Sali Berisha dhe “Lëkura prej Shangreni”

0
63

TemA Online, 26 Maj 2012

Riciklimi politik i tij shtatë vite më parë bëri jehonë në të gjithë hollin diplomatik ndërkombëtar. Madje analistë tepër të afërt sot me të, por që dikur ishin armiq të betuar, e cilësonin perceptimin e të huajve si të tmerrshëm për këtë dukuri të paprecedentë. Shprehja më e rëndomtë ishte; “E larguat me pushkë, por e sollët me votë!”. Dhe e gjithë kjo dukuri, pa partizan politik, e ardhur prej individëve “altruistë” apo “delfinë” që u shkon më shumë për shtat shprehja “i dashur armik”.

Prej vitit 2005 Sali Berisha ka mbretëruar potershëm në jetën politike, ekonomike dhe social-shoqërore shqiptare. Çdo dëshirë e plotësuar ashtu sikurse e ka programuar, ideuar dhe realizuar. Dy vitet e para të mbretërimit të tij ishin të qeta, me një opozitë në riorganizim dhe që nuk tentonte seriozisht ta rrëzonte, duke vlerësuar të suksesshëm deri diku testin e presidentit “Topi” me votat e blera. Por ndryshimi i Kushtetutës solli edhe “Armagedonin” politik shqiptar. Lideri i opozitës Edi Rama besonte se pas testit president, miqësive që kishte dhe fitores së zgjedhjeve lokale, kishte fituar dhe besimin e popullit, duke tentuar të që bënte një Shqipëri ndryshe.

Ai besonte se Sali Berisha nuk ishte dhe aq i keq. Dhe me të drejtë, sepse nuk ia kishte cenuar kurrë pushtetin me seriozitet dhe “armiku” i tij e dinte këtë. Kushtetuta u kthye në duart e kryeministrit si “Lëkura e Shangrenit” e Honore Balzak. Herë pas here kujtohej për ndonjë dëshirë nga poltroni i zyrës dhe e realizonte brenda natës. Por çdo dëshirë e tij e çonte në tkurrjen e pushtetit-popull. Dhe “muaji i mjaltit” do të mbaronte aty ku një gjëmim në Gërdec jo vetëm vrau 26 vetë dhe plagosi 300, pa llogaritur dëmet sociale dhe mendore, por zbuloi zgafellen e korrupsionit familjar të vetë kryeministrit.

Nga piramida zbrisnin emri i Sali Berishës, gruas së tij që fshihte detajet e rëndësishme, djalit që ishte inspiruesi i fabrikës së vdekjes, vajzës që legalizonte firmat që ishin dënuar me vite të mos ricikloheshin (Albademil e Delijorgjit), mikut të familjes Fazllic dhe Fahri Balliu dhe deri tek ministrat kukulla që i plotësonin çdo dëshirë. Rama ishte i ri, por kur mësoi të vërtetën pasi i rrahu shpatullat kryeministrit, me duar në kokë besoi se ishte dhe një tragjedi e rastësishme. Koha tregoi tjetër panoramë, por tashmë ndryshimet kushtetuese ishin bërë.

Berisha nuk e bënte me gjumin e qetë. Dëshira e tij më e madhe ishte të realizonte “parajsën” familjare dhe ajo cenohej nga Edi Rama. Ky i fundit qëndroi gjatë në pozita jo të lëkundura karshi kryeministrit. Teksa ky i fundit i kërkonte jo vetëm garanci për familjen, por edhe për “djalin” e birësuar Lulzim Basha, skandali i rrugës Durrës-Kukës dhe 500 milionë euro abuzime, e ministrin Fatmir Mediu, që dinte gjithçka për aferën e armëve në Gërdec. Dhe kur Edi Rama nuk ia dha këtë garanci sipas zërave, Berisha u hodh në prehrin e Ilir Metës.

Por dëshira e tij kishte kosto të madhe. Dhe lëkura e shangrenit u tkurr edhe më shumë. Në zgjedhjet e 2009, jo vetëm iu desh të luftonte për t’i dhënë dy mandate LSI-së nëpërmjet “ruajtjes së votave” në numërim, (episodi Prifti dhe Meta), por ndau edhe 20 për qind të pushtetit pas koalicionit PD-LSI. Dha tre ministri dhe dy nga to tepër të rëndësishme. Por për të kishte rëndësi pushteti i ruajtur me çdo kusht dhe që Rama të mos kishte shanse të merrte pushtetin që mund ta ndëshkonte atë me burgosje.

I papërvojë në politikë, Rama besonte se duhet të luante me kartën e moralit, që shqiptarët e preferonin. Por në sistemet burokratike dhe kapitaliste e komuniste, funksionon termi ‘voton populli dhe numëroj unë”. Rama tregoi se nuk ishte politikan, por loja e pistë morale e Berishës që i plotësonte dëshirat, njëkohësisht i tkurrte dhe forcën e shangrenit. Dhe viti 2010 tregoi se sa shumë Berisha e vuante të qenit e Ramës në PS. I bënte thirrje të dorëhiqej se humbi zgjedhjet, por delfinët LMN nuk pinë ujë gjatë. I hidhte njerëz të tipit “Zhorzh Fushe” në parti, por as ata nuk kishin forcën e duhur. Rama i përgjigjej me kauzën e kutive. Me grevë e gjyqe, deri tek “Krokodili”. Por Berisha ishte i vendosur. Të mos e lëshonte lëkurën e shangrenit, me çdo lloj çmimi. Dhe krokodili nuk e “kafshoi” dot duke ia dalë, por kriza mbeti aty. Nga ana tjetër “stomaku” i partisë së Metës, prej mëse 6 vitesh në opozitë, ishte i tejzbrazur dhe duhej mbushur.

Berisha nuk bëri zë, por sherri Meta-Prifti, në dukje i improvizuar dhe toleruar nga Berisha me qëllim të caktuar, solli një batërdi dhe përrua psikik të paparashikueshëm. Dyshohet se Berisha toleroi Priftin të shkonte në ekstrem të shfaqjes së videopërgjimit. Ai e dinte se nëse nuk shfaqej, Meta mund të largohej më shpejtas refuzimit të statusit nga BE. Publikimi i videos do ngrinte kauzë antikorrupsioni për opozitën dhe afrim më shumë të Metës me PD. Dhe ashtu rezultoi, madje edhe më rëndë. Ngjarja e 21 janarit ishte një tjetër përrua psikik i një politikani despot, i pamësuar me elasticitetin, por vetëm si një “telekomandë” me dy opsione. Ose të zbutet, ose të egërsohet.

Dhe si gjithnjë Berisha zgjodhi të dytën. Por këtë herë kishte Metën në prehër që me kartonat e tij (për të u bë demonstrata dhe u vranë 4 njerëz), do e mbante në pushtet. Ndërkombëtarët nuk mund të vepronin ashtu siç duhej. I vetmi problem ishte presidenti Topi, që mund të shkonte në ekstrem. Dhe për pak ia doli, por ndërkombëtarët e dekonspiruan te kryeministri. Ambasadori Volfarth i rrëfen gjithçka Berishës dhe ky për ta parandaluar, si “mjeshtër i konspiracionit” politik, reagoi vrullshëm duke e quajtur puçist. Shumëkush e quajti lajthitje të tepruar të Berishës, por në fakt ai fitoi qëndrimin ende në pushtet. Të gjitha këto dëshira të realizuara me para dhe lobim, por që nga ana tjetër vijonin t’ia tkurrnin më keq lëkurën e pushtetit edhe me kosto gjaku.

Ai kishte dhe një tjetër dëshirë për “lëkurën e shangrenit”. T’i merrte me “djalin” e birësuar kundërshtarit të tij Tiranën, karrigen e kryebashkiakut, duke besuar se në këtë mënyrë do i jepte goditjen fatale, rrëzimin edhe nga PS. Dhe në ndihmë i erdhi fjala “burrë shteti”, sepse kishte dhënë aq shumë për “mësuesit” e tij sa i detyroheshin kaq shërbim në momentet e vështira. Plani u vu në jetë, Rama ra në pritën e ngritur prej Trojkës, zgjedhjet lokale që fare mirë mund t’i kishte bojkotuar. Gjithsesi edhe sot Sali Berisha e vuan faktin e 10 votave dhe frazën “ah sikur!”. Ah sikur Basha të kishte nja ca anëtarë familje më shumë, ah sikur Rama të mos ishte martuar, ah sikur të kishin lejuar ca fletë me bojë printeri si të rregullta, ah sikur t’i kishin bërë llogaritë pak më mirë, ah sikur….

Por kjo nuk e ndali të shprehte një tjetër dëshirë, rrëmbimin me dhunë të mandatit në tavolinë, me një KQZ partizane dhe me teserë të PD siç e cilësoi raporti i DASH së fundmi. “Lëkura prej shangreni” ia plotësoi dëshirën dhe ai e mori pas tre muajsh beteje ligjore, politike dhe prepotence. Ndërkombëtarët e quajtën të gabuar, por atij i duhej vetëm njohja e rezultatit final të Kolegjit. Dhe ashtu u bë. Dëshira u plotësua, por jeta e pushtetit u tkurr edhe më shumë. Tashmë kishin nisur metastazat, dehidratimi, pafuqia politike dhe kostoja e madhe, me një borxh ekonomik dhe krizë tejfantazisë njerëzore. Kur e pa se rivali nuk luajti nga pozita dhe për më shumë po forcohej me riorganizim, dështoi për herë të parë. Kuptoi rolin e “lëkurës prej shangreni”, e cila e kishte paralajmëruar; Çdo dëshirë e realizuar, do të ishte vdekje e tij e ngadaltë politike….

Sot, Sali Berisha është në sy të të gjithë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, një “pacient” i onkologjikut politik, që me kimioterapi po i shtojnë jetën dhe përpiqen ta shpëtojnë nga “lëkura prej shangreni”. Por ajo nuk e lëshon dhe dëshira e fundit e tij, Presidenti, pritet të realizohet. Nëse po, atëherë asgjë nuk do i bëjë më derman. Presidenti është edhe fryma e fundit e jetës së tij. Por edhe e kundërta i jep vetëm pak muaj jetë. Dhe pas gjithë kësaj loje me fatin dhe bestynitë, ai përsëri doli i humburi i madh……..Ashtu si personazhi i Honore de Balzak, i cili u shua pasi “Lëkura e Shangrenit” i plotësonte çdo dëshirë, por i merrte jetën. /AMA-NEWS