Skënder Minxhozi
Listës së gjatë të zyrtarëve europianë që kanë apeluar për një zgjidhje të shpejtë e të qëndrueshme të krizës politike në Shqipëri, iu shtua dje edhe ministri i Jashtëm italian, Fratini. Shefi i diplomacisë së vendit fqinj, ndoshta avokati më i fortë që ka në Bruksel vendi ynë në garën e vështirë të liberalizimit të vizave, nuk mungoi të kujtojë se pa zgjidhjen e lëmshit politik në Tiranë, disa prej vendeve “skeptike” ndaj Shqipërisë mund të gjejnë shkak për ta shtyrë procesin.
Kjo që tha Fratini nuk përbën ndonjë lajm, përveçse në aspektin e insistimit dhe të përsëritjes së të njëjtit mesazh nga shumë anë. Prej verës së vitit të shkuar, kur zgjedhjet kanë lënë pas bishtin e gjatë të sherrit politik mes pozitës dhe opozitës, është e vështirë të numërohen thirrjet për kompromis, demarshet konkrete dhe takimet me të gjitha palët, që amerikanët, europianët dhe institucionet më të mëdha ndërkombëtare kanë zhvilluar.
Kjo e integrimit europian është veçse njëra nga pistat mbi të cilat lëviz absurdi shqiptar. Sepse ne nuk po afrohemi me Europën për shkak të ndonjë kënaqësie kombëtare për të zgjidhur “ushtrime të vështira”, por për të përmirësuar jetën tonë dhe për t’i dhënë formë një shtetit të denjë për ta mbajtur këtë emër. Jemi miopë, duhet ta themi, jo vetëm përballë të huajve, por mbi të gjitha përballë vetes sonë. I shtyjmë krizat, i evitojmë zgjidhjet dhe i urrejmë kompromiset, megjithëse thellë-thellë e dimë se kjo në vetvete nuk të çon askund. Nëse e shohim në mënyrë pragmatike çka po ndodh me zgjedhjet dhe me pasojat që ato kanë sjellë pas 28 qershorit, do të arrijmë në konkluzionin e thjeshtë se asnjërës palë nuk do t’i interesonte që të bënte sikur nuk sheh, sikur nuk dëgjon, sikur nuk kupton, shkurt, sikur nuk është.
Berisha e di fare mirë se pa konsensusin e opozitës as reformat kryesore nuk do të avancojnë dhe as qeverisja s’do ta ketë rrugën të gjatë. Topalli, nga ana e saj, e di se Kuvendi, të cilin e mbush me gjithfarë njerëzish, nuk mund të quhet normal, nëse opozita nuk ftohet seriozisht dhe nuk respektohet si e tillë. Të njëjtën gjë di edhe Ilir Meta, një politikan me stazh të mjaftueshëm për të kuptuar se ekuilibrat politikë janë kaq të brishtë, saqë asnjërit prej krahëve nuk i shkon të këndojë gjithë ditën me arrogancë këngën e fitimtarit. Nga ana tjetër, edhe opozita e di shumë mirë se në këtë situatë të vështirë ku ndodhet pas 28 qershorit, kërkohet shumë fleksibilitet, shkathtësi dhe kapacitet manovrimi brenda skenës politike dhe në raport me votuesit që presin të shohin të realizuara ato çka Edi Rama i kërkon prej muajsh.
Kanë pra të gjithë për të humbur dhe për të fituar. E megjithatë preferojnë të vënë bast gjithçka kanë në xhep mbi kutiçkën e fitores, pa marrë parasysh se kështu siç është pleksur kjo situatë, fare mirë dalin të humbur të gjithë. Preferojnë me kaq dëshirë të jenë miopë, kur i kanë të gjitha mundësitë të tregohen vizionarë. Duke zbuluar përditë e më tepër atë që është defekti gjenetik i politikanit shqiptar – paaftësia për të parashikuar.
Shihni atë që po ndodh aktualisht rreth nesh. Grinden për zgjedhjet, ia kanë zënë totalisht rrugën njëri-tjetrit dhe bëjnë sikur nuk e shohin këtë. Prej muajsh kriza elektorale ndodhet thjesht në pikë të vdekur. Kërkesat e opozitës dhe stoicizmi proverbial i Berishës kanë prodhuar një nyje që nuk e zgjidhi dot as tryeza e ndrojtur e Topit, as anglishtja e përzier me turqisht e Davutoglusë dhe as presioni në rritje i ambasadorëve të huaj në Tiranë. Në muajin prill të vitit 2010 situata politike, ose më mirë axhenda e krizës politike, ndodhet ekzaktësisht në të njëjtën pikë me tre, katër apo gjashtë muaj më parë. Asnjë lëvizje, asnjë cedim nga llogorja përkatëse, asnjë shenjë zbutjeje apo kartë kompromisi e hedhur në tryezë. Propozimeve të përsëritura të opozitës për të gjetur një formë verifikimi të votave apo materialit që i pasqyron ato, shumica i është përgjigjur duke ngritur një mur gome. Presidenti u tërhoq, ndërkombëtarët duken të dorëzuar para kokëfortësisë shqiptare dhe palët po mprehin heshtat dhe shigjetat. Një luftë në stil klasik shqiptar, ku kalorësit nuk lënë asnjë shteg hapur dhe ku litari vazhdon të tërhiqet me gjithë forcën, megjithëse është gati për t’u këputur në më shumë se një pikë.
Se ku të çon një rrugë e tillë pa krye, jemi në gjendje ta imagjinojmë të gjithë, secili sipas mënyrës së tij të thjeshtë apo të sofistikuar. Ajo që nuk dimë është se kur do të mbarojë ky tunel. I cili për nga natyra e krizës i ngjan shumë atij të Kalimashit. Pra, pa dalje nga ana tjetër. Bashkë me ne, mbi të njëjtën varkë pa vela dhe timon, duket se janë edhe vetë ata që e kanë prodhuar këtë gjendje. Duke luajtur fort, pa ndershmëri dhe pa sens përgjegjësie me njëri-tjetrin, krerët politikë të këtij vendi po gërryejnë bashkë me të ardhmen e përbashkët të të gjithëve, edhe imazhin, karrierat dhe të ardhmen e tyre. Megjithëse është ndofta detaji më i parëndësishëm në kontekstin e përgjithshëm.
Llogaria e politikanit tipik shqiptar është veçse meskine dhe maksimaliste. Logjikohet mbi modelin “unë nuk dorëzohem, atëherë do të dorëzohet ai para meje”, duke shkelur me shpërfillje dhe papërgjegjshmëri mbi gjithçka del jashtë kësaj skeme. Krizat në Shqipëri janë shkaktuar nga pak duar, por janë paguar nga shumë më tepër duar të tjera të pafajshme, që janë rropatur për vite me radhë për të riparuar pasojat e përplasjeve të kumarit politik që është luajtur me fatin e shqiptarëve të thjeshtë. Vitet kalojnë dhe koncept miop dhe madje i pashpirt i të bërit politikë, po mbijeton në këtë vend, tamam si ajo fara e barit të keq që nuk shkulet dhe nuk zhduket.