Albin Kurti, 04.06.2010
Korporata si një peshkaqen i madh pret e shikon se cili peshk është mjaft i madh që ta marrë mundin për ta ngrënë. Edhe i këtillë është kuptimi i integrimeve rajonale të fqinjësisë së mirë në këto vendet e Ballkanit perëndimor që vazhdojnë të mbesin jashtë BE-së.
Kompanitë e mëdha të rajonit nëpërmjet konkurrencës ndërmjet vete i përkufizojnë kompanitë më të mëdha. Pikërisht këto paraqesin mandej ata peshqit e mëdhenj, të cilët peshkaqenët edhe më të mëdhenj i presin me gojë hapur. Formësohen peshqit rajonalë për peshkaqenët globalë.
Liberalizmi dhe pluralizmi janë larg të qenit sinonime. Jetojmë në epokën kur liberalizimi më parë ka rezultuar me monopole ose duopole që janë në kundërshtim me idenë qendrore të liberalizmit si doktrinë. Nuk është aspak e rastësishme që nga CEFTA po përfiton më së shumti Sllovenia.
Pasi që Pakti i Stabilitetit i mblodhi plaçkat me diferencë të madhe ndërmjet ambicieve fillestare dhe rezultateve përfundimtare, rajoni na shfaqet më së shpeshti si CEFTA.
Politikanë e analistë nga më të ndryshmit duan ta bindin popullsinë që neve po na shkaktohen humbje nga kjo marrëveshje, meqenëse Bosnja dhe Serbia (të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës) nuk po i lejojnë eksportet tona në shtetet e tyre as si vende transiti dhe as si vende destinacioni.
Mirëpo, para kësaj pasoje dytësore, CEFTA është e dëmshme, sepse ne duhej ta hapnim plotësisht tregun duke qenë më i varfëri vend në rajon, me ç’rast na mbuluan me produkte të huaja dhe njëkohësisht u ngulfat prodhimi vendor.
Shumë nisma që ideohen nga BE-ja nuk na trajtojnë si të barabartë me të tjerët në këtë rajon, duke i rritur kështu edhe dallimet ekzistuese. Natyrisht, përveç faktit të mirënjohur që Kosova trajtohet krejtësisht veçmas, d.m.th., çdo herë e për gjithçka “sui generis”, saqë krijohet përshtypja që kjo “sui generis” është Kosova vetë.
Ashtu si qëndrojnë gjërat tash, Kosova është më së largu integrimit në BE krahasuar me të gjitha vendet e rajonit, por, paradoksalisht, ajo tashmë e ka edhe më së afërmi BE-në, sepse e ka atë këmbëkryq në shtëpinë e vet ku sundohet prej misioneve të saj si EUSR dhe EULEX.
Meqë nuk dihet se sa afër është integrimi i Kosovës në BE, por disi dihet që është së paku një dekadë larg, nga procesi i tanishëm drejt BE-së (e që, në fakt, zyrtarisht as që ka filluar) shumë më tepër dobi ka vetë BE-ja sesa Kosova.
Pikërisht këtë integrimin europian të Kosovës, BE-ja vazhdimisht e përdor si mekanizëm disiplinues ndaj krerëve politikë e institucionalë në Kosovë, por edhe ndaj krejt popullatës, gjithnjë për hir të stabilitetit rajonal.
Të mos harrojmë që EULEX-i i bastisi zyrat e MTPT-së dhe pronat e Fatmir Limajt, vetëm atëherë kur i kishte rënë rejtingu aq poshtë saqë po të mos bënte diçka të llojit çfarë bëri, do të kolapsonte keq dhe, madje, nga pritjet e ngritura të qytetarëve, do të rrezikohej mu stabiliteti aq i dëshiruar nga regjimi ndërkombëtar.
Pra, EULEX-i ndërhyri që të mos intervenonin vetë qytetarët të cilëve u është mbushur kupa. Edhe nëse ndonjë veprim i EULEX-it eventualisht arrin të cilësohet si drejtësi kjo është pasojë e qëllimeve tjera që ka ndjekur ai (stabiliteti para së gjithash) e jo pse synohet vetë drejtësia.
Në këto ditët e shkuara kur secilit politikan të Serbisë që i tekej hynte në veri me truproja të armatosura, u bë e qartë që sundimi i ligjit është selektiv dhe s’ka të bëjë me drejtësinë, por me stabilitetin rajonal.
Njësoj, u bë e qartë që Kushtetuta zulmëmadhe e Republikës së Kosovës është, ashtu siç duket, veçse letër.