Rruga e Arbërit, po hidhet në erë ‘Shkalla e Tujanit’

0
79

Nga Ardian Klosi

Nuk merrja pjesë dikur në grupet e alpinistëve të Pallatit të Pionerëve. Kam shkelur me këmbë në atë kohë me shkollën tetëvjeçare ose gjimnazin vetëm malin e Dajtit. Nga shokët e atyre grupeve dëgjonim për bukuritë mahnitëse të Priskës, Shkallës së Tujanit, Petrelës, pastaj më tej për Alpet e Shqipërisë, Thethin, Valbonën etj.

Vonë u dashurova pas ecjes në natyrë, në vende të Europës që numërojnë e ruajnë çdo lumë, përrua e pemë, nëpër peizazhe që mund ta kenë gjelbërimin e thellë në pranverë, edhe laryshinë e ngjyrave në vjeshtë, por jo dritën e Mesdheut sikurse e ka Shqipëria.

I rigjeta vendet e fëminisë, zbulova të reja tani vonë; u bënë shkas miq të huaj, gjermanë e irlandezë, boshnjakë e anglezë që i njohin peizazhet e mrekullueshme në malësitë e Tiranës më mirë se ne. Volf, Sharlote, Ruth, Majkëll.

Dy janë luginat më piktoreske në këto rrethina, me lëndina përanë dhe ngushtime të lumit, me kanione të thella dhe gropat e kaltra në të gjelbër ku sheh të lahen herë-herë kalamaj: kanioni i Erzenit, poshtë Shpellës së Pëllumbasit, para se të fillojë vargmali i Krrabës dhe kanioni i Brrarit, ose siç e quajnë ndryshe tiranasit Shkalla e Tujanit, aty ku zbret drejt veriut lartësia e fundit e Dajtit.

E famshme ka qenë Shkalla e Tujanit ndër tiransit e vjetër. ndoshta dhe më të rinjtë e kanë dëgjuar. Edhe sot njihet dhe këndohet në dasma kënga „Ke shkallët e Tyjonit“. Si monument natyre është në listën me të ngushtë që ka Shqipëria, e natyrisht mbrohet me ligj, të paktën në letër.

Edhe në të djathtë siç e shohim nga Tirana, dmth. në Qafën e Priskës, ku nis, edhe në të majtë, ku zbret vargmali i Dajtit, barbarët e tranzicionit kanë hapur gurore, që duken me sy nga larg, edhe nga kryeqyteti, zbardhëllyese, a thua se mali ka nxjerrë në këto plagë rruazat e bardha të gjakut. Nuk gjetën vend më pak të dukshëm për të grabitur?

Kush dëshiron të mbërrijë te Shkalla e Tujanit, e ka shumë të lehtë, mjafton të vazhdojë rrugën e Shishtufinës drejt dhe të lërë në të majtë fshatin Brrar. Kush përton t’i hipë makinës dhe do ta njohë së largu, le të hyjë në you tube, aty do ta gjejë nën emrin Kanioni i Brrarit.

Aty kemi ndaluar gjithmonë makinën në anë të lumit e pastaj jemi ngjitur më këmbë, ose majtas drejt lartësive që bien pas nja 4 orësh ecje të mirë në Liqenin e Bovillës, për t’u kthyer në fund sërish nëpër luginë te pika e nisjes. Ose djathtas, ku ngjitesh në fshatin Tujan dhe vazhdon, në rreth 3 orë ecje nëpër shtegun që quhet Rruga e Shën Palit. Nga gurët e rrumbullt e të lëmuar gjatë nëpër shekuj prej këmbësorëve ose kuajve, kuptohet që është një monopat i moçëm. Ndoshta rrugë e vjetër karvanesh, por edhe dalje strategjike për në ultësirën perëndimore shqiptare. Mund t’i përfytyrojmë fare mirë luftëtarët e Skënderbeut tek derdheshin nga malësitë e Dibrës ose Matit nëpër këtë grykë drejt e në faqet e Dajtit ose maleve të Krujës apo poshtë në fusha kur ishin tërhequr fushimet turke.

Miq, lexues, shqiptarë: Shkalla e Tujanit këto ditë po hidhet në erë! Po, krejt faqja e majtë kur ecën përkundër lumit, gjithë ato kthesa e trajta shkëmbore, që të ulen nganjëherë si strehë mbi krye e që janë formësuar nga tekat e natyrës, të erërave, lumit e rrebesheve nëpër miliona vjet, brenda pak ditësh do të shemben nën dinamitet dhe buldozerët e „Rrugës së Arbërit“. Firmat që po bëjnë ndërhyrjen nuk i njoh, pashë vetëm thasët e bardhë të dinamitit. Le t’i quajmë me një emër Barbari Shpk.

Shkatërrimi në emër të ndërtimit, groposja e asaj bukurie së rrallë natyrore që quhet Shkalla e Tujanit, po bëhet edhe kjo në emër të “zhvillimit”, të “rrugëve patriotike” që lidhin shqiptarët “kudo që janë”.

Në të vërtetë po bëhet që të qarkullojë paraja sa më shpejt, që të shiten sa më shumë thasë me çimento, që disa xhepa zyrtarësh dhe personash të padukshëm të fryhen sa më shpejt.

Sepse sikur projektuesit dhe zbatuesit e së ashtuquajturës Rrugë e Arbërit – disa drejtues punimesh më thonë se ka buxhet vetëm për një copë të kësaj rruge, asaj që vete deri në Shupal – të kishin vërtet ndonjë motiv tjetër përveç motivit të lakmisë së thjeshtë njerëzore – sikur ata të kishin ndonjë motiv patriotik, sikur ata vërtet të dinin ndonjë gjë nga historia e Arbërit, atëherë do ta kishin lënë të qetë Shkallën e Tujanit. Veç vlerave natyrore, Kanionit të Brrarit dhe monopatit të Shën Palit një ditë do t’u shkruhet edhe vlera historike, për vizitorët që padyshim nuk do të mungojnë, të shumtë. Ama me kusht që barbarët të tërhiqen.

Dhe Shkalla e Tujanit mund të lihej fare mirë e qetë sikur për ta ruajtur të ishte parashikuar një tunel. Një tunel jo më i gjatë se 500 metra për të ruajtur një mrekulli 500.000 a 5 milionë vjeçare.

Vandalët kanë hyrë tani nën tabelën e madhe që është vendosur te kthesa e Brrarit: „Rruga e Arbërit, koha e ndërtimit 9 muaj etj.“ jo vetëm me fadroma e pirunj, por edhe me kamionë të rëndë që gjëmojnë nëpër luginë për të marrë pak më poshtë, aty ku lumi zgjerohet, zallin e tij. Kthehen pastaj me vrap për ta hedhur këtë zall te gryka e thërrmueseve ose shtratet e betonit. Po po, po shkatërrojnë shtratin e lumit që të ndërtojnë Rrugën e Arbërit anë ish-lumit të ardhshëm. Nyjet e betonit janë ngritur mu mbi lumë, në hyrje të Shkallës së Tujanit. Po të perifrazojmë një poet, janë ngritur këmbët t’i bijen kokës.

Një rrugë që prish shtratin e Lumit të Tiranës, një rrugë që hedh në erë faqen e majtë të Kanionit të Brrarit, nuk është e Arbrit po rruga e Armiqve të Arbrit, e atyre që për arsye të ndryshme e urrejnë edhe bukurinë edhe historinë e këtij vendi. Urrejnë dinjitetin e Arbrit.

Sepse 500 metra tunel, dy-tri gurore e nyja betoni jo mbi lumë, do kishin mjaftuar që të ruhej e gjitha. Por jo, fitimi duhet të jetë i shpejtë, sepse edhe babëzia është e madhe. Si e shprehu dikur Berisha: „Shqipëria ka uri për çimento“. Natyrisht kjo shprehje nuk i doli nga barku, atë do t’ia kenë pëshpëritur në vesh sponsorët e tij. Dhe ai shprehjet makabre i ka qejf; si p.sh. do ngremë 400 hidrocentrale në lumenjtë e Shqipërisë. Do mbjellim 10 milionë rrënjë ullinj në kodrat dhe malet e Shqipërisë (po erozioni?). Do shembim Piramidën. Do shembim stadiumin Qemal Stafa.

Në këto anë nuk ka më banorë. Fshati i Tujanit sipër mbi kanion është praktikisht i braktisur. Natyra ka bujisur kudo, është rikthyer me gëmusha e pemë të dendura që nuk i depërton dot. Sepse, për çudi, është ajo që i mbron kodrat nga erozioni, kur njeriu nuk bën dot asgjë. Kurse poshtë natyra nuk ka ç’të bëjë. Aty ushtojnë shpërthimet e dinamitit dhe ga-ga-gatë e bulldozerëve. Të cilët po hedhin në erë faqen e majtë të Shkallës së Tujanit.

Pyetëm pardje dhe dje në ministrinë e Mjedisit, nëse ka marrë ndonjëfarë leje mjedisore Rruga e Arbrit për këtë shkatërrim. Na thanë njëherë se nuk kishin dijeni, pastaj na thanë se do të hapin padi penale ndaj firmave që kanë filluar shkatërrimin. Po të jetë e vërtetë, do të ishte përmbysje e fatit. Mirëpo shpresa nuk kemi shumë, sepse deri më tani nuk është parë ndonjëherë në këtë qeveri të ngrihen këmbët e t’i bijen kokës. Po kushedi, çmenduria ndoshta s’ka vajtur gjer aty dhe mund të nxirret një miratim për 500 metra tunel. Në këto anë nuk ka më banorë. Këtu s’ka kush proteston për grabitjen dhe zhdukjen e monumenteve të natyrës. Këtu kërkesat për VNM ose ankesat pranë Komisionit të Aarhusit duken utopi. Ca fshatarë të rrazbitur lëkunden në furgon, hanë gjithë pluhurin e makinerive vandale dhe duken të kënaqur që po iu afron Rruga e Arbrit.

Lamtumirë Shkallë e Tujanit. Lamtumirë Volf, Sharlote, Nihat, Ruth, gjithë miqtë që i shkelët me mua shpesh këto vende. Një herë për një here, s’keni pse ktheheni në Shqipëri.

* * *

Çfarë është “Shkalla e Tujanit”

Sipas Enciklopedisë Shqiptare të 1985, botim i Akademisë së Shkencave

Shkalla e Tujanit është grykë e ngushtë 1 000 metra e thellë, e çarë nga gëlqerorët e vargut malor Krujë-Dajt nga lumi i Tiranës. Veçon malin e Dajtit nga mali i Priskës së Vogël (1241 metra). Në gëlqerorët janë zhvilluar mjaft dukuritë karstike (shpella etj). Në të dalë të grykës, lumi i Tiranës ka formuar kanione të ngushta në gëlqerorët.