Rugova mes letërsisë dhe politikës

0
29

Ndue Ukaj

Ibrahim Rugova, para se të ishte politikan, ishte njeri i letërsisë. Ai lexonte dhe e vlerësonte leximin. Ai shkruante dhe e vlerësonte shkrimin. Ai përsiaste për tema e fenomene kulturoro-letrare dhe nëpërmjet tyre e jetësonte vizionin e tij prej intelektuali. Për një kohë të gjatë, qëndroi pranë librit dhe nëpërmjet tij nxiti idetë progresive, duke synuar kulturimin e gjithmbarshëm, ndërsa këtë mision, i shtytur nga rrethanat, do ta vazhdoi në politikë, me metoda të politikës, por asnjëherë duke u shkëputur nga burimi: libri si dije dhe kulturë.

Ishte e kuptueshme: intelektuali meditans, s’mund të rrinte pranë librit, kur e shihte si rrënohej Kosova, bashkë me një sistem të pështirë ideologjik që po jepte shpirt. Ndaj, vihet në aksion jo nga dëshira, por nga nevoja. Ai, siç do të thoshte, në këso situatash intelektuali kishte dy zgjidhje: të rrinte pranë librit apo të dilte në aksion. U përcaktua për të dytën, mirëpo asnjëherë pa u shkëputur nga libri si dije e kulturë. Me librin dhe shkrimin si udhërrëfim, u bë politikani më i kulturuar i botës moderne shqiptare. Ndërsa, me tagrin dijetarit që prirej nga përgjegjësia dhe ndërgjegjja e lart, e injektoi politikën me etikë dhe kulturë, ndërkaq shpërtheu në diplomacinë e jashtme, mu pse s’ishte politikan i sterotipeve retorike primitive, çfarë kishte prodhuar Ballkani i tij nëpër vite.

Ernest Koliqi, në tekstin “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë”, shkruante me një vendosmëri prej eruditi: “De Rada (1814-1903), Naim Frashri (1846-1900) dhe Gjergj Fishta (1871-1940) mund të konsiderohen me plot arsye ndërtuesit e Shqipërisë së sotme.” Një autor që i mungon këtij triniteti, por që mund të quhet me të drejt ndërtues i Kosovës së sotme, është Ibrahim Rugova. Ky pohim gjen mbështetje në frytet e punës së tij kulturore e politike.

Ernesit Koliqi kur pohonte se ndërtuesit e Shqipërisë së sotme ishin tre shkrimtarë, qëndrimin e tij i mbështeste në sërë argumentesh historike e letrare, që ndërlidhen me zanafillën e kulturës shqiptare, formimin, zhvillimin dhe konsolidimin e saj. Dhe siç mirëdihet, kultura shqiptare, me tipare shënjuese nacionale, u ngjiz nga shkrimtarët, u kultivua për shekuj të tërë nga sëra e tyre; prodhimtaria kulturore dhe intelektuale e të cilëve pati një funksion jo parësor estetik. Ata ishin krijues të kulturës kombëtare, por edhe hartues të platformës për çlirim, pavarësi edhe pastaj emancipim.

Sipas argumenti të sipërpohuar, që gjithsesi ka mbështetje konstante historike, kombi shqiptar është krijuar nga shkrimtarë, të cilët, kur e kërkonte puna linin librin dhe viheshin në aksion. Ibrahim Rugova, në vazhdën e një kulturë që kishte lëshuar rrënjë ndër shqiptar, do ta vazhdoi këtë mision e betejë. Ai, me një vetëdije të mbrehtë historike, i formuar si rrallëkush brenda kulturës autentike shqiptare dhe asaj perëndimore, hyri në politikë si njeri i librit. Politikën s’e pati vokacion, por thirrje, mision në funksion të sendërtimit të Kosovës kulturore, që ishte platformë dhe objektiv politik. Ndaj, ju dashtë ta rindërtoi bashkimin shpirtëror të shqiptarëve të Kosovës, në hollinë e një kaosi ideologjik e identitar që po perëndonte. E filloi me refuzimin estetik ndaj të keqes dhe paralelisht u përpoq të krijonte modelin autentik, me shenja e figura që buronin nga kultura kombëtare, të cilën ai e njihte mirë.

Misteri i suksesit të tij, ajo nyja nevralgjike që e bëri atë të fitoi epitet të admirueshme ane e kënd botës së përparuar, është pikërisht kultura, e cila, u bë pikënisja prej ku filloi jetësimi i platformës së afirmuar kudo në botën e përparuar: liri, demokraci e pavarësi. Duke e ndjekur pohimin e Koliqit dhe duke i analizuar frytet e veprimit politik të Rugovës, objektivisht dalim te konkluzioni: Ibrahim Rugova është ndërtues i Kosovës së sotme.

Një letrar meditans, nxënës i Roland Barthesit, platformën politike do ta ngjizte si platformë kulture, me shenja e simbole të proveniencës kulturore, të cilat, i pohonte dhe ripohonte vazhdimisht. Ndaj, ai s’prani së kërkuari shenjat identitare, si simbole esenciale dhe të domosdoshme, për të formësuar kauzën për Kosovën e sotme.

Pa dyshim, ai ishte intelektual i kalitur në dijet moderne letrare dhe fliste, shkruante dhe vepronte me kompetencë. Karrierën e filloi duke shkruar poezi, ndërkaq me kohë profilizohet në domenin e kritikës dhe studimeve letrare. Karakteristikat e veprimtarisë së tij të bujshme letrare, janë, ndër të tjera: qartësia në ide de mendime; të shkruarit me kompetencë dhe objektivizëm. Tekstet e tij letrare, shquhen për thellësinë e mendimit, ndërkaq analizat e tij i karakterizon një qasje e disiplinuar letrare dhe një frymë moderne e komunikimit me tekstin letrar; format ky i kritikut që sot i mungon letërsisë shqipe. Si kritik i sërës së lart, ai shkruante për dukuri letrare, duke qenë shpeshherë nistor.

Në këtë kontest, duhet pohuar veçmas roli dhe kontributi i pazëvendësueshëm në studimin e letërsisë së vjetër shqipe në tërësi dhe veprës së Pjetër Bogdanit, në veçanti. Studimi për veprën e Pjetër Bogdanit, patriarkun e letërsisë shqipe, është thesar për kulturën letrare shqiptare dhe një tekst që hapi shtigje që ky korpus letrar-si tërësi- të lexohet dhe interpretohet si letërsi e mirëfilltë estetike dhe jo si vepra me vlerë gjuhësore, një dimension ky tej mase e reduktuar i letërsisë. Në fakt, Bogdani do të bëhet model dhe frymëzim për veprimtarinë e tij të mëvonshme politike.

Ibrahim Rugova, në esencë ishte kritik i letërsisë dhe njohës i shkëlqyer i dijeve bashkëkohëse; problemeve të mprehta që shtronin atëkohë dijet për artin dhe letërsinë. Me dijen e akumuluar në Parisin e kulturës, ai ju dha shtytje të njëmend studimeve letrare shqiptare. Letërsinë e lexoi në tërësi dhe jo të fragmentuar. Ndërsa përmasën estetike të saj e kundronte brenda konceptit estetik të së bukurës që gjallon nëpërmjet gjuhës së kultivuar dhe reduktonte mundësinë që letërsia të interpretohet sipas parakoncepteve ideologjike a religjioze, që bëhen parashenja për përjashtime, selektime dhe fragmentizime. Kështu, ai i dha impakt kulturës shqipe dhe sidomos studimeve letrare.

Kontributi i Ibrahim Rugovës në fushën e letërsisë, është i shumëfishtë, ndaj një tekst si ky s’ka sesi t’i evidencoj.

Penda e një autori dhe kritiku, siç ishte ajo e Ibrahim Rugovës, në aporinë e sotme letrare, i mungon shumë letërsisë shqipe. Në të vërtetë, mendimit për letërsinë, i mungon, sepse që nga veprat e tij, s’ kemi ndonjë përpjekje të dallueshme për të selektuar letërsinë shqipe dhe për të krijuar një sistem letrar hierarkik. Kujtoj këtu përpjekjet dhe punën që ka bërë me librin Strategjie e kuptimit, në të cilin, me precizitet e pedanteri prej studiuesi, ai shkroi gjithnjë sipas parimit se kritika është shenjë e mendjes së pjekur. Ai, kësisoj, mbetet nga të rrallët që pati guximin intelektual, t’ia thoshte njeriut të letërsisë apo opinionit letrar mendimin studiuez për një libër apo për një autor. Rugova s’ ishte nga ata kritikët dogmatik të letërsisë, të cilët, mbushin tekstet me epitete dhe vlerësime për miq, mirëpo, e kundronte letërsinë si art të së bukurës dhe vetëm ashtu e interpretonte.

Rugova në politik hyri si njeri i librit, ndaj asaj i solli risi, të cilat, janë pasuri dhe trashëgimi e pasur për të ndërtuar Kosovën e stome dhe të nesërme. I solli botëkuptimin e munguar të kulturës, sepse ai para se gjithash ishte studiues i kulturës shqiptare. Dhe me botëkuptimet për politikën, hapi horizonte të reja për Kosovën, çështjen e së cilës ngriti aty ku aspironte populli: në Europën oskidentale, sepse ai pohonte me vendosmëri se provenienca kulturë e Kosovës dhe e shqiptarëve ishte oksidentale. Në këtë pikë, ai s’bënte kompromis.
Në domenin e politikës, Rugova vinte në skenë pa ndonjë trashëgimi politike të pasur, të cilën ja vlente ta ndiqte. Dhe më e rënda, ai mori drejtimin e Kosovës, në kohën kur ajo përballej me politikën hegjemoniste serbe.

Si politikan i ardhur prej librit, ai donte të bënte përjashtim dhe këtë e realizoi. Asnjëherë s’u përkul para “parimeve” të ulëta që ka përcaktuar politika shqiptare ndër vite.
Vizionar dhe projektues, ai shihte matanë perdeve të politikës së ditës.
Tanimë kur kanë kaluar disa vite nga ikja e tij në amshim, koha, si gjykatorja ma e mirë e historisë, po e vë atë në krye të Olimpit të politikës shqiptare. Po e nxjerrë nga llogore, ku tentuan ta fusin cenet dhe shpirtngushtësia njerëzore; ku tentuan ta fusin armiqtë politikë e smirëzinj, që s’mund të rriteshin nën hijen e tij. Sepse ai ishte i madh dhe ju bënte hije të tjerëve.

E ai ishte i heshtur dhe me filozofinë e tij të epërme, triumfoi mbi gjithë. I mposhti gjithë. Pa zhurmë. Pa pezëm, por me mençuri e moral të lart.
Tash, meqë kanë kaluar vite, koha po dëshmon se Rugova është tamam si shihet e verës. Sa më shumë kalojnë vitet, aq ma i vlefshëm po bëhet ai dhe vepra e tij. Po e duan, admirojnë dhe imitojnë madje edhe armiqtë e tij të përbetuar politikë. Po, koha po e dëshmon se Ibrahim Rugova ishte politikan i ditur, i sërës së lart, tjetër fare nga ç’jemi mësuar t’i shohim këndej pari: të cektë e mendjeshkurtër.

Po, ai ishte politikan dhe intelektual me sqimë krejt të veçantë dhe la prapa vetës një vepër të pasur.
Sot Rugova s’është vetëm histori. Ai ka vepër, madje të madhe. Një pasuri për breznitë që vijnë, për të ndërtuar një Kosovë të prosperuar dhe evropiane, ideal e vizion për të cilin ai punoi deri në fund të jetës së tij.