Eduard Zaloshnja / ResPublica.al
Edi Rama, në një mbledhje të Asamblesë së sapozgjedhur në Vlorë, deklaroi: “Duhet ta harrojmë Ilir Metën [si aleat]; do të fitojmë zgjedhjet me moral, me program, me bashkim; nuk mund të bashkohemi me Saliun për të mundur Saliun; nuk mund të zhgërryhemi për hir të marrjes së pushtetit”.
Por si përkthehet kjo deklaratë në numra? PD-ja, LSI-ja, dhe partitë e tjera të vogla që janë sot në koalicionin qeveritar morën gjithsej në vitin 2009 rreth 90 mijë vota më shumë se sa PS-ja dhe partitë e vogla që janë sot të renditura me të. Në qoftë se sistemit aktual zgjedhor i bëhet korrektim kombëtar, siç po kërkohet nga të gjitha partitë e vogla, koalicionit opozitar i duhet një SHTESË NETO prej të paktën 90 mijë votash, në krahasim me 2009-n.
Pra, një rrudhjeje të votave të koalicionit qeveritar prej, për shembull, 10 mijë votash (si rezultat i ndonjë përçarje të votës së djathtë), koalicioni opozitar duhet t’i përgjigjet me një rritje prej të paktën 80 mijë votash dhe, anasjelltas, një rritjeje të votave të koalicionit qeveritar prej, për shembull, 10 mijë votash duhet t’i përgjigjet me një rritje prej të paktën 100 mijë votash.
Në rast se sistemi zgjedhor nuk ndryshon, që koalicioni aktual i PS-së të arrijë shifrën E 71 mandateve parlamentare, i duhet të shtojë nga një mandat në 5 qarqe dhe TË MOS HUMBASË ASNJË në 7 qarqet e tjera.
Po në cilat qarqe është më i mundur ndryshimi i një mandati në favor të koalicionit aktual të PS-së? Në qarkun Berat koalicionit të PS-së i duhen vetëm 500 vota SHTESË NETO në krahasim me 2009-n; në Tiranë i duhen rreth 5500 vota; në Durrës i duhen rreth 5200 vota; në Shkodër i duhen rreth 5100 vota; në Kukës i duhen rreth 5800 vota.