“Sali Berisha dhe Lulezim Basha nuk mund t’i shpëtojë gjykimit për 21 janarin”

0
56

Nga Mark Nika, 4 Shkurt 2012
*Avokat

Në vëmendje të:

Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi

Prokurores së Përgjithshme, zonjës Ina Rama

Ambasadorit të SHBA-së, zotit Aleksandër Arvizu

Ambasadorit të BE-së, zotit Ettore Sekui

Pak ditë pas përvjetorit të parë të masakrës së 21 janarit 2011 u njohëm edhe ne, familjarët e Aleks Nikës, me rezultatet e ekspertizës së FBI-së në lidhje me vrasjet dhe plagosjet e asaj ditë të zezë.

E kemi ditur qysh ditën e parë, e kemi thënë e shkruar vazhdimisht në media se Aleksi, ashtu sikurse Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Zever Veizi që ranë bashkë me të, u vranë pa asnjë faj, pa shkelur asnjë ligj, pa kërcënuar jetën e askujt, pa prishur një degë pemë. U vranë vetëm se morën pjesë në një demonstratë të ligjshme, të thirrur nga opozita legale shqiptare.

Por prapëseprapë përfundimet e ekspertizës së FBI-së janë shokuese. Nga kjo ekspertizë ka dalë përfundimisht se armët vrastare të gardës së Sali Berishës janë shkrehur mbi njerëzit si në masakrat terroriste. Për hesapet e atyre që kanë tërhequr gishtin dhe të atyre që kanë urdhëruar të hapet zjarr në kundërshtim flagrant me ligjet shqiptare dhe konventat ndërkombëtare ku Shqipëria ka aderuar, sot do të ishin në zi bashkë me ne edhe familjet e protestuesve të plagosur.

Është i përbindshëm krimi i 21 janarit. Por shumë pikëpyetje që na kanë munduar gjatë gjithë këtij viti si familje kanë filluar të marrin përgjigje. Kush na vrau? Kur na vrau? Pse na vrau? Po presim me padurim që Prokuroria të shprehet me aktakuzë dhe drejtësia të thotë fjalën e vet me gjithë rreptësinë e ligjit. Kemi qenë e jemi të vendosur për drejtësi sipas ligjeve. I njohim edhe ne ligjet, po shqyrtojmë me vëmendje provat që po dalin. Nuk do të lejojmë dhe nuk do të pajtohemi kurrë me një drejtësi sa për të kaluar radhën, me gjysëm drejtësie.

Si familjarë të Aleksit, si shtetas dhe si njerëz jemi të shokuar jo vetëm nga vrasjet, por edhe më shumë nga përpjekjet banditeske për të fshehur gjurmët e krimit, duke ndërruar tytat e armëve apo duke fshirë filmimet e 21 janarit nga serveri i kryeministrisë. Me ketë që kanë bërë me fshehjen e provave na kanë vrarë dy herë. Janë përpjekur të dalin si heronj të ligjit, kur në fakt ishin dhe janë dhunuesit më të egër të tij. Ekspertiza FBI-së ua hoqi maskat. Kjo ekspertizë i tregoi gjithë botës se vrasjet e 21 janarit janë një krim i pastër qeveritar. Kjo ekspertizë dhe hetimet e Prokurorisë shqiptare zhbllokuan dhe futën më në fund në drejtimin e duhur hetimet e sabotuara gjatë gjithë vitit nga Sali Berisha me klikën e tij.

Familja Nika falenderon grupin e prokurorëve, në veçanti Prokuroren e Përgjithshme, zonjën Ina Rama. Vendosmëria e tyre na jep shpresë së drejtësia që kërkojmë do të bëhet. Për arsye të kuptueshme, unë si xhaxhai i Aleksit, që kam folur e shkruar shpesh në media, kam shprehur rezervat e familjes sonë për zvarritjen e hetimeve nga Prokuroria. Kësaj radhe kërkesa jonë ndaj Prokurorisë është të mos ndalet për asnjë çast dhe për asnjë arsye nga zbatimi i ligjit ndaj cilindo që ka dorë në mënyrë direkte dhe indirekte në vrasjet e 21 janarit dhe mandej në fshehjen e provave të këtij krimi shumë të rëndë.

Familja jonë ka falenderimet dhe mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë për ekspertizën e FBI-së si shërbim i specializuar, qoftë për mbështetjen e pakursyer që i kanë dhenë e po i japin Prokurorisë shqiptare nëpërmjet përfaqësuesit të tyre më të lartë në Tiranë, ambasadorit të nderuar Aleksandër Arvizu. Kemi bindjen se familjet e të vrarëve të tjerë dhe mbarë populli shqiptar kanë të njëjtin falenderim.

Pa mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera perëndimore, e vërteta e 21 janarit do të kishte mbetur në rrugë pa krye. Pa këtë mbështetje 21 janari nuk do të zbardhet deri në fund dhe drejtësia nuk do të bëhet. Sepse kundërshtari më i madh i zbardhjes ligjore të vrasjeve të 21 janarit është kryeministri Sali Berisha. Ne familjarët e të vrarëve të asaj dite e kemi marrë vesh me kohë këtë. Tani e kanë marrë vesh gjithë shqiptarët, gjithë bota.

Sot që e vërteta ka nisur të dalë më në fund në dritë, ne denoncojmë me forcë përpjekjet e këtij kryeministri për të penguar përsëri hetimet përmes presioneve dhe kërcënimeve që i drejton Prokurores së Përgjithshme, zonjës Ina Rama apo me paralajmërimet se do të hetojë të vrarët, siç tha në një media se do të hetojë vëllanë e Ziver Veizit. Sali Berisha vazhdon të ngatërrojë detyrat. Po të këtë prova për të vrarët, për opozitën dhe për këdo, ai ka për detyrë t’i çojë në Prokurori, të kërkojë ekspertizë nga FBI për provat e tij e tjerë. Por ai duhet ta harrojë se është e do të jetë ndonjëherë prokurori i 21 janarit. Ai është palë në tragjedinë e 21 janarit. Ai është subjekt hetimi dhe jo prokuror. Koha që Sali Berisha të përgjigjet para ligjit se kush dha urdhër për të hapur zjarr mbi qytetarët e pafajshëm, pse e pengoi drejtësinë të vepronte, pse u fshinë filmimet, kush i ka kopjet e filmave që janë kopjuar nga serveri i kryeministrisë, ka ardhur.

Sali Berisha nuk mund të mos hetohet. Le të shpallë heronj të oborrit të tij secilin prej doracëve të 21 janarit, por duhet ta dijë se vetëm thellon borxhet ligjore dhe morale ndaj tragjedisë së 21 janarit. E kanë vënë re të gjithë se si mundohet të gjejë ndonjë shteg, siç di ai, për të vënë në diskutim ekspertizën e FBI-së. Për të bërë atë që bënë me videon e Ilir Metës. Kjo është një lojë e rrezikshme, por edhe e pamundur. Ekspertiza e FBI-së është kërkuar ligjërisht nga institucionet e shtetit shqiptar. Kjo është ekspertiza e një shërbimi nga më të kualifikuarit në botë. Për ne si familje ekspertiza e FBI-së është vetë e vërteta e 21 janarit në lidhje me armët e përdorura, plumbat e gjuajtur dhe autorët e vrasjeve.

Në vazhdën e përpjekjeve për të rrumbullakosur 21 janarin janë edhe deklaratat e ditëve të fundit të ish- ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, në vizitën e tij në Uashington si kryebashkiak i Tiranës. Nuk e shfajëson Bashën përgjigja sferike që dha pas një viti për të vrarët e pafajshëm. Basha ka qenë me 21 janar 2011 Ministër i Brendshëm. Ne e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë përgjegjës menjëherë pas Berishës. Ai duhet të merret ne pyetje nga Prokuroria. Nëqoftëse ndjehet i pafajshëm, duhet të shkojë të dëshmoje dhe ta provojë këtë para organeve të drejtësisë.

Një fjalë për të akuzuarit e deritanishëm. Kanë bërë një krim sipër krimit duke ndërruar tytën e njërës prej armëve vrastare. Kanë bërë një krim para ligjit dhe para nesh duke fshirë filmimet nga serveri i kryeministrisë. Pse e kanë bërë këtë? Përgjigjet do t’i marrim nga hetimi penal i Prokurorisë. Urojmë të jenë përgjigje të vërteta që nuk e rëndojnë, por e lehtësojnë sadopak pozitën e tyre.