Sali Berisha, ndryshe nga 97-a, kësaj here Shqipëria nuk do fundoset bashkë me ty

0
31

Edi Rama, VLORË, 13.11.2009

Sali Berisha, u tha dje shqiptarëve nga kutia e mbyllur e parlamentit që duhet të jenë të lumtur që Shqipëria mbeti e fundit në Europë pa viza bashkë me Bosnjën, ndërkohë që Serbia akoma s’njeh kufirin e Kosovës hyri në programin e liberalizmit me BE. Ja pse në 20 nëntor Shqipëria që jeton jashtë oborrit të familjes në pushtet duhet të mblidhet në Sheshin Skënderbej.

Sali Berisha u tha dje shqiptarëve nga kutia e mbyllur e parlamentit se duhet të jenë të lumtur që jetojnë në Shqipëri, ku ndryshe nga e gjithë bota jo vetëm nuk ka krizë ekonomike, po përkundrazi, sipas Saliut ka një zhvillim ekonomik që bota mbarë na e ka zili.

Ja pse në 20 nëntor Shqipëria që nuk ha në tryezën e familjes së pushtetit të Sali Berishës duhet të mblidhet në Sheshin Skënderbej.

Sali Berisha u tha dje shqiptarëve nga kutia e mbyllur e parlamentit se duhet të jenë të lumtur që Shqipëria ka Saliun, që sot gjithë bota do të donte ta kishte, e gjithë Europa do të donte ta kishte për të ecur përpara më shpejt me mandate të vjedhura e pa opozitë fare në parlament.

Ja pse në 20 nëntor Shqipëria që jeton jashtë kutisë së mbyllur ku sundon kjo shëmbëlltyrë fyese për inteligjencën, dinjitetin dhe personalitetin e çdo shqiptari, duhet të mblidhet në Sheshin Skënderbej.

Sali Berisha u tha dje shqiptarëve nga kutia e mbyllur e parlamentit se duhet të jenë të lumtur që Shqipëria ka sot një maxhorancë që nuk pranon që parlamenti të bëjë gjykatësin e zgjedhjeve, pasi Saliu vetë u ndenji mbi kokë gjykatësve duke i detyruar të japin vendimin e zymtë për lirinë e demokracinë shqiptare, vendimin që ndaloi forcërisht hapjen e ligjshme të kutive të votimit.

Ja pse në 20 nëntor Shqipëria që nuk pranon t’ia lerë në dorë Saliut vullnetin e popullit sovran, fatin e lirive e të të drejtave të veta, duhet të mblidhet në Sheshin Skënderbej.

Sali Berisha u tha dje shqiptarëve nga kutia e mbyllur e parlamentit se duhet të jenë të lumtur që Shqipëria, ka një qeveri, që ka fituar 5 miliardë dollarë nga lufta kundër korrupsionit dhe sot ajo qeveriset nga familja e tij që jo vetëm ka dalë nga varfëria, por po pasurohet përditë e më vrullshëm, ndërkohë që çdo ditë e më shumë familjet shqiptare ngecin para hendekut të krizës ekonomike që po thellohet përditë dhe nuk nxjerrin dot muajin për shkak të varfërisë, të papunësisë dhe të rritjes së përditshme së çmimeve.

Ja pse në 20 nëntor Shqipëria e atyre që s’paguajnë dot ilaçet, dritat, librat e shkollës së fëmijëve, që s’kanë mundësi për punë apo që humbasin punën për shkak të punës, që s’kanë mundësi dhe shpresë për të ardhmen, duhet të mblidhen në Sheshin Skënderbej.

Sali Berisha u tha dje shqiptarëve nga kutia e mbyllur e parlamentit se duhet të jenë të lumtur që Shqipëria ka sot në krye të qeverisë një palokomunist të djeshëm dhe një paloantikomunist të sotëm, i cili nga një anë e ndëshkon ligjërisht sipas tij traditën e nomenklaturës komuniste duke u hequr të drejtën e veturave kryetarëve të komunave e drejtorëve mjeran të shtetit, ndërsa nga ana tjetër bëhet vetë pronar i madh duke grabitur prona nga pronarët e nga shteti bashkë.

Ja pse në 20 nëntor Shqipëria e atyre që nuk e durojnë dot instalimin e një regjimi të mashtrimit në këtë vend ku një pushtet i një dallkauku nëpërkëmb Kushtetutën, ligjin dhe çdo aspiratë e nevojë njerëzore që nuk përputhet me interesat e tij, po kërkon të mbytë liri dhe të drejta, duhet të mblidhen në Sheshin Skënderbej.

I them sot nga Vlora Sali Berishës, do të fundosesh me turp në batakun ku po e zhyt përditë nga pak Shqipërinë, njësoj si atëherë kur u kërkoje shqiptarëve të ishin të lumtur me piramidat e me pasqyrat e tua.

Por, ndryshe nga atëherë Shqipëria nuk do të fundoset bashkë me ty, sepse po nuk i hape rrugën lirisë dhe demokracisë duke hapur kutitë e 28 qershorit, do detyrohesh t’i hapësh ti vetë rrugën Shqipërisë shumë më përpara sesa ç’mund të të duket sot, kur u flet broçkulla shqiptarëve nga kutia e mbyllur e parlamentit për jetën e lumtur që bëjnë. Do të duhet të largohesh me zgjedhje shumë të parakohshme, Sali Berisha.

Ja pse në 20 nëntor shqiptarët, burrat dhe gratë, që nuk e pranojnë këtë nivel mizerabël demokracie, ekonomie e drejtësie sociale, do të përshkallëzojnë protestën e tyre me një manifestim qytetar që do të zgjasë më shumë sesa një ditë. Dhe kujt sot që mendon se kjo është protesta e fundit e opozitës, unë i them, ky është fillimi i fundit të pandalshëm të Sali Berishës, në rast se nuk do të hapë kutitë e 28 qershorit.

Demokracia është asgjë më shumë sesa forca e të vërtetave, të cilat konkurrojnë lirisht për një pushtet që është gjithmonë i përkohshëm dhe që është papushim nën trysninë e konkurrencës së lirë. Ndërsa regjimi i grabitjes së gjithshkaje përmes grabitjes së votës, i shkatërrimit të vlerave të lirisë dhe i poshtërimit të parimeve të demokracisë, që po instalohet dita-ditës në Shqipëri, nuk ka të bëjë asgjëkundi me demokracinë dhe me qytetarët, por vetëm me kusarinë dhe me pushtetarët.

Ne nuk pranojmë të jetojmë nën një regjim familjarësh në pushtet dhe nuk do të ndalemi pa e ndalur këtë regjim që po kushtëzon përditë jetën tonë.

Asnjë protestë nuk është zgjedhja e lirë e atyre që protestojnë. Por vetëm një rrugë për zgjidhjen e një problemi, që nuk dëgjon nga ata që duhet ta zgjidhin. Lëvizja jonë e protestave qytetare nëpër Shqipëri nuk ka lindur nga ndonjë dëshirë e jona për t’u grumbulluar qytet më qytet, madje edhe nën shi e në të ftohtë, dhe për të folur për demokracinë ndërkohë që vendi shkon në drejtimin e duhur.

Jo, kjo lëvizje që ka bashkuar socialistë, progresistë e liberalë, të majtë e të djathtë, është një zgjedhje e detyruar patriotike nga gjendja e rëndë e demokracisë në vend, pas deformimit të votës së lirë nën presionin e shtetit të bërë njësh me pushtetin.

Bojkoti i parlamentit nuk është zgjedhja jonë, por e vetmja rrugë që kemi sot për të mbrojtur demokracinë nga një deformim dramatik me bazë deformimin zgjedhor, për të luftuar për liri e të drejta të cilat po fashiten si pasojë e shpërfytyrimit të pushtetit ekzekutiv në një regjim oligarkik që po shkon drejt kthimit të Shqipërisë në një skemë të mbyllur politike, pa vota të lira dhe të ndershme, për të mos lejuar që Shqipëria reale, Shqipëria juaj dhe e gjithë qytetarëve, të humbasë zërin e dinjitetin, të humbasë vetveten, përballë një Shqipërie pushtetarësh të korruptuar e suksesesh imagjinare.

Integrimin nuk e pengon bojkoti ynë, por e pengojnë pikërisht arsyet që na shtynë ne ta ndërmarrim këtë rrugë të vetme për të shtruar për zgjidhje një problem të rëndë shqiptar si zgjedhjet e deformuara.

Ky problem nuk zgjidhet as duke e mbuluar me fjalinë, “këto zgjedhje ishin më të mira se të tjerat po prapë s’ishin aq të mira sa duhet për t’u quajtur me standarde”, dhe aq më pak zgjidhet duke hyrë opozita jonë pa kushte në parlamentin e kthyer në sallë të Këshillit Kombëtar të partisë së Saliut me vota që siç e thotë arbitri ndërkombëtar “të numëruara keq ose shumë keq në një të tretën e tyre”.

Mjafton edhe thjesht shembulli fare i vogël i aktit të turpshëm të zëvendësimit në sallën e parlamentit nga ky këshill partiak, që sot quhet parlament, vetëm para pak ditësh, të anëtarit të opozitës në Këshillin Kombëtar të radiotelevizioneve me një këshilltar të Saliut a të Jozefinës, për të kuptuar se kjo krizë politike në Shqipëri nuk buron nga bojkoti, po nga një konflikt themelor mes këtij pushteti dhe vetë parimeve demokratike. Ky konflikt e ka çuar opozitën në bojkot.

Kemi qenë dhe do të jemi gjithnjë të gatshëm të bisedojmë, të dialogojmë, të zgjidhim çdo problem madhor e sfidë madhore të vendit duke përdorur forcën e arsyes, jo arsyen e forcës.

Këtu jemi, prej kohësh kemi bërë të qartë çfarë kërkojmë dhe nuk është faji ynë që të tjerët kanë kujtuar ose kanë dashur të kujtojnë se kjo është një lojë politike e zakonshme, për interesa të vogla dhe pa gjasa që të zgjasë shumë.

Megjithatë ne jemi këtu për të ofruar në çdo çast kur ka dëshirë e vullnet nga pala tjetër, kontributin tonë që kërkesat tona të kuptohen drejt edhe nga ata që s’kanë dashur apo s’kanë mundur t’i kuptojnë.

Por, ndërkohë ne as do të ndalemi dhe as do të humbasim asnjë çast në rrugën e kësaj beteje të nisur për sa kohë nga pala tjetër do të zgjedhë shurdhërinë në vend të dëgjimit dhe propagandën mashtruese antiopozitare e diversionin banal ndaj opozitës në vend të komunikimit normal.

Ne nuk hyjmë në parlament dhe nuk do të hyjmë në parlament për t’u bërë bashkëfajtor në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të 28 qershorit, dhe për të mbyllur, kushedi për sa vite të tjera mundësinë që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në 20 nëntor në sheshin Skënderbej në Tiranë bashkë me të gjithë të goditurit tek prona që zhvishen përditë nga e drejta e tyre për interesat e familjes Berisha, që kërkon të vërë në themelin e këtij sistemi pushtetin në vend të shtetit.

Në 20 nëntor bashkë me të gjithë të palegalizuarit që ky pushtet i quan mish për topat elektoralë.

Në 20 nëntor bashkë me të gjithë mësuesit e mjekët që trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

Në 20 nëntor bashkë me të gjithë bujqit e fermerët që nuk ushqejnë dot më as familjet e tyre.

Në 20 nëntor bashkë me të gjithë peshkatarët që nuk ekzistojnë fare për këtë pushtet që edhe detin e Shqipërisë e ka nxjerrë në pazarin e interesave të veta.

Bashkë me të gjithë dhe për të gjithë në Sheshin Skënderbej në 20 nëntor, të gjithë ata që s’janë pjestarë të familjes Berisha apo oborrtarë të pushtetit të familjes Berisha, i kanë të gjitha arsyet që ti bashkëngjiten kësaj proteste, për të hapur kutitë e votimit.

Të gjithë të përndjekurit që tallen prej 20 vjetësh nga pushtetet e radhës po mbi të gjitha nga pushteti vjedhur i Sali Berishës, që dikur ka internuar personalisht njerëz të pafajshëm si sekretar i devotshëm dhe mediokër i pushtetit të atëhershëm, ndërsa sot i qan të përndjekurit me fjalë dhe i thellon me vepra plagët e të përndjekurve të regjimit të cilit i shërbeu me zell 25 vjet rresht.

Në 20 nëntor në Tiranë për të gjithë.

Të gjithë ushtarakët e liruar që nuk e marrin dot nga ky pushtet banal të drejtën që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë me ligj, në 20 nëntor në Sheshin Skënderbej në Tiranë.

Të gjithë minatorët e ish-minatorët që u gënjyen e më pas u tallën nga Sali Berisha dhe nga zëdhënësi i tij Ilir Meta në 20 nëntor në Tiranë.

Të gjithë në 20 nëntor në sheshin Skënderbej për lirinë e munguar, për dinjitetin e cenuar, për jetën e shtrenjtuar.

Të gjithë biznesmenët e vegjël që falimentuan, që po falimentojnë, që do të falimentojnë, sepse Sali Berisha nuk qeveris për të zgjidhur hallin e tyre, por për të zmadhuar pasurinë e tij.

Të gjithë biznesmenët e mëdhenj që nuk janë klientë të familjes Berisha dhe që po mbyten nga shtrëngimi i lakut të krizës ekonomike dhe shkatërrimi i konkurrencës për qëllimet e familjes Berisha.

Në 20 nëntor në sheshin Skënderbej në Tiranë, të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, qytetarë e qytetare që duan një vend ku konkurrenca dhe merita të jenë më të fortë sesa pushteti i radhës.

Hapja e kutive të 28 Qershorit dhe mbyllja e historisë 20 vjeçare të zgjedhjeve të deformuara e të kontestuara, është më shumë sesa beteja politike e një pale, është shumë më shumë sesa interesi për pushtet i një partie apo një koalicioni partish, është shumë më shumë sesa e majta dhe e djathta. Është një e drejtë dhe detyrim që shkon përtej të majtës e të djathtës. Ashtu siç është vetë Shqipëria përtej të majtës e të djathtës. Ashtu siç janë vetë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut përtej të majtës e të djathtës. Ashtu siç është shteti demokratik përtej të majtës e të djathtës.

Të protestojmë me forcë sepse Sali Berisha i grabiti zgjedhjet për të vazhduar të grabisë Shqipërinë.

Të protestojmë me forcë sepse Shqipërinë Europiane nuk mund ta bëjnë grabitësit e zgjedhjeve, nuk mund ta bëjnë grabitësit e pronave, nuk mund ta bëjnë grabitësit e arkës së shtetit.

Të protestojmë me forcë ndaj këtij pushteti që shqiptarëve u flet për luftë ndaj korrupsionit, ndërsa të ardhmen e tyre e jep me koncesione e privatizime që qelben era korrupsion.

U flet shqiptarëve për luftë frontale ndaj varfërisë, ndërsa pasuron frontalisht vetëm familjen dhe sojin e vet duke varfëruar përditë e më shumë shqiptarët.

Shqiptarëve u flet për luftë me tolerancë zero ndaj krimit, ndërsa vrasësit e trafikantët i nxjerr nga burgjet për të marrë me ndihmën e tyre mafioze vota shqiptarësh.

Ne e kemi shpallur në çdo qytet dhe po e përsërisim edhe këtu në Vlorë, se në 20 Nëntor ne do të rimblidhemi të gjithë në Tiranë, më të shumtë dhe më të vendosur se kurrë, për të kërkuar me më shumë forcë dhe vendosmëri se asnjëherë tjetër, një të drejtë që nuk na e ka dhënë Sali Berisha dhe nuk na e merr dot Sali Berisha.

Mospranimi për t’i hapur kutitë e votimit dhe për t’i dhënë popullit të drejtën e transparencës për zgjedhjen që ka bërë në 28 qershor, është prova e frikës së madhe që ka Sali Berisha nga e vërteta.

Por, edhe prova e së vërtetës së madhe që ne do ta mbrojmë pa frikë dhe pa lodhje deri në fund, deri kur të realizohet kërkesa jonë legjitime, deri kur Shqipëria të jetë përgjithmonë e qytetarëve të saj dhe kurrë më preja e pushtetit të radhës.