Ruçi: Takimi Rama-Meta nuk ishte personal. Nano i ka shërbyer për 7 vite Sali Berishës

0
31

TemA Online, 7 Korrik 2012

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, duke folur në emisionin “Debat” në Vizion Plus, ka sqaruar darkën e shumëpërfolur mes Metës dhe Ramës. Ai është shprehur se ky nuk ka qenë një takim personal, por i paravendosur nga dhe i konsultuar nga drejtuesit e PS-së. Ai është ndaluar edhe tek figura e Fatos Nanos, duke thënë se kandidimi i tij për president nuk është pranuar nga Berisha. Ruçi pohoi se Nano këto shtatë vitet e fundit i ka shërbyer Berishës.

Ju keni thënë që keni qenë në dijeni të takimi të z.Rama me z.Meta në Gjirin e Lalzit. Keni ju një mendim për qëndrimin, pozicionin dhe mënyrën se si e zhvilloi lojën politike LSI-ja?

Unë nuk e mora vesh takimin e z.Rama e z.Meta në momentin që ai u bë publik. Dua ta nënvizoj që lëvizja, takimi, negocimi me z.Meta për problemet e integrimit dhe të zgjedhjes së Presidentit dhe të qëndrimit të LSI-së në raport me reformat që po ta mohoj që ne jemi palë, ka qenë e paravendosur. Ka qenë e paravendosur në bisedat e mia me z.Rama, ka qenë e paravendosur në grupet e punës që ne kemi sa i përket marrëdhënieve me LSI-së, ka qenë e vendosur edhe në mbledhjen e kryesisë pa vendosur detaje se kur, qysh, tek, do zhvillohej takimi. Por filozofia dhe qasja politike e PS-së dhe e LSI-së për këto probleme që unë lançova ka qenë institucionale.

Pastaj tjetra është detyrë juaja se kur, me kë shkoi. Ne shpresonim dhe besonim që z.Meta në zgjedhjen e Presidentit të kishte rolin e paketës kontrolluese. Prandaj kanë qenë edhe këto lëvizje. Ndaj edhe opinioni socialist dhe josocialist duhet të mësohet me lëvizjet politike të liderit të tyre, se ndaj i kanë vendosur, që të marrin edhe risqe që të arrijnë atë që duhet. Ne e dinim shumë mirë që zoti Meta kishte paketën kontrolluese për t’i thënë e për t’i vënë kushtin që kjo është në interes të integrimit. Ne kërkuam partneritet dhe jo ndonjë kulisë për të bërë ndonjë puç që donim t’i bënim pushtetit me gjeneralë, apo me vota në Kuvend.

Z. Nano, sa shanse kishte realisht për t’u zgjedhur. Ka qenë ndonjëherë afër të qenurit kandidat?

Z.Nano e bëri publike ambicien e tij, dihej. Z.Nano është një figurë politike shumë komplekse sa i përket qasjes së tij dhe veprimtarisë publike në harkun kohor që nga 2005-sa e deri më sot. Unë shpresoja që, pse jo, e djathta mund të binte dakord nëse do të kishte filozofinë e konsensualitetit. Dhe këtë ia kam thënë z.Nano në tavolinë, kur u ul me z.Rama. Këtë ia kam thënë edhe z.Berisha kur ishim në tryezën e dytë me të, i cili kërkonte të provokonte PS-në me emrin e z.Nano dhe duke u shprehur, pasi unë ua kërkova që ju si PD, ju si Sali Berisha e votoni Fatos Nanon si kandidat konsensual?

Dhe absolutisht z.Berisha e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë që nuk e pranon z. Nano si president konsensual. Kështu që, ajo që unë i kërkova z.Nano që t’ia kërkonte Sali Berishës në takimin që kishte pas nesh e mora përgjigjen vetë nga z.Berisha, në takimin e drejtpërdrejtë që pati me z.Rama. Ne ia thamë edhe z.Nano që nuk të zgjedhim dot, nuk i kemi votat. Ne kemi 63 vota dhe, me z.Dule, 64 vota.

Po nëse këto vota do t’i jepeshin z.Nano dhe ai mund të bënte një lëvizje si ajo e zotit Topi dhe të fitonte…?

Ne kemi qenë kundër asaj filozofie, ashtu siç kemi qenë kundër që z.Berisha të bënte diversion, qoftë edhe me emrin e z.Nano dhe ia kam thënë në tavolinë zotit Berisha: Pse 8 vjet më ka shërbyer mua në krye të PS-së dhe 7 vjet të ka shërbyer ty në pushtet me qasjet e tij, shto këtu edhe 4 vjet burg që i ka bërë nga ai, por në asnjë mënyrë, z.Berisha e kundërshtoi. Mesa duket e përdori në tavolinë të paramenduar apo jo, nuk jam këtu se ç’kishte menduar prapa kuintave, por e përdori për të provokuar PS-në elektoralisht dhe për të lënë një pykë lidhur me një përçarje të mundshme të PS-së.

Fatos Nanos i keni thënë se për 7 vjet i keni shërbyer Sali Berishës?

Nuk i kam thënë. Unë ia kam thënë në një kuptim tjetër. Unë jam takuar me z. Nano, informalisht, pas takimit të zhvilluar me z. Rama. Z. Rama ia ka shpjeguar qartë dhe saktë gjithë qasjen e filozofinë tonë politike. Z. Rama s’ka pasur asnjë paragjykim. Ju folët për takime, negociata, takime informale me zotin Meta. Unë po ju them që z. Rama me dakordësinë time, por jo vetëm timen, por të mjaft aktorëve dhe faktorëve politikë institucionalë të PS-së, ka komunikuar edhe me z. Nano para takimit, për këtë çështje.

Sa kohë përpara?

Po mund të them që edhe 4-5 muaj para, 6 muaj para.