Ardian Ndreca
Pakkush e ka të qartë se studimi i historisë nuk ka të bajë thjesht apo vetëm me nji lavdi të pandehun të kalueme, me beteja të fitueme, me suksese apo sjellje tjera heroike të nji populli. Historia ka të bajë ma shumë me të ardhmen se me të kaluemen. Kjo e fundit nuk ekziston si nji zonë hermetike diku larg në kufijtë e ndërgjegjes, e kaluemja jemi vetë ne, historia jeton tek ne jo vetëm në bagazhin tonë gjenetik si histori natyrale, por ma shumë në atë çka ne jemi nga pikëpamja shpirtnore e kulturore. Prej ketej edhe ideja e nji identiteti dinamik në formim e sipër e jo përfundimisht i përcaktuem.
Kjo nuk e relativizon çeshtjen e identitetit, pse dinamizmi i tij, pra ndryshimet graduale falë prumjeve dhe shkarkesave, janë të dallueshme në nji shkallë makroskopike, e ne jemi tepër afër sot për me kuptue se çka ka ndryshue tek ne në këto 20 vjet. Mbërrijmë me krijue nji ide në rrafshin fenomenologjik, pse na qëllon me vërejt për shembull gjyshe me brandavekë e mbesa me minifunde të padukshme, apo shohim analfabetë që përdorin kompjuterin, por kjo gja asht e pamjaftueshme me përcaktue ndryshimet identitare, të cilat bahen të kapshme për metodën shkencore vetëm falë largësisë prej objektit.
Ne na ban ma shumë përshtypje e kaluemja si të ishte nji enë e madhe ku ngjarjet përzihen e prej ku mundohemi herë mbas heret me nxjerrë jashtë vetëm të mirat, madje tue i hiperbolizue. Në ketë mënyrë historia kthehet në nji artikull për konsum të gjanë, tue e ndryshue natyrën e vet në diçka sipërfaqsore, diçka që, ma shumë se realitetit, i përgjegjet pasioneve të çastit.
Asht normale që njerëz të cilëve u mungojnë instrumentet ma të domosdoshme dhe metoda historike, nuk munden me e kuptue historinë si nji “rritje vetëdijet” të nji populli në kohë, apo epídosis siç e quente filozofi i historisë J. G. Droysen.
Në fakt historia jonë asht tipike e nji populli që, mbas nji tkurrje shpirtnore shekullore, shpërthen dhe gjithnji e ma shumë rritet në vetëdijen e vet tue u ba i njohtun si faktor politik, pra tue shikue përpara kah e ardhmja. Kuptohet se nji rrugëtim i tillë kompleks nuk mund të jetë linear, ai ka zigzaket e veta, e madje edhe hipertranzicioni i sotëm asht ndoshta vetëm nji zigzak për me i ikë përgjegjsive historike. Edhe në ketë rast e kaluemja asht përdorë shpesh si alibi; ajo asht instrumentalizue tue u përdorë për me legjitimue nji veprim politik që e ka paralizue jetën e kombit shqiptar në këto dy dekada tue na zhbâ si komb e si shtet në arenën ndërkombtare.
Ajo që historiani ban zakonisht asht gjetja e lidhjeve dhe e nji filli ku përshkohen ngjarjet historike ma në shenj. Kemi për shembull Besëlidhjen e Lezhës dhe tri dekada qëndresë antiosmane, mandej vijnë kryengritjet e ‘600, Lidhja e Prizrenit, shpallja e Pamvarsisë, Kongresi i Lushnjes… a i lidh gja për nga ana shpirtnore këto data të kombit tonë?
Tue lanë njianë qasjen romantike, që nuk asht e gabueme in toto, mundena me thanë se këto data i përkasin nji bashkësie që përpiqet me të gjitha forcat me dalë në pah e me u njohtë si e tillë. Historia jonë asht rruga drejt njohjes sonë si komb, si entitet i dallueshëm politik. Përgjatë këtij lumi që herë herë dukej se po thahej e po humbte në zallishtat e rrjedhës historike, ka pasë e ka gjithnji rrëke të vogla që kanë formue pellgje të qelbta me harapë bretkocash, por kjo gja nuk cënon minimalisht vetë rrjedhën. Si shumë kombe moderne edhe ne kemi në tekstin e hymnit kombtar nji varg që i referohet Zotit si dorëzanë i shtegtimin tonë historik: “Se Zoti vetë e tha me gojë / Që kombet shuhen përmbi dhe, / Po Shqipëria do të rrojë; / Për të, për të luftojmë ne!”.
Po t’i hedhim nji sy të kaluemes do të shohim se asht e pakuptueshme sesi kemi mbetë gjallë në histori. Mes anmiqsh me nji gjallni të pazakontë si sllavët e jugut, të cytun nga jugu prej grekëve, të shtypun prej nji perandorie shumëkombëshe që përdorte të gjitha mjetet për me nënshtrue shpirtnisht popujt, kemi arritë në dyert e modernitetit (që për ne fillon vonë) gati-gati të paprekun, si nji enklavë e përbame prej dy rajonesh dhe katër besimesh fetare: gegë e toskë, sunitë, bektashinj, ortodoks e katolikë.
Asht e pabesueshme sesi zgjimi jonë kombtar nis njikohsisht në të katër besimet fetare, asnjeni sish nuk mbetë mbrapa në tanësinë e vet, pse gjatë shekujve filli që bashkonte ngjarjet e masipërme historike prej vitit 1444 e deri në 1912, u pa qartë se nuk ishte kushtëzue politikisht e shpirtnisht prej shtresëzimeve të mavonshme. Larg nesh ideja romantike “feja e shqiptarit asht shqiptaria”, kemi pa shumë fetarë të thekun që kanë qenë antishqiptarë të mëdhaj e kemi vërejt mjaft afetarë që kanë tregue ndjenja atdhedashunije të mirëfilltë. Shqiptarizma nuk asht fe por vetëdije politike.
Nuk ka njerëz me dy besime fetare, ndërsa ne kemi shembuj të shkëlqyeshëm miqsh të huej që kanë dhanë gjithçka për vendin tonë, për idealin e shqiptarizmit, pa pushue së qeni gjerman, austriakë, italianë apo anglez. Nga ana tjetër besimi fetar ka si objekt të vetin nji realitetit transhendent, qiellzanën e botës, ndërsa atdhetarizma i përket rrafshit të imanencës, horizontit të pjerrët mbas të cilit mshehet e ardhmja jonë.
Ka pasë raste kur shqiptarizma asht shprehë në mënyrë rapsodike me beteja personale apo klanore ndaj pushtuesit, herë tjera në mënyrë kolektive siç asht shembulli i naltë i vitit 1920, në rasa tjera me anën e revoltës popullore siç ndodhi në vitin 1991. Megjithatë ajo që shkjepon ma fort tek ne asht shi vetëdija politika, pra vetë ndjenja e shqiptarizmës, që asht përkatësi dyfishe: kombtare e europiane. Nuk kemi pasë në këto njizet e sa vjetë kthjelltësinë e duhun mendore e shpirtnore me gjykue me anën e votës ata që kanë përfaqsue murin ndamës mes së tashmes dhe të ardhmes sonë, tue na nda prej gjinit të familjes së madhe europiane.
Nji pjesë e madhe e shqiptarëve në këto dy dekada asht përkundë me rrena e asht zgjue me britma, e për shumëkend, jo shkrimet e gazetave, por as vetë realiteti nuk pin ujë për me i çue prej gjumit të vdekjes që i ka kaplue randshëm.