë viti i shpërfaqjes së krizës, që ne e kemi paralajmëruar prej kohësh, por fatkeqësisht as kambana jonë e as e FMN-së nuk u dëgjua nga Berisha, i cili, jo vetëm e fshehu krizën, duke ia faturuar koston shqiptarëve, por bëri të kundërtën e asaj që do bënte çdo kryeministër i përgjegjshëm. Berisha i shtoi pasojat duke thelluar borxhet, me shpenzime të shfrenuara para e gjatë fushatës, e duke e lënë vendin në krizë pa asnjë masë antikrizë”, tha Rama gjatë fjalës së tij. Sipas tij, viti 2010, do të jetë viti kur të gjithë shqiptarët, përveç ‘familjes’ dhe ‘oborrit’ do të paguajnë faturën e politikës së gënjeshtrave.
Ndërkohë kanë referuar ekspertët më të mirë të fushës mbi shqetesimet e karakterit ekonomik, që janë shfaqur së fundmi në Shqipëri.
REZOLUTA E PS-SË PËR DALJEN NGA KRIZA EKONOMIKE
Në kushtet e kësaj krize, që vetëm mund të thellohet nga mosveprimi i menjëhershëm i qeverisë, Partia Socialiste apelon ndërmarrjen e një sërë masash të rëndësishme:
Në fushën e politikave fiskale
• Të rishikohet Buxheti i vitit 2010, që është mbështetur kuturu në një rritje ekonomike fiktive të supozuar me 6.5%. Kjo rritje jo realiste përbën një kërcënim të hapur për stabilitetin makroekonomik dhe e bën objektivin mbi të cilin ngrihet e gjithë ngrehina e Buxhetit të vitit 2010 absolutisht të parealizueshëm dhe vetë buxhetin terësisht të kompromentuar që në letër;
• Të qetësohet klima e acaruar artificialisht e biznesit për qëllime të mirëfillta politike dhe të rivendoset menjëherë dialogu me komunitetin e biznesit, për ta bërë atë pjesë integrale të masave të përballimit të krizës;
• Të realizohet një ulje e përkohshme 12 – 18 mujore e taksave mbi biznesin e rrezikuar nga kriza për të stimuluar aktivitetin e sipërmarrësve si motori më i shpejtë ekonomik i vendit.
Në fushën e politikave monetare
• Banka e Shqiperisë të vleresojë mundesitë për një ulje të shpejtë të normës të interesit;
• Banka e Shqiperisë të vlerësojë mundësi të tjera për politika që lehtesojnë çngrirjen e likuiditetit
• Banka e Shqiperisë nepërmjet politikave të saj dhe bashkëpunimit me qeverinë dhe ndërkombëtarët duhet të mbështesë monedhën vendase duke parandaluar, ndaluar spekullimet me synim rikuperimin nga rënia drastike e vlerës së lekut.
Në fushën e politikave të përgjithshme qeveritare
• Të garantohet pasqyrimi i vërtetë dhe transparencë e treguesve ekonomike e financiare të vendit me shifra të pamanipuluara për qëllime dritshkurtra partiake, si hapi i parë në pranimin, raportimin dhe frenimin e recesionit shqiptar. Kjo të shoqërohet me shkëputjen e menjëhershme të INSTAT-it nga varësia e qeverisë dhe kthimit të tij në një institucion të pavarur në varësi të Kuvendit të Shqiperisë;
• Të ftohet menjëherë Fondi Monetar Nderkombëtar për nënshkrimin e një marrëveshjeje të posaçme me Shqiperinë dhe të kërkohet mbeshtetje financiare për daljen nga kriza;
• Të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin pavarësinë e pushtetit lokal, i cili është më pranë biznesit të vogël, duke i dhënë të gjitha instrumentet e duhura për mbështetjen dhe motivimin e këtij biznesi në këtë kohë krize;
• Të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin biznesin e vogël dhe e klasifikojnë atë artificialisht si biznes të madh;
• Të bëhet distancimi i pushtetit nga monopolet që çdo ditë e më shumë po e fusin ekonominë shqiptare në rrugën e tkurrjes. Prania e tyre në çdo sektor të ekonomisë, me mbështetje të drejtëpërdrejtë nga oborri qeveritar dhe klientet e tij duhet të marrë fund përpara se sa të fundosin ekonominë;
• Të hartohet dhe zbatohet një pakete masash të posaçme për nxitjen e investimeve të mirëfillta, veçanërisht investimeve direkte të huaja;
• Të garantohet mbrojtja ligjore e pronës private dhe respektimi i titujve të pronësisë;
• Të rishikohet vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe urgjentisht të përcaktohen masa për indeksim të pensioneve, të ndihmës ekonomike dhe të pagesave të tjera të grupeve në nevojë.
Partia Socialiste ngulmon se ekonomia shqiptare kërkon një model të qartë dhe të ri zhvillimi. Shqipëria nuk mund ta mbështesë zhvillimin e ekonomisë vetëm në faktorët e deritanishëm, ku dominojnë dërgesat e emigrantëve, informaliteti dhe mungesa e prodhimit.
Partia Socialiste shprehet për nevojën e kalimit të ekonomisë në modelin e zhvillimit të qëndrueshëm, në një ekonomi konkuruese që mund të përballojë konkurencën drejt hapjes me ekonomitë e rajonit dhe ato të vendeve antare të BE-së, e aftë të përfitojë nga zhvillimi global dhe e pavarur nga trafiqet e informalitetit.
Modeli i zhvillimit që i nevojitet Shqiperisë duhet të ketë në bazë arsimin, teknologjinë dhe progresin social të mbështetur nga një industri, bujqësi dhe shërbime në transformim që do të sigurojnë rritjen e qëndrueshme të ekonomisë dhe të të ardhurave për frymë.
Modeli i zhvillimit që i nevojitet Shqiperisë duhet të mbështetet në standartet europiane dhe të synojë të krijojë:
• Një ekonomi funksionale tregu, të aftë t’i bëjë ballë konkurencës pa kufij;
• Një ekonomi e orientuar nga eksporti i mallrave e shërbimeve dhe jo e mbështetur në eksportin e fuqisë punëtore të pakualifikuar;
• Një ekonomi që mbështetet në kursimet e siguruara nga zhvillimi i brendshëm ekonomik dhe nga formalizimi i ekonomisë;
• Një ekonomi që krijon klimë favorizuese për biznesin, veçanërisht atij prodhues dhe që garanton lirinë e konkurencës;
• Një ekonomi ku zhvillimi mbështetet në hartimin dhe zbatimin e kujdesshëm dhe afatgjatë të politikave makroekonomike, ku ambicia për standarte europiane të sundojë si prioritet i të menduarit qeverisës dhe axhenda europiane të jetë në rradhë të parë mendësi qeverisëse.
Partia Socialiste është e vendosur në realizimin e këtyre masave programore, si një proces për të cilin ajo ka objektiva të qarta ekonomike dhe politike dhe një mbështetje të shumicës së shoqerisë shqiptare.







