Sa mirë e kishim kur e kishim keq

0
30

Kimete Berisha

Pa kureshtje për ta ‘gjetur’ vet të vërtetën, dhe në mungesë të nevojës ‘për ta ditur të vërtetën’, historinë dhe religjionin, popullata shqiptare e Kosovës e kanë marrë dhe e marrin si informacion të gatshëm, të pazbërthyeshëm dhe të pakuptueshëm, çdo gjë që ia thonë hostorianët dhe klerikët!

Shumica e historianëve shqiptarë kanë qenë Makiavela të Mediçëve serb, ‘punëtorë lapsi’ të Serbisë.

Lutjet e Zotit janë bërë e bëhen në gjuhën arabe, shqiptarët kurrë as vetë nuk e kanë ditur e nuk e dinë çka konkretisht po i luten Zotit!  Dhe, çfarë po kërkojnë nga Zoti në arabisht! Nuk ka gjë më absurde por edhe më mistike sesa kur lutesh në gjuhën e huaj, të cilën nuk e kupton!

E kur i lutesh Zotit me gjuhën e huaj, e jo me gjuhën tënde-lutja nuk të pranohet!

Diçka po ndodh!
Diçka që i huton besimtarët dhe ua ‘përzien’ besimin në Zot!

Popullata shqiptare myslimane nuk e kanë të qartë çfarë po ndodh me fenë e tyre.
Diçka po ndryshon!
E asnjëri kler nuk po e sqaron, çka janë këto ndryshime radikale, që po ndodhin në fenë islame!

Çfarë duhet të mendojë myslimani shqiptar kur e sheh myslimanin arab duke rrënuar xhamitë e vjetra myslimane, për shembull xhaminë e madhe të 333 shenjëtorëve në Timbuktu, të mbrojtur nga UNESCO!

Çfarë duhet të mendojë një mysliman shqiptar kur e dëgjon lajmin se në Arabinë Saudite janë shkatërruar qindra xhami nga vetë myslimanët!

Imamët e Kosovës paraqiten ‘francezë’.  Tradita po ndryshon.  Edhe nëpër të pame, gjithmonë gjendet një familjar i sektit vehab, që i urdhëron familjarët të heqin dorë nga ritet e deritashme që i kanë praktikuar myslimanët.

Për shembull, s’bën të zihet hallvë, s’bën të lutesh për të vdekurin ( të këndosh Jacin), s’bën të vizitosh varrezat, gati asgjë që ‘ka bërë’ deri tani, ‘nuk bën më’.

Shqiptarët myslimanë ndodhet në terr informativ shpirtëror. Askush nga hoxhallarët nuk e spjegon dallimin ndërmjet doktrinës të sektit vehabist dhe islamit të sunitëve e shi’itve, që ndryshe e quajnë ‘islam tradicional’!

Tash ka ndryshuar feja, s’bën asgjë që ka bërë deri tani! E pse? Hoxhallarët nuk tregojnë se feja islame s’ka ndryshuar, por doktria e sektit vehabist, që po përhapet si me spontanitet ndër shqiptarët, është kundër sunitëve e shi’itve!

Imamët ilegalë, nëpër xhami pa minare, nëpër xhami të ‘fshehura’ midis kryeqytetit, u thonë xhematit se termi ‘vehabistë’ nuk ekziston, por u shpik nga anglezët.

Xhemati e merr këtë vajs si ‘të vërtetë’ të gatshme, pa e ditur kurrë se vehabistëve u vjen mërzi t’i quajnë vehabistë, anipse themeluesi i këtij sekti fetar (shek.XVIII), quhet Muhammed ibn Abdulvehhabi.

Vehabistëve u pëlqen t’i quajmë selafistë ose unitaristë. Quaji si të duan ata, s’është me rëndësi! Me rëndësi është të kuptojmë se çka të bën selafistë? Çka është selafisti! Cila është doktrina e sektit selafist? Çfarë duan ata?

Qëllimi kryesor i selafistëve është lufta e pakompromis kundër risive, që ata i quajnë ‘bid’ate’.
Bid’ate janë të gjitha praktikat e njohura të sunitëve e shii’tve myslimanë, përfshirë pelegrinazhin në Meke!

Vehabistët janë kundër idhujtarisë (idolatrisë), përfshirë idhujtarinë ndaj varrit të pegamerit!

‘Në emër të eliminimit të bid’ateve, me rastin e pushtimit të Medinës, e rrënuan kuben mbi kaburin (varrin) e Muhammedit a.s., e plaçkitën huxhren (lokacionin ku gjendej trupi i Muhammedit a.s. dhe çdo gjë që kishte aty.’ Vehabistët bëjnë thirrje publike për shkatërrimin e varrit të profetit, sepse janë kundër adhurimit të çdo kujt, përveç Zotit!

Po i përmend dy parime në të cilat mbështetet Doktrina vehabiste:

1. Të gjitha objektet e adhurimit përveç All’ahut, janë të rrejshëm. Të gjithë ata që praktikojnë adhurim të tillë meritojnë vdekje;
2. Masa e njerëzve e cila përpiqet ta fitojë mëshirën e All’ahut nëpërmjet vizitimit të varreve të shenjtorëve nuk është monoteiste. Këta u ngjasojnë atyre që Kur’ani i quan mushkrikun’!

Gjatë dy dekadave të fundit janë rrënuar qindra objekte fetare myslimane në luftë kundër bid’ateve. ‘Vehabistët shkatërruan tyrbet dhe simbolet në varrezat më të njohura, siç janë Bekia medinase, varrezat e luftëtarëve të Uhudit, me ç’veprim është kryer urbicid’.

Washington post shkrimtarë e intelektualë arab përmendin dhjetëra shembuj të rrënimeve të pabesueshme nga ana e vehabistëve:

– Në vend të varrit të Emines, nënës së Muhammedit a.s. në Ebva, sot qëndron rezervoari për benzinë;
– Në vend të shtëpisë së Hatixhes r. anha, gruas së profetit, sot gjendet tregu i kafshëve;
– Në vend të shtëpisë së Muhamedit a.s. sot është nevojtorja (WC) publike.

A po bëhen myslimanët shqiptarë vehabistë të pavetëdijshëm?
Duke kujtuar që ndryshimet që po i praktikojnë janë ‘bid’ate’, ata në fakt po bëhen pjesëtarë të sektit që e ka për qëllim zhdukjen e të gjitha shenjave, që simbolizojnë fenë islame të sunitëve!

Në Arabinë Saudite, aty ku u lind feja islame, aty po luftohet kundër saj. Aty ku vehabistët e kanë në dorë, janë rrënuar qindra objekte të trashëgimisë islame, dhe pa to feja islame po humb gjurmët e saj që dëshmojnë trashëgiminë islame!

Përreth Mekes kanë filluar të ndërtohen pallate moderne, të mëdha e të gjata, që do të bëjnë që nga varri i profetit Muhamed të mos shihen retë!

A është kryeimami i Bashkësisë Islame të Pejës, Enes Goga, ithtar i vehabizmit, mbasi që ai po hetohet nga Prokuroria e Shtetit për rrënimin e varreve mbi 400 vjeçare në Pejë!

Nëse është fajtor, çka ka arritur Enes Goga, kur i ka shkatërruar ata gurë të varreve!
Ka luftuar për eliminimin e bid’ateve?

Tespitë, peshqirët etj. poashtu janë risi, dhe ata kërkojnë t’i eliminojnë nga praktikat myslimane!

Femër e vërtetë është ajo femër që vishet këmbë e krye me ngjyrë të zezë, ngjyrë të cilën sunitët e kanë konsideruar ngjyrë të ortodoksëve!

Vehabistët (selafistët) nuk lejojnë interpretimi metaforik të Kur’anit!

Bëhuni çfarë të doni, por së paku le të dihet që myslimanët sunitë të Kosovës po kujtojnë se vehabizmi është shpikje angleze, dhe se ndryshimet që po ndodhin në fenë e tyre, janë risi!

Absurde. Ndryshimet që po ndodhin në fenë e tyre janë pikërisht luftë kundër risive, ‘bid’ateve’.

Popullata shqiptare myslimane nuk e ka të qartë dallimin ndërmjet sunitëve e vehabistëve!

Bëjani të qartë xhematit, dhe pastaj ata vetë le të vendosin, a janë ‘sunitë a vehabistë’.

Mos e shfrytëzoni terrin shpirtëror, padijen dhe konfuzionin që t’i bëni vehabistë duke i ‘dehur’ me ‘bid’ate’, se ju sheh Zoti të cilit ata i kanë besuar dhe i janë lutur deri tash!