Arbër Zaimi, 22.03.2011
Prej kohësh në Shqipëri imponohet një ideologji e besimit tek të huajt, ekziston një opinion i përgjithshëm sipas së cilit ne shqiptarët na qenkemi të paaftë për të bërë ndonjë gjë të mirë, dhe gjithçka e vlefshme mund të vijë vetëm nga jashtë.
Ky mentalitet reflektohet tek respekti për institucionet, jo rrallëherë ne tentojmë të respektojmë më tepër institucionet e të tjerëve se sa tonat.
Ky imponim ideologjik rrënjët i ka të thella, dhe bazohet në perceptimin e vetvetes si i paaftë për të ndërtuar shtet, për të marrë pjesë në politikë si qytetar e si popull, pikërisht për t’i lënë vend atyre që synojnë të mbajnë një pushtet të parrezikuar e të parrezikueshëm. Imponimi bëhet veçanërisht i pështirë kur të huajt përdoren për të zhvlerësuar argumentin e tjetrit.
Jo rrallë nëpër debatet mes palëve, ato trembin njëra-tjetrën duke u treguar mbështetjen e njërit apo tjetrit ambasador, apo europarlamentar.
Ndërkohë harrohet që ndërkombëtarët kanë një terren politik ngjashëm me tonin.
Edhe politikanët ndërkombëtarë, edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, si edhe çdo njeri tjetër, nuk janë imparcialë, natyrisht që kanë simpatitë, bindjet, e bashkësinë e tyre të vlerave, që ndryshojnë nga individi në individ.
Kështu, është më e natyrshme të mendosh që europianët e qendrës së majtë do të mbështesnin aksionet e Ramës e ata të qendrës së djathtë ato të Berishës, po nuk është aspak logjike t’i shohësh ata si arbitra mbi palët. Për më tepër që ata, si kushdo tjetër, mund të blihen.
Deputeti i Parlamentit Europian Ernst Strasser të dielën dha dorëheqjen pas skandalit që shkaktoi publikimi i një artikulli investigativ në të përjavshmen britanike Sunday Times. Artikulli botoi rezultatet e provokimit të një grupi gazetarësh britanikë, të cilët të maskuar si përfaqësues biznesesh tentuan të “blinin” me para në dorë mbështetjen e 60 deputetëve në Parlamentin Europian, por në fund, në rrjetën e gazetarëve duket se kanë rënë vetëm tre peshq.
Bëhet fjalë për austriakun Ernst Strasser, sllovenin Zoran Thaler dhe rumunin Adrian Severin, të cilët para se të vinin në parlamentin europian kanë mbajtur poste tepër të rëndësishme në vendet e tyre të origjinës.
Strasser, deputet i grupit të Partive Popullore Europiane, ish ministër i brendshëm i Austrisë, e ka pranuar hapur që ka marrë para në këmbim të influencës. Siç ka thënë pasi ka dorëzuar dorëheqjen e vet, ai është lobbyist, dhe këtë punë ka bërë gjithnjë.
Përmes firmës së tij të regjistruar në Vjenë, Strasser deklaroi se përfitonte deri në 500 mijë euro në vit, pikërisht duke shitur influencë politike e duke mbështetur iniciativa ligjore që i interesonin njërit grup apo tjetrit. Sipas europarlamentarit austriak nuk ka asgjë të keqe të marrësh para në këmbim të mbështetjes, edhe pse kjo ndalohet shprehimisht prej rregullores së institucionit në fjalë.
Ernst Strasser nuk është emër krejt i panjohur për Shqipërinë, pasi ka qenë një prej europarlamentarëve më aktivë, sidomos kur vjen puna për mbështetjen që i është dhënë Sali Berishës në përballjet e brendshme që ai ka patur me opozitën.
Ernst Strasser ka qenë konsistent në këtë pikë, sa herë që shtrohej çështja e Shqipërisë, qoftë kjo mbi parregullsitë zgjedhore të 2009, qoftë mbi 21 janarin e 2011, ai i ka dhënë të drejtë kryetarit të Partisë Demokratike, bazuar edhe mbi parimin e aleancës, meqenëse partia e Berishës është pjesë e të njëjtit grup partish.
Nga ana tjetër, edhe dy deputetët e Partisë Europiane Socialiste, Severin e Thaler janë protagonistë në ngjarjen korruptive që provokuan gazetarët e Sunday Times. Këta të dy refuzojnë ta pranojnë se kanë marrë para për të shtyrë përpara ligje e amendamente në Parlamentin Europian.
Gjithsesi, kryetari i PES ka deklaruar që pasi të flasë me dy europarlamentarët, në rast se mitmarrja rezulton e vërtetë, do të sugjerojë dorëheqjen e tyre. Duket se kjo është një ceremoni thjesht formale, Severin e Thaler së shpejti do të ndjekin rrugën e kolegut të tyre që tashmë u zhvesh nga mandati e imuniteti i këtij superparlamenti.
Ernst Strasser
Vjeç 54
Kombësia: Austriake
Grupi Parlamentar: Partia Popullore Europiane
Pozitat: Ministër i Brendshëm i Austrisë 2000-2004
Menaxhon një kompani konsultimi që fiton 500 mijë euro në vit
I tha gazetarëve të Sunday Times kur i ofruan para: “Sigurisht që jam lobbyist, dhe e pranoj hapur këtë punë”
Zoran Thaler
Vjeç 49
Kombësia: Sllovene
Grupi Parlamentar: Aleanca Progresiste e Socialistëve dhe Demokratëve
Pozitat: Ministër i Jashtëm i Sllovenisë gjatë viteve 1990, para se të hapte një kompani të telefonisë celulare.
I tha gazetarëve të Sunday Times kur i ofruan para: “M’i kaloni nëpër një kompani londineze që t’i fsheh, s’kam asnjë mënyrë që t’i justifikoj këto para”
Adrian Severin
Vjeç 56
Kombësia: Rumune
Grupi Parlamentar: Aleanca Progresiste e Socialistëve dhe Demokratëve
Pozitat: Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Rumanisë në vitet 1990. Raportues i OKB për të Drejtat e Njeriut në Bjellorusi.
I tha gazetarëve të Sunday Times kur i ofruan para: “Ju vë në dijeni se amendamenti që kërkuat ju është shqyrtuar në kohën e duhur”