Sali Bashota – Sytë e vetmisë

0
22

…tashmë edhe gjaku i dorëshkrimeve ndryshkej në vullkanin e fjetur, ndërsa zogjtë e çuçurinin vetminë pa emër, pa trajtë, pa shenjë në një stinë tjetër të melankolisë…

Sali BashotaSytë e vetmisë

LETRA
Si të përfytyrohej një mëngjes i zakonshëm plot neurozë me shpërthimin fantastik të tronditjes së frymëzimeve në letrën e bardhë.
Pastaj, zjarri i shkronjave të ringjallura ndizej në fundbotën e shpirtit.
Çdo pranverë dallëndyshja e syrgjynosur fluturonte mbi shpinën e kërrusur të ëndrrës.
Diku në parajsë digjej letra e mallit për ty.

KOHA E VDEKUR
Në një legjendë përnjëmend jeta përfytyrohej si një mace e bardhë në hapësirën e zezë.
Ishte lojë e kurdisur në ditën e shtatë të krijimit të dashurisë.
Si gjithnjë, koha e ringjallur e përtypte legjendën e vet në udhën e braktisur të heshtjes.
Megjithatë, fryma ngulfatej bashkë me ndjenjën e harrimit në ditën tjetër.

GJUHA
Tjetër gjë ishte nëse i besohej kafshimit të fjalëve të përzgjedhura apo trupit të papërdorur të luleve në kopshtin e pashkelur.
Gjuha rrëshqiste duke mbytur zërin e humbur në hapësirë.
Kafshimi ishte lojë tjetër e fjalëve të guximshme në grumbullin e njerëzve, kur i binte pika harrimit.

NJË MINUTË
Çdo ditë përplaseshin fjalët e pathëna në adresën e pluhurosur.
Gabimisht pastrohej ndjenja e mallit në rrethinat e arsyes.
Kurrë më mjalti i gojës nuk pikonte mbi thënien e vërtetë.
Vetëm një minutë fjala e vërtetë udhëtonte në skajin e botës.
Therja e trupit avullohej brenda imazhit të frikës pa zhurmë në dhomën e vetmisë.
Çdo ditë fytyra optimiste e gëlltiste çastin e amshimit të jetës.

FYTYRA E NËNËS
Çdo mëngjes floku i saj i thinjur e krijonte harmoninë midis ëndrrës dhe realitetit.
Djepi i drurit si testament i ninullës së vyshkur në trarët e shtëpisë së djegur e përkundte tërë natën ëndrrën në parajsë.
Si gjithnjë prapë zëri i fëmijëve këlthiste në hapësirë.
Të gjitha rrudhat e ballit udhëtonin në hapësirën e përjetësisë.

VETËM ZOTI E DINTE
Tashmë ankthi i frymëzimit e zhvarroste vjershën e mbushur plot trishtim.
Figurat e gëlltisnin imazhin e ujit në detin e pikëllimit.
Qielli lotonte si foshnjë e lazdruar.
Për një çast çdo gjë merrte fund.
Vetëm Zoti e dinte.

ZËRI I ËMBËL
Gjithçka dukej e bukur në këtë ekuilibër midis ndjenjës dhe arsyes, kur prapë ndizej zjarri në sheshin e lumturisë.
Çuditërisht, gjurmët e pritjes përsëri ktheheshin në shtratin e bardhë të ëndrrës.
Zëri i ëmbël e zgjonte qytetin e përgjumur.

DUELI
Ishte një korb në ëndrrën time.
Edhe një gjarpër ishte në shishen tënde.
Ishte një natë e stuhishme në shpirtin tim.
Edhe një zjarr i mallkuar ishte në lojën tënde.
Kështu vdiste çdo ditë çasti i kujtimit në hapësirën bosh, pa dhembjen time, pa zërin tënd.

MESI I ARTË
Çdo ditë përbrenda kujtesës dhe imagjinatës flinin kujtimet e këputura apo ëndrrat e mëngjesit të mbërthyera në sfondin e shenjës së keqe.

VAPA
Akulli shkrihej në sytë e saj dhe për një çast të gjithë zogjtë e humbnin çuçurimën e tyre në tallazet e shpirtit dhe vetëm hija e lotëve fillonte të shkrihej nga gazi që e fshehte magjinë e vërtetë të fjalës, ndërsa vapa e përzier me përfytyrimin e stinës së thatë sikur e pushtonte tërë hapësirën përreth.

LEGJENDA E SHIKIMIT
Shikimi ngulitej në dritën e syve derisa rrëzoheshin për dhe fijet e këputura të shpirtit në ditën e shtatë të ofshamës së detit, pastaj rrëfehej se si në një legjendë të treguar brez pas brezi, atëbotë syri i mirë e kishte zgjuar dalëngadalë mallin e pashuar të vashës së bukur në pyllin e panjohur.

BORA
Si në ëndërr ishte krejt i bardhë imazhi i fytyrës së saj që shndriste në realitetin e përditshëm të dashurisë derisa dhembja për lulen e mërdhirë në acar ishte tepër e pikëlluar, madje e përflakur nga tundja e pavdekshme e shikimit të papërfunduar dhe, si për çudi, vdekja e gjetheve të drunjve tashmë i ngjante shkallëzimit të mërzisë në kopshtin e verdhë të ndjenjave.

PARA DHEMBJES
Motërzim
Në realitetin e gabuar të ëndrrës flinin gjarpërinjtë e përgjumur të fjalës derisa mbi vetëtimat e kafshimit të pamëshirshëm rritej një bimësi e egër në fushën e blertë të vetmisë.

ME DHEMBJEN
Motërzim
Gjarpërinjtë e përgjumur të fjalës flinin mbi realitetin e gabuar të ëndrrës ndërsa vetëtimat e kafshimit të pamëshirshëm rrisnin një bimësi të egër në fushën e blertë të vetmisë.

PAS DHEMBJES
Motërzim
Vetëtimat e kafshimit të pamëshirshëm rrisnin një bimësi të egër në fushën e blertë të vetmisë derisa mbi realitetin e gabuar të ëndrrës flinin gjarpërinjtë e përgjumur të fjalës.

GJAKU I DORËSHKRIMEVE
Një ditë vjeshte me shi fillonte të përplasej vezullimi i pastër i imagjinatës nëpër rrathët e kujtesës.
Kur përmbysej britma e fjalëve brenda nuancave të dhembjes, si gjithnjë klithma shndërrohej në realitet.
Nga habia e shikimit pikëçuditësen e melankolisë e kishte zënë gjumë i rëndë mbi ironinë therëse të natës së lagur deri në palcë.

Tashmë edhe gjaku i dorëshkrimeve ndryshkej në vullkanin e fjetur, ndërsa zogjtë e çuçurinin vetminë pa emër, pa trajtë, pa shenjë në një stinë tjetër të melankolisë.

Dr. Sali Bashota (Kosovë – Klinë, 1959), ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku tash ligjëron lëndën Romantizmi. Nga viti 2003 është drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Bashota është autor i disa librave me poezi dhe kritikë: Albumi i grisur, Zogu me profil vjeshte, Plagomë, Shqipshkrimi kritik, Dalje nga trishtimi, Kuteli prozator- poet-kritik, Domethënia e ideve letrare, Bukuri e nëmur, Ëndrra në parajsë, Proza e filleve të modernitetit etj. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. (Të dhënat publikuar në revistën “Jeta e Re”, Prishtinë 2010)