Nga Mero Baze, 13 Shkurt 2012
Gati gjysma e Shqipërisë është nën borë dhe afërsisht një e treta e popullsisë që jeton në ato territore është e izoluar. Në veri duket se situata është jashtë kontrollit dhe të lutemi që ata njerëz t’i ruajë Zoti dhe të shpëtojnë veten.
Nga ajri nuk mund t’u shkojmë dot në ndihmë pasi helikopterët tanë të vrasin dhe ditën me diell. Nuk di ai i bleu Arben Imami helikopterët për të cilët Berisha bëri pazar me Sarkozinë për gati 70 milionë euro, që do të ishin me rreze lazer për të udhëtuar natën dhe për të depërtuar në kohë të keqe, por di që “kaçatorët”, të cilët i përdorin rëndom ministrat për të shkuar tek vjehrra kur e kanë nga ndonjë fshat i thellë, nuk u çojnë dot bukë dhe ilaçe shqiptarëve të izoluar. Gjithë ajo që mund të quhet flotë ajrore e një vendi anëtar të NATO-së dështoi qysh në dëborën e parë.
Si vend anëtar i NATO-s, duhet të na vinin në ndihmë helikopterë specialë apo ndihma, por ato nuk po duken pasi një vend i NATO-së nuk mund të mbytet e të izolohet kështu nga një furtunë dëbore. NATO ka dhjetëra vende që e kanë situatë të përvitshme dëborën dhe me sa duket nuk e kupton dot ende pse njerëzit tanë po vdesin të vetmuar nën dëborë. Shteti shqiptar dhe mund t’ua kujtonte, por për shkak të problemeve politike që ka krijuar me lidershipin e NATO-s, i mungon dëshira e komunikimit me të. Çdo vend anëtar i NATO-s – ato vende që meritojnë të jenë të tilla- s’do ta kishin kurrë problem këtë situatë, përveç vendit tonë, i cili si çdo gjë dhe anëtarësimin në NATO e ka fallco.
Nga toka nuk po u shkojmë dot në ndihmë. Rruga që na kushtoi 1.5 miliard euro për të mbushur xhepat e Familjes së regjimit nuk na çon dot gjallë as deri në Kukës. Më i sigurt është njeriu në Bjeshkët e Rugovës në Kosovë në rrugë malore, ku rruga është e pastruar, se sa në autostradën që quhet për ironi “Rruga e Kombit” dhe është e mbushur me dëborë dhe akull si rrugë dhish në malet e Tropojës. Me 1.5 miliard për të mos arritur dot as në Kukës, nuk do t’i dilte dot as një fatkeqësi natyrore për të na penguar, përveç fatkeqësisë sonë janatyrore, Sali Berishës.
Kompanitë që mirëmbajnë rrugët janë kompani klienteliste të familjes së Sali Berishës dhe tashmë duket qartë që ato nuk asnjë makinë borëpastruese veç ndonjë ekskavatori të prishur që më shumë e shkatërron rrugën se sa heq dëborën. Rrugët e tjera veç autostradës janë tërësisht të bllokuara dhe pa asnjë plan mirëmbajtjeje, ndërsa për rrugët rurale as që bëhet fjalë. Kryeministri që thotë se ka bërë 8 mijë kilometra rrugë rurale, tani nuk gjen dot rrugën për në fshat të vet, pasi i ka humbur nën dëborën që nuk ka kush ta pastrojë. Mjaftoi një dëborë për të kuptuar se kush na qeveris.
Nga ekranet e TV nuk u shkojmë dot në ndihmë. Shumë prej tyre tashmë janë në pushtetin e territ, por dhe ata që kanë ende energji elektrike, shpresoj mos të hapin TV dhe të shikojnë lajmet. Nuk ka më keq se sa njerëzit që vdesin nën të ftohtë dhe shikojnë kryeministrin si u tregon përralla me ngrohje të bollshme që do të vijë në Shqipëri në vitin 2017, kur një batakçi i tipi Aliyev do të bëjë sipas Berishës gazsjellësin për Shqipërinë. Të të vdesin fëmijët nën dëborë dhe të dëgjosh përralla me superfuqi energjetike, është krim. Nuk ka më krim se sa njerëz që hanë misra të zier dhe ndoshta ziejnë lëvore pishe të shikojnë në ekran kryeministrin se si flet për një axhendë festash të bujshme, ku do ketë gjëra si në përralla, siç di të përrallisë të tilla kryeministri.
Shpresoj më mirë të mos kenë drita, pasi jemi të pafuqishëm qoftë dhe për dy javë të fatkeqësisë së tyre, të ndalim Sali Berishën nga pushtimi i ekraneve dhe t’i përdorim ato për tu shkuar në ndihmë psikologjike së paku njerëzve të izoluar. Mbi të gjitha uroj mos të kenë parë Sali Berishën kur foli për vizionin e tij mbi këtë fatkeqësi, që bazohej tek rrëfimi i një miku të tij që kishte parë çatitë me borë dhe tregimet e gjyshit të tij për orteqet. Ky njeri as në ditët më të zeza të qeverisjes së tij nuk drejton shtetin me strukturat e shtetit, nuk u flet qytetarëve në emër të shtetit, por në tregime rastësore miqsh, familjarësh apo në kujtime idiote të fokusuara në memorien e tij.
Atij i mungon ende kultura e të folurit si shtetar para qytetarëve në nevojë. Mjafton ta dëgjoje për të kuptuar se ai është një fatkeqësi jonatyrore, e cila ka zënë rrënjë në këtë vend dhe është më jetëgjatë se fatkeqësia natyrore e dëborës, e cila ikën bashkë me marsin. Mjafton ta shikosh si flet, si sillet me këtë fatkeqësi dhe çfarë vizioni ka për të kuptuar se ai është një fatkeqësi më e madhe se dëbora. Kjo e fundit ikën sapo shfaqet pranvera. Kurse ky ka nevojë për një Pranverë Shqiptare dhe një ortek zemërimi që t’i japë kuptim Pranverës Shqiptare.







