Sali Berisha duhet të ketë një faqe në Facebook: si vriten në Tiranë njerëzit nga kanceri në mushkëri – shkruan australiania që jeton në Tiranë

0
33

ResPublica.al, 8 janar 2013

Shannon Woodcock është një historiane australiane e cila ka jetuar gjatë në Shqipëri. Në profilin e saj në Facebook ka botuar këtë foto të marrë me sa duket nga ballkoni ose dritarja e banesës së saj në Tiranë dhe shkruan: “Ditë e mrekullueshme në Tiranë- me plehra që digjen, si zakonisht: mbetje plastike, dhe gjithfarësoj që shkaktojnë re toksike aq sa ajri bëhet i padurueshëm e na detyron të rrimë me dyer e dritare të mbyllura. Dhe të mendosh që në këtë rrugë jeton Presidenti i Republikës. Sali Berisha duhet të ketë një faqe në Facebook ku tregon si vriten njerëzit nga kanceri në mushkëri”…

Faqja online historia-ime.com që ka botuar foton dhe mesazhin shkruan: “Shannon, e diplomuar në Queensland University of Technology dhe me PhD për Histori në Universitetin e Sidneit, tashmë është një njohëse shumë e mirë e Shqipërisë. Ajo ka botuar shkrime akademike për gjenocidin në perspektivën historike, për feminizmin mbi të gjitha dhe për kulturën queer. Së fundmi edhe një libër me të mbijetuarit e komunizmit në Shqipëri”.

Faqja në fjalë nuk e thotë ku dhe kur është bërë fotoja, por duke gjykuar nga pamja dhe të dhënat e mesazhit, fotoja është shrepur në zonën e Kodrave të Selitës, një zonë me ndërtime të viteve të fundit që nisin në fund të rrugës “Komuna e Parisit” në Tiranë. Bujar Nishani ka jetuar aty me familjen deri para zgjedhjes në postin e Presidentit. A.N.