Xhemail Peci
(Fragment)
Rugova është ngritur shpesh si jatagan i brinjëve të trupit kundër pushtuesve shekullorë. Ajo është vatra e pashuar e flakës së atdhedashurisë, burrat e së cilës iu janë përgjigjur gjithmonë kushtrimeve shekullore për ta mbrojtur tërësinë tokësore. Ajo ka qenë sofra e shtruar me barut – për armikun, dhe me bukë, me kripë e me zemër – për mikun.
Rugova është kënga e kreshnikëve, është eposi legjendar që i ka dhënë lëndën e trimërive të saj lahutave, këtyre lotoreve tona të cilat në mungesë të heksametrave të Homerit, si kronika të përvajshme shënonin trimëritë legjendare dhe frymëzonin djelmëninë atdhetare.
Rugova ka parë dhe përjetuar shumë, ka parë plojë dhe gjak, luftëra dhe masakra, tmerre dhe lemeri, por edhe ka qëndruar fort sepse sa shkonte një pushtues vinte një tjetër.
Rugova është vatra ku është ruajtur e përcjellur brez pas brezi dashuria për atdheun e për kombin, për gjuhën e për flamurin. Ajo është sofra ku u gatua e u ruajt ndjenja e atdhedashurisë, e ku burra dhe gra luftuan krah për krah kundër armikut. Aty i është kënduar trimërisë legjendare, por në epikën e saj legjendare i është kënduar edhe bukurisë për Gjelinën e Bardhë. Njerëzit e Rugovës janë të bekuar me shpirtmadhësinë dhe shpirtbardhësinë e tyre, po furtunat e fatit të pafat, sollën mbi kokat e tyre kujë e vaj, gjamë e dhimbje, një fat që ata nuk e meritonin ta kishin kurrë, sepse shpirti i tyre ishte shumë më fisnik, shumë më bujar, shumë më i lartë, dhe shumë më i bardhë sesa zezonat e mallkuara të shekujve.
E megjithatë, mes kujës dhe gjamës, mes vajit dhe ankthit, lokemadhet e Rugovës, këto sopotare të kombit e këto zemërbardha që shpalosën shamitë e tyre (si vetë zemrat e tyre) drejt qiellit, dërgonin mesazhet më paqësore që ndonjëherë dhimbja për Omerin e vrarë kishte lutur providencën hyjnore, që nga koha e Ajkunës.
Me pëllëmbët e duarve të tyre të përflakura nga buka që piqnin në magje, me stendat e muzeut të krahanorëve të tyre që nxjerrnin lutje bekimesh e përjetësimesh prej zemërbardhash, me duart e tyre të përgjakura nga luftërat dhe bajonetat, ato janë shamibardhat shpirtshpalosur, janë mermeri më monumental që Perëndia ia ka dhënë si bekimin e saj më të shenjtë Rugovës kreshnike.
Janë duart e tyre që kanë përkundër djepin e heroizmit e të trimërive legjendare, janë ninulat e tyre ato që e kanë mundur vajin e thekshëm të lahutave dhe kanë sfiduar mortin.
Rugova ka ecur mes zjarreve dhe flakëve, mes stuhive dhe shqotave, mes pritave dhe ndërskamcave, mes egërsive dhe padrejtësive të shekujve, mes lukunive të ujqërve të uritur dhe qenëve të tërbuar, të cilët turreshin ta kafshonin në errësirën e shekujve të çmendur, që aq mizorisht ranë mbi të.
Rugova ka ecur këmbëzbathur dhe këmbëpërgjakur mbi tehet e shpatave e mbi majat e jataganëve.
Rugova ka shpalosur gjoksin përballë breshërisë së plumbave, e ballin e ka ngritur tej lartësisë së Bjeshkëve, duke sfiduar mallkimin dhe duke gjakuar bekimin e brezave, që si një testament gjaku lenin trashëgim të bardhën e zemrave dhe të bardhën e sofrave.
Rugova është logu i burrave e logu i zanave, logu i luftës e logu i mendjes. Aty është gatuar ndjenja e lirisë, aty është pjekur buka e aty ka jehuar kënga dhe vallja.
Rugova është ansambli epik i martirëve të kombit, të cilët ngrisnin shtatin e tyre përmbi bjeshkët.
Me plagët që i kullonin gjak si plagët e Gjergj Elez Alisë, me trupin plagosur e me varrët e hapura, Rugova e vinte opingën përmbi gurë e nuk linte t’ia shkelnin barin mbi vorre. Aty vallja merrte shtat e kënga rriste brezat.
Rugova është epika legjendare e Zhuj Selmanit, që lirinë e kishte për këngë e për djep. Rugova është logu i urtë i burrave të motit, të cilët si në Senatin e Romës antike, herë në dritën e Hënës e herë në dritën e kandilit, mblidheshin – jo se si të pushtonin tokat e huaja, por të cilët e tirrnin aq holl mendimin e tyre në një mision edhe më të vështirë se si të heshtnin armët e të flisnin librat.
Nga mendja e këtyre burrave me tiparet dhe virtytet e fisnikëve të Arbërisë, dhe nga vendimet e tyre jetike, varej e ardhmja e djepave dhe e brezave që do të vinin.
Vallen dhe këngën e Rugovës e kanë parë të gjithë, trimërinë dhe mençurinë e saj e njohin larg. Ajo e ka dhënë provën në zjarrin e luftës, ajo e ka ngritur të bardhën e saj në brezin e qiellit.
E veshur me tirq e me xhamadana, por edhe e stolisur si një nuse e bukur lirie e si dasmore e bahtit të Afërditës në një cep Ilirie, Rugova është një Zvicër në miniaturë.
Ajo është Mona Liza e kombit.
Ajo është dora e bardhë sa edhe e butë që kënduar dhe bekuar ka përmbi djepat: që djepat të rriteshin sa shkrepat, që brezat të rriteshin si plepat, që burrat të ngjanin me kullat. Barut gatoi Rugova në luftë e dritë gjakoi, sa herë që hordhitë e çmendura barbare shkelën mbi pragun e saj të shenjtë, mbi pragun e lirisë së saj.
E veshur me kostumet kombëtare, e veçmas me të bardhën e saj karakteristike sa dhe të bekuar, që veç Perëndia ia ka falur në shenjtërinë e vet, me të bardhën e mbështjellur drejt fytit e të ngritur mbi kokë si kreshta e Bjeshkëve, Rugova është shamibardha jote Shqipëri.
Rugova është kënga e brezave, është testamenti i gjakut, është vallja e shekjuve që sfidoi mortin i cili aq padrejtësisht dhe aq shpesh i ra mbi kokë.
Rugova është lumi i gjakut e himni i pragut është: Rugova. E kënga e saj çeli si një trëndafil mbi bokërrima, e ecja dhe rimti i valles së saj, është si lulekuqet dalur prej gjakut.
Kur ranë zezonat mbi te, e kur vdekja mbillte varre, kur thikat nguleshin mbi djepa, e kur edhe bajonetat binin mbi gjirin e grirë me thika, Rugova sfidoi barbarët.
Mbi vdekjen ajo mbolli vallen, e toka e saj mbolli farën e plumbave, opingat e levendëve të saj rrufetë mbanin në tufat e tyre, e kur ushtritë e zeza donin ta shtrinin përdhe, shpirti i saj epik si një ansambël monumental që përfaqësonte palcën e një kombi të tërë, u ngrit në lartësitë e Bjeshkëve e drejt lartësive të Qiellit: krenari dhe burrëri e mishëruar në ritmin e valles, qëndresë dhe shpresë në tingujt e lodrës, dhimbja qe sa bjeshka po zemra më e madhe qe.
Rugova – toka bujare e gjakut, Rugova – epika jote legjendare Shqipëri. Shi malli e lum prej gjaku Rugova. Rugova – ansambli epik i këngëve dhe valleve, i Bjeshkëve dhe betejave.
Rugova – shamibardha jote Shqipëri.
Rugova – frymëzimi i rrallë i Lasgushit për burimin e Drinit të Bardhë, që mes për mes i bie gjeografisë së Shqipërisë.
Rugova – lutja e Pjetër Budit: Qoftë për të mirën e Dheut të Arbërit!
Rugova – kryevargu i Pjetër Bogdanit: Veshur me Diell, mbathur me Hënë!
Rugova – e levendëve të maleve si Sali Ukella që s’i lidhi kurrë sytë para togut të zi të pushkatimit. Rugova – e kreshnikëve Nikë Deda e Ndre Nika, Rugova e Ndrenikajve e Nikëdedajve me rrënjë gjaku e që qiellit i folën po me zë gjaku, Rugova e Jashar Haxhës që kokën e ngriste si hidra kundër knjazit e krajlit, Rugova e Çelë Shabanit – Komandant i Vullnetarëve në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Rugova e Sokol Çelës e Hysen Alisë – që me gjak të kulluar prej fatosash të kombit lanë altarin e lirisë së Shqipërisë, Rugova e Haxhi Çelës e Nure Kurtit, Rugova e vëllezërve martirë: Fetah e Salih Ukella, Rugova e trimit Zhukë Haxhia, Rugova e Ker Sadri Bardhit, që s’i bindej as knjazit e as krajlit – gjysh pas gjyshi e djalë pas djalit, Rugova e Sak Fazlisë, Rugova e Emrush Miftarit (Pinjoll i Malajve të Rugovës) – poetit të pushkatuar nga hordhitë barbare; Rugova e Bege Maliqes dhe Bikë Alisë, Rugova – me brinjët e trupit në shtizë flamuri, Rugova e Aliut dhe e Ibrahimit të Malajve: lule lirie në pranverën e përgjakshme të vitit 1981…
Rugova – e lahutarëve që bjeshkët përkulën nën tingujt e veglës hyjnore, e ujëvarat mblodhën në etjen e zemrave, gurrat në zërat. Tridhjetë vjet lahutari Isuf Selmani s’e lëshoi lahutën nga dora. Rugova – epika kreshnike e lahutës, të cilën si një testament gjaku i drurit të zgavruem në zemër-klithjen: Çohu Kacel, merre lahutën, e na k’no nji kangë shqiptare, se s’mbajmë zi pa dalun fare! – e merrte herë Qos Alia i Stakajve e herë Metë Rrustemi i Shtupeqit të Vogël, herë Haxhi Meta i Nilajve e herë Arif Zhuji, e me vajin e thekshëm të burrave lahuta përkulte majat e Bjeshkëve nëpër bulëzat e faqeve, e tek rridhnin ashtu në sytë prej kreshnikëve të atyre burrave, tingujt dhe lotët ngjanin me rrëketë e ujëvarave, të krojeve dhe të gurrave; sa herë që kujtohej e lartësohej trimëria e brezave dhe të gjeneratave të shqiptarëve atdhetarë, qëndresa stoike e Ajkunës, shamia e bardhë e të cilës si një bekim i shenjtë Perëndie kishte rënë mbi djepat e tyre.
Rugova, sa herë që ia kërkoi koha, kjo valltare vigane e shekujve e kjo dëshmitare e ngjarjeve të parreshtura, nuk e lëshoi kurrë pushkën nga dora; pushkën, lahutën dhe penën. Ajo e hoqi vallen e këngës ia morri, duke e shpalosur si një ansambël monumental heroizmin e saj epik dhe krenarinë e të qenunit shqiptarë e bij shqiptarësh.
Rugova – zemërthirrja e shamibardhave të saj, të cilat në një ditë gushti, si në një nderim të shenjtë për kryevargun e Pjetër Bogdanit: “Veshur me Diell, mbathur me Hënë”, hapën arkat me stoli – arkat ku Shqipëria ruan reliket e saj për t’i shpalosur në rastet më të rralla, e morën prej aty qëndismën e zemrave të tyre, tek luteshin për krye – poetin:
Lamtumirë, poet! Të qoftë i lehtë dheu, dhe paqja: e amshuar!
Rugova: Shambibardha jote Shqipëri!…