Namik Dokle, 12.11.2009
Interesimi i deputetëve të grupit socialist, pranë autoriteteve ndërtuese të tunelit Thirrë-Kalimash dhe informacioni sado i kufizuar që ata morën në terren, vërteton dhe konfirmon edhe më qartë, atë shqetësim që opozita e ka ngritur që në krye të herës, se ky arter i rëndësisë së veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët:
– Nisi mbarë si rrugë kombëtare dhe u shndërrua për fat të keq në rrugë elektorale.
– Nisi mbarë si projekti i shekullit, dhe u shndërrua për turp në korrupsion të shekullit.
– Nisi shkencërisht me teknologji moderne dhe u godit nga parametrat e shkelur politikisht dhe arbitrarisht nga megalomania e ecjes së shpejtë se koha, politika në plan të parë.
Të gjithë këto shkelje, bën që gëzimi i mbarë shqiptarëve për hapjen e kësaj rruge të ngrijë në buzë nga mbyllja e saj kur ende atje valëviten flamuj të fushatës elektorale.
Shembja e tunelit të Kalimashit, nuk erdhi nga presionet radiale, por nga presionet qeveritare, për të dalë mbi rregullat e teknologjisë bashkëkohore.
Shembja e tunelit të Kalimashit, nuk erdhi nga strukturat e dobëta shkëmbore, por nga strukturat shtetërore që për shkencë njohin fjalimet e Kryeministrit, për teknologji njohin premtimet elektorale të tij dhe për kohë e masë shpërthimesh në tunel njohin shpërthimet mitingashe të Kryeministrit…
Ne ishim atje për të siguruar transparencë të plotë mbi çështjen, nëse 5 verbanakë të zyrave komunarë të Fanit, nuk duan të dinë asgjë, 5 milion shqiptarë, këtu dhe në Kosovë, duan të dinë pse u mbyll rruga, pse u mashtrua me inaugurimet elektorale dhe mbi të gjitha dhe më e rëndësishme, kur do të hapet përfundimisht dhe normalisht kjo rrugë.
Shqiptarët duan të dinë koston e vërtetë të kësaj rruge, dhe të mos konfuzohen nga shifra gjithmonë të ndryshme që jep treshja “Babeshi” (Basha-Berisha-Olldashi).
Shqiptarët duan të dinë se sa para të tjera do të paguhen nga xhepi i tyre për të mbyllur shembjen e tunelit dhe kush do t’i paguaj ato, qeveria, firma ndërtuese ndërkombëtare, apo shkrepat e Thirrës?!
Shqiptarët duan të dinë, se pse nuk paguhen dhe kur do të paguhen firmat shqiptare, për punët e mbaruara në atë rrugë. Dhe më së fundmi, por nga rëndësia më së pari, shqiptarët duan të dinë, se kur do të rihap prokuroria shqyrtimin e këtij skandali që vazhdon?
Bashkë me tunelin duhet të rihapet edhe dosja kundër abuzimeve të mëdha në këtë vepër kombëtare, që duke qenë e tillë, i bën edhe më të rënda ato!