TemA Online, 24 Gusht 2012
Pas deklaratës së kryeministrit Berisha, se shpirtrat e katër të vrarëve më 21 janar kërkojnë drejtësi, ka reaguar deputeti socialist, Erion Braçe. Ai ka bërë përgjegjës direkt Sali Berishën për vrasjen e tyre, duke thënë se ai do të përgjigjet një ditë për to. Sipas Braçes, një ditë Berisha nuk do të jetë në pushtet dhe atëherë do të përgjigjiet për të gjitha krimet që ka bërë, duke nisur që nga vrasjet e 21 janarit.
“Sali Berisha është një kriminel tipik. Ka të gjitha karakteristikat e vrasësit, por më gjakatarit ama.
Sot i është kthyer vrasjeve shtetërore të 21 janarit!
Dhe ka të drejtë! Deri më sot ka pohuar botërisht se ai personalisht ka urdhëruar vrasjet më 21 janar dhe nuk e ka vënë kërkush nën hetim! Kjo nuk ndodh kërkund, veçse në Siri.
Lexoni çka thënë:
“Hetimi do të jetë i plotë, pasi katër qytetarë kanë humbur jetën. Shpirtrat e tyre kërkojnë drejtësi. Kush i solli aty? Ajo është një çështje që duhet hetuar”.
Ti i vrave Sali Berisha. Sot ke pushtet dhe mund të vrasësh, pa diskutim edhe mund të arrestosh dhe dënosh. Ti i ke të gjitha.
Por, ka një ditë zero! Një ditë kur ti dhe soji yt nuk do jetë në pushtet! Atë ditë fillon numërimi ndryshe. Ate ditë do nisë të bëhet drejtësi! Me ty të parin! Harroji gardistët. Ata janë në fund! Çdo gjë nis nga ty!
Harroje se do të ta falë kush vrasjen. Ti mund të vrasësh prapë, një, dy, tre, pesë, dhjetë, njëqind.
Amanet do të kthehet drejtësia për ty! Drejtësi me ty, kudo që të jesh”, është shprehur gjatë një reagimi deputeti socialist.
—————-
“Saliu si Makbethi, i vetmi që sheh hijen e atyre që ka vrarë”
TemA Online, 24 Gusht 2012
Politikani Spartak Ngjela, ka bërë analizën psikologjike të momentit kur Berisha foli sot për katër të vrarët e 21 janarit. Sipas avokat Ngjelës, Berisha i ngjan Makbethit, i cili është i vetmi që shikon hijen e Bankos së vrarë në tryezën e pushtetit.
“Në banketin makbethian, Hijen e Bankos e shihte vetëm Makbethi, sepse te tjerët, hanin e pinin pa merak. Vrasësi kishte qene Makbethi, ç’punë kishin te tjerët? Edhe këtu, në Tiranë, hijen e katër te vrarëve të 21 janarit, e sheh vetëm Saliu, se ai i vrau; paçka se kërkon te akuzoje për te qetësuar veten. Hija do te vijoje te te mundoje Sali, derisa, pas rrëzimit tënd ,do te vije edhe ndëshkimi yt për katër te vrare. Kjo është e sigurt”, shprehet Ngjela.
Deklarata e Ngjelës pason deklaratën e Berishës për përfshirjen e SHISH në ngjarjet e 21 janarit dhe përgjegjësinë për katër të vrarët para kryeministrisë.