Sa herë flet kryeministri, vrasin veten 2 shqiptarë

0
57

Fjalimet e kryeministrit Sali Berisha duket se mbjellin viktima të vetëvrasjeve në Shqipëri. Varfëria, papunësia, gjendja ekonomike dhe sociale, stresi dhe konfliktet për shkak të gjendjes psikologjike, janë shkaqet e evidentuara gjatë hetimeve. Viktima të moshave nga 16-70 vjeç. Por interesant është fakti se kurba e vetëvrasjeve, që janë të llojeve të ndryshme, vetëhelmime, vetëvarje, vetëvrasje me armë dhe mbytje, rritet së tepërmi gjatë ditëve që kryeministri Sali Berisha e zapton ekranin e televizorit live për më shumë se një orë. Ka ditë kur del edhe 3 herë në deklarata të ndryshme apo deri në 2 orë. Interesant është fakti se gjatë javës që udhëtoi për në SHBA, gjatë asamblesë së OKB-së në Nju Jork, numri i vetëvrasjeve ka qenë shumë herë më i vogël.

Mesatarisht kur flet kryeministri vetëvriten 2 persona në ditë, kurse gjatë vizitës në SHBA, në një javë, 19-25 shtator, u vetëvranë jo më shumë se 2 vetë. Duket se kryeministri ka një impakt negativ në jetët e qytetarëve sa herë del në televizor dhe si për koeçidencë flet për lajthi e drufrutorë në Librazhd, ku shënohet numri më i madh i flijimeve apo për gjendje ekonomie të mrekullueshme. Më poshtë dukuritë e ndodhura këto dy javë. Para vizitës në Amerikë, situata e vetëvrasjeve ka qenë e njëjtë, me një mesatare 2 viktima në ditë.

19-25 shtator 2011
Vizita e Berishës në SHBA është shoqëruar jo vetëm me rënien e një shiu për tre ditë me radhë pas katër muajsh thatësire dhe vape, por edhe me shuarjen e dukurisë së vetëvrasjeve në vend. Gjatë kësaj periudhe nuk janë shënuar më shumë se dy të vetëvrarë gjithsej në një javë.

26 shtator 2011
Berisha kthehet nga SHBA dhe flet në Grupin Parlamentar më shumë se dy orë për sukseset e arritura ne Nju Jork, takimet me liderët dhe pasionin e shqiptarëve për arrorët dhe ullinjtë. Ai thotë se Shqipëria është model në Evropë dhe Botë për ekonominë e qëndrueshme dhe rritjen.

Ndërkohë në Rrogozhinë Kreshnik Selmani, 27-vjeç, ka vrarë me armë të fejuarën e tij shtatzënë 22-vjeçaren Marsida Hoxha, e më pas ka qëlluar edhe veten me të njëjtën pistoletë. Burime pranë vendngjarjes pohuan se e reja ishte 3 muajshe shtatzënë.Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shtëpinë e vajzës, ndërsa burimet paraprake të policisë sqarojnë se shkak për vrasjen është bërë një konflikt i rastit mes çiftit në depresion. Kujtojme se ate dite, ne Malesi te Madhe, babai ka vrare te birin me arme.

28 shtator 2011
Berisha flet për gjuetinë, arrorët dhe ekonominë në rritje, pasionin e shqiptarëve. Mirëqenie në familjet shqiptare dhe ulje papunësie. Fjalimi mbahet në Këshillin e Ministrave gjatë mbledhjes dhe zgjat mbi një orë.

Në këtë ditë, gjate orëve të drekës, në fshatin Gopësh të komunës Moglicë në Korçë, në një ndërtesë të pa banuar, babai gjen të varur në litar djalin e tij 16-vjeçar, me inicialet R. C. Shkak sipas policisë është bërë depresioni i përjetuar nga fëmija.

29 shtator 2011
Berisha flet ne parlament për ekonominë gjatë interpelancës, të ardhurat e shqiptarëve që shkojnë deri në 8 mijë euro dhe mirëqenie ekonomike, luftë korrupsionit dhe suksese. Por në Elbasan, në lagjen “Shënkoll”, është hedhur nga kati i 4-t i një pallati shtetasi Ermir Dyrmishi, 35-vjeç, i cili humbi jetën. Policia e Elbasanit në përbërje me grupin hetimor, shkuan në vendin e ngjarjes, ku kryen veprimet e duhura proceduriale, nga ku u konstatua se Dyrmishi kurohej për gjendjen depresive që vuante. Pikërisht kur kryeministri fliste në parlament, është vetëvarur në fshatin Katjel të komunës Rrajcë të Librazhdit një 55-vjeçar. Bedri Gurra, banues ne fshatin Katjel, u gjet i vetëvarur në pemë me litar, kurse shkaqet mbeten të panjohura.
AMA NEWS