Sa kushton mosparashikimi?!

0
36


Preç Zogaj, 03.12.2010

Kushton një pjesë të madhe të përmbytjeve që po përjeton Shkodra dhe fshatrat e Nënshkodrës. Kushton një pjesë të madhe të dëmeve materiale që kanë pësuar familjet e përmbytura. Kushton një pjesë të madhe të vuajtjeve dhe akthit që po përjetojnë mijëra njerëz të goditur nga vërshimi i ujërave.

Po të kishim pasur një Bunë të thelluar; po të kishim pasur një sistem të përshtatshëm hidrovoresh, digash, argjinaturash, kanalesh dhe pritash; po të kishim qenë më të kujdesshëm, më sistematikë dhe më metodikë me shkarkimet e ujërave nga liqenet e hidrocentraleve, pra po t’i kishim bërë qoftë edhe pjesërisht të gjitha këto, përmbytjet do të ishin më të vogla dhe më pak të dëmshme se sa janë. Nuk ka dyshim se katastrofa është edhe natyrore. Por, tërbimi i natyrës “ka gjetur shesh, pa po bën përshesh”.

Nga një anë të duket se natyra po e tepron më reshjet dhe vërshimet e pazakonshme, pikërisht për të ndëshkuar e shkundur një klasë politike amatoreske, mendjemadhe, fjalëmadhe, pa vizion, pa largpamësi, që nuk di t’i rendisë gjërat sipas rëndësisë që kanë, që e kujton politikën propagandë, që e pandeh drejtimin lopë për të mjelë, që kënaqet dhe tërhiqet pas spektakleve, pompozitetit, dukjes, fasadës, duke injoruar brendinë e gjërave. Reshjet dhe përmbytjet nga shkarkimet e hidrocentraleve goditën fort para një viti në Shkodër.

Qeveria u kap në befasi. Në një masë të caktuar, me gjithë dyshimet e mëdha që u ngritën në lidhje me shkarkimet, qeveria edhe mund të justifikohej atëherë.

Ka ndodhur edhe gjetkë që një situatë emergjente të kapë të papërgatitur një qeveri, apo të nxjerrë në shesh dobësitë e krijuara përgjatë viteve nga mungesa e investimeve.

Goditja e vjetshme, ndërkaq, ishte e mjaftueshme për të provokuar një analizë të detajuar, me ekipe shkencëtarësh e specialistësh, të shkaqeve të vjetra e të reja të përmbytjeve në zonën e Shkodrës.

Ishte e mjaftueshme që deputetët e Shkodrës të mos i merrte gjumi pa marrë formë dhe pa u vënë në veprim plani i masave për zvogëlimin dhe shmangien e katastrofave të tilla për mijëra e mijëra familje. Ishte e mjaftueshme që qeveria dhe kryeministri të vinin gishtin mbi plagë për të nisur projektet e para domethënëse antipërmbytje, në radhë të parë thellimin e lumit Buna. Dy herë është ndryshuar buxheti i shtetit në vitin 2010, por asnjëherë nuk mendoi kush për Bunën.

Paradoksalisht, as në buxhetin e porsamiratuar në parim për vitin 2011, nuk mendoi kush për Bunën. Në qoftë se përmbytjet e para një viti në Shkodër nxorën në dritë faktin se nuk ka parashikim dhe parashikues në oborrin e pushtetit të sotëm, përmbytjet e tanishme s’kishin nevojë për parashikues gjenialë, djalli e mori.

Këtë rol e kanë luajtur dëmet e jashtëzakonshme të herës së kaluar. Parashikimin e hoqi populli më kurriz. Por pësimi nuk bëhet më mësim në strukturën e ngurtë të pushtetit dhe qeverisë “Berisha”.

Ky është një moment dramatik për qytetarët dhe demokracinë në vend. Imagjinoni sa e pavlerë është këshilla apo kritika për një qeveri që nuk motivohet për t’u korrigjuar as nga pësimet.

Duke parë me sytë e tij përmasat e katastrofës, kryeministri deklaroi dje nga Shkodra se do t’i kërkonte ministrit të Financave një ndryshim në buxhetin e vitit 2011, për të përfshirë thellimin e Bunës në projektet e vitit. Është veprimi më i pashmangshëm, që duhet të vendoset në top listën e projekteve të qeverisë.

Dhe nuk duhet të trajtohet si shumë projekte të tjera, për të cilët janë dhënë një sasi minimale parash sa për të thënë se po fillojmë këtu dhe atje. Projekti i thellimit të Bunës nuk duron shakara propagandistike apo elektorale.

Ai duhet të mbulohet me financim të plotë dhe të realizohet në afatin më të shpejtë të mundshëm. Projekte të tilla nuk kanë “duk” dhe nuk ushqejnë shumë mburrje të jashtme kur bëhen, por prodhojnë shumë turp kur nuk bëhen. Si turpi që ofron sot për të zgjedhurit e Shkodrës dhe për qeverinë Buna e shkretë.

Duke kërkuar nga Shkodra atë që nuk mund të mos kërkohet tashmë – përfshirjen e thellimit të Bunës në buxhetin e ri – kryeministri na tregoi se Buna ishte harruar përsëri, se u desh një katastrofë e re, më e rëndë se e para, që dikush të kujtohej.

Mund ta themi njëmijë herë dhe nuk është e re të themi se kryeministri ka harruar rrugës premtimet e veta të vjetshme për Bunën. Por këtu është rasti të flitet edhe për të zgjedhurit që votohen nga qytetarët. Çfarë bëjnë ata?

A mos edhe ne njerëzit e mediave e justifikojmë apatinë dhe indiferencën e tyre duke shkruar e folur vetëm për përgjegjësitë e qeverisë? Kam një arsye ta ngre problemin edhe në këtë formë. Si ish-deputet i Lezhës, së bashku me kolegë dhe zyrtarë lokalë të Qarkut, duke sensibilizuar vijueshëm kryeministrin dhe ish-ministrin e Bujqësisë, zotin Emin Gjana, ia kemi dalë që bashkërisht të realizojmë thellimin e lumit Drin.

Projekti ishte i Akademisë së Shkencave. Financimi i buxhetit të shtetit. Nuk është zgjidhur gjithë problemi kompleks i përmbytjeve në Lezhë, por, siç thotë populli, “është kapur demi nga brirët”.

Të jesh parashikues në këtë sferë nuk do të thotë të jesh orakull, por thjesht të kuptosh dhe të renditësh drejt nevojat e njerëzve, rreziqet eventuale që u kanosen atyre, burimet e zhvillimit të zonës dhe vendit. Investimet duhet të ndjekin këtë renditje.

Kaq është. Klanet e sotme politike dhe qeveritare nuk e njohin parashikueshmërinë si vlerë. Ato kultivojnë servilizmin dhe interesat e vogla. Shkodra e përmbytur është një fotografi e këtij deformimi. Që kushton shtrenjtë, shumë shtrenjtë.