Sali, lëre mikun e huaj që ke pare në ëndërr dhe hap kutitë

0
25

Edi Rama

Edi Rama, 19.11.2009

Saliu dhe Iliri sapo dhanë një tjetër shfaqje të vulgaritetit të tyre në sallën e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, në një përpjekje të ngutur për të shkurajuar protestën e nesërme dhe përshkallëzimin e aksionit tonë opozitar për mbrojtjen e demokracisë në Shqipëri.
Kam disa fjalë për t’i thënë Sali Berishës, përpara se sa nesër, pasnesër, pas pasnesër, t’i dëgjoj të gjitha ato që duhet nga populli i opozitës.

E para, të të vij turp që akuzon opozitën e mua personalisht, se nuk duam Evropën, nuk duam vizat, nuk duam integrimin, sepse si fillim, deri në moshën time, i ke shërbyer përunjësisht diktaturës komuniste, madje je angazhuar dhe ke marrë pjesë në persekutimin e internimin e njerëzve të pafajshëm.

Pastaj, kur Shqipëria ishte në rrugën e integrimit në NATO dhe BE, e çove në humnerën e piramidave, duke e vonuar një dhjetvjeçar rifillimin e rrugës së saj drejt NATO e BE. Kurse sot, je përgjegjësi kryesor për vonesën e pajustifikueshme të Shqipërisë që ka mbetur e fundit në Evropë, qoftë për heqjen e vizave, që na e kaloi edhe Serbia, qoftë edhe për aplikimin për t’u bërë kandidat, ku kemi mbetur bashkë me Serbinë. Sepse Serbia ka kriminelë lufte të padorëzuar, kurse ne të kemi ty në krye të një qeverie të kthyer në kompani fitimprurëse për familjen tënde e për oborrin e shërbëtorëve të t’u.

Ndërsa për opozitën dhe Partinë Socialiste në veçanti, as ti dhe aq më pak Ilir Meta, nuk mund të hapni dot gojën, përveçse për të pranuar rolin e saj të pazëvendësueshëm në integrimin e Shqipërisë në NATO, pa llogaritur këtu gjithë atë punë rindërtuese të Shqipërisë, që sundimi yt i parë e rrafshoi në zero në vitin 1997.

E dyta, të të vij turp që vazhdon dhe u tregon shqiptarëve broçkulla për gjykatën, që s’të lejoka të hapësh kutitë dhe për atë mikun e “huaj”, që të “paska” thënë: “Sali, në asnjë mënyrë kutitë, se nuk të lë gjykata!”
Me siguri, protesta opozitare për hapjen e kutive, të ka bërë të shohësh ëndrra me miqtë të huaj, që të thonë atë që të pëlqen të dëgjosh dhe pastaj ëndrrat e tua ia tregon Parlamentit të kthyer në kuti të mbyllur.

Por është e sigurt që kërkesa jonë për hapjen e kutive, s’ka asnjë lidhje me gjykatën dhe me vendimet e gjykatës.

Thirrja ime është: mos u kap pas mikut të huaj që ke parë në ëndërr. Por hapi kutitë përpara se sa populli sovran të të detyrojë të largohesh bashkë me kutitë.

E treta, të të vij turp që sa më shumë plakesh, aq më shumë gënjen e abuzon me të vërtetën. Ka të ngjarë të më ngatërrosh me veten, por asnjëherë nuk kam sharë një njeri të familjes tënde. Sigurisht, kam thënë dhe e them, e do ta them përsëri: që interesat ekonomike e financiare të familjes tënde diktojnë qeverisjen e vendit, më shumë se interesat publike e qytetare të njerëzve të këtij vendi. Kjo është diçka e provuar, që provohet përditë e më shumë, e që e gjithë Shqipëria e ka mësuar dhe e mëson çdo ditë, jo falë fjalëve të mia, por falë bëmave të tua.

Prandaj, të jemi të qartë, që dallimi i qartë mes teje e meje, është se ti u plake duke u marrë me gratë, me vajzat, me motrat, me djemtë, me nipërit, me kushërinjtë e kundërshtarëve të tu, ndërsa unë merrem me konfliktin e përbindshëm të interesit ku ti e ke futur qeverisjen e vendit, duke e parë vendin në funksion të interesave të familjes tënde.

E katërta, të të vij turp që kërcënon Kryebashkiakët opozitarë, me të cilët ke një llogari të hapur publikisht dhe të pret që nga e hëna e ardhshme një betejë qytetare, që uroj ta shmangësh në kohë, duke plotësuar të 5 kërkesat e apelit tonë publik. Që ta dëgjojnë shqiptarët, një nga mijëra shembujt e karakterit gjigandoman të gënjeshtrave të tua, po u them se: Bashkia e Tiranës nuk ka administratë me 4200 punonjës, por vetëm 385 nëpunës në administratë. Megjithatë, kemi një kapitull të posaçëm të protestës tonë, ku do të përballim publikisht me katrahurën anti- kushtetuese, anti-ligjore, anti-demokratike, anti-qytet, që ka shkaktuar vizioni jot qorr dhe politika jote primitive për zhvillimin urban e rural të këtij vendi.

Së fundmi, kjo qeveri që në gjuhën migjeniane do të quhej, pa asnjë gajle, “pushtet derrash të kënaqur”, arriti një pikë kulmore të marrëzisë, që e karakterizon përditë e më shumë, duke e përdorur si një derrkuc miop Ministrin e Shëndetësisë, që vetëm e vetëm prej frikës që nuk arrin ta fsheh nga protesta e nesërme, e pasnesërme, e pas pasnesërme, u nxorr të bënte lidhjen idioteske mes protestës së opozitës dhe rrezikut të përhapjes të gripit të derrit.
E kuptoni se në ç’nivel e ç’badërdi mendore është katandisur qeveria e dalë nga zgjedhjet e vjedhura.

Protesta e nesërme është protesta e Shqipërisë, që nuk jeton brenda oborrit të familjes së Sali Berishës, që nuk ushqehet në tryezën e pasur të familjes së oborrit dhe oborrtarëve të familjes dhe që nuk pranon të dorëzojë vetveten në duart e diktaturës së korrupsionit që nëqoftëse e lejojmë të instalohet përfundimisht me votat e vjedhura në 28 qershor, do të na duhet ta mbajmë mbi kurriz në një kohë të pallogaritshme. Dhe këtë Shqipëria e popullit të shumicës nuk e lejon, nuk mund ta lejojë, nuk do ta lejojë.

Protesta e nesërme do të jetë një manifestim i madh, paqësor e qytetar, do të jetë një shprehje e jashtëzakonshme e frymës demokratike dhe demokratizuese që karakterizon këtë opozitë, që është shumica e shqiptarëve dhe që pa asnjë dyshim nuk e sheh veten të ndarë nga ajo pjesë tjetër shqiptarësh që e votuan Sali Berishën për çka u tha, dhe sot jetojnë në një regjim të keqqeverisjes dhe korrupsionit, sepse Sali Berisha tjetër thotë e tjetër bën.