Rrobaqepësi nga Prishtina

1
38

Nga Beqë Cufaj, 9 Prill 2012

Në filmin “Rrobaqepësi nga Panamaja” (2001) rrëfimi është i vendosur në këtë shtet latino-amerikan, në të cilin një rrobaqepës i thjeshtë (Geoffrey Rush) e bind përfaqësuesin e shteteve më të forta në botë (SHBA-ve dhe Britanisë, Pierce Brosnan) që ka informata të sakta për zhvillimet në kampet e qeverisë dhe opozitës, sidomos kur bëhet fjalë për shitjen e Kanalit të Panamasë.

Filmi ka doza humori të zi, por edhe intensiteti frikësues që preket me realitetin që jo rrallë di të jetë një hiperbolë e modelit, por edhe naivitetit me të cilin edhe supershtete moderne dinë të mashtrohen… dhe bien pre e modeleve të mashtruesve – si ai i rrobaqepësit nga Panamaja.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë dihet që vishet bukur. Dhe, na pëlqeu apo jo, me shtatin e lartë gardërobat prej politikani apo këmishat me H. Th. gjithmonë i kanë qëndruar bukur… sidomos viteve të fundit, kur ka humbur diçka rinia naive dhe fjalët e pasigurta, por jo edhe dorështrëngimet e tepruara dhe mimika e tepruar.

Sidoqoftë, teshat Hashim Thaçi i kishte të veshura në vizitën e fundit të tij në Uashington, sidomos gjatë takimit të tij me Hillary Clintonin, që ishin jo vetëm tepër të mëdha për të… por disi ia jepnin një pamje aq të çuditshme, aq të pazakontë, saqë nëse kësaj i shtojmë edhe talentin e tij të papërmirësueshëm për pasigurinë permanente në këso paraqitjesh të rëndësishme, në atë paraqitje kishte diçka bizare. Me pantallona tepër të gjatë, sako që i mbulonte gati edhe gishtërinjtë dhe atë buzëqeshjen e… sërish pasigurisë kur takon burra a gra të pushtetshëm të planetit. Shkurt dhe shqip – dukej keq!

E nëse kësaj i shtojmë që tërë vizita e tij shkoi keq me mënyrën se si u bë lansimi i saj, që s’dihej në do të takohej apo jo me Presidentin Barack Obama, dhe sidomos kur karikaturat që karikaturistët e partisë së tij në Prishtinë mundoheshin të na e shpjegonin “agjendën” e njeriut numër një të planetit… s’ka si të mos shënohet si një fiasko totale, si (edhe një) autogol medial dhe politik jo vetëm për Thaçin, por edhe përgjithësisht për Prishtinën.

Por ja që jemi mësuar me këtë mënyrë të politikëbërjes së këtij njeriu dhe atyre që zbatojnë agjendat e tij. Puna që tash, pas këtij “tripi”, i cili do të duhej të shënonte kthimin e tij të madh në skenë pas “plagosjes” që atij iu bë me afera të mëdha (BND a Marty) dhe imazh katastrofal për të e vendin falë kaosit në të cilin jemi prangosur, del të jetë që megjithatë, trupi i tij, politika e tij, të jenë më të vogla, shumë më të vogla për ato tesha që i kishte veshur në Uashington.

Thaçi, në sytë e amerikanëve dhe jo vetëm atyre, dalëngadalë, por sigurt po del të jetë një politikan që tamam si Geoffrey Rush në atë filmin e sipërpërmendur: premton dhe nuk zbaton, keqinformon dhe shantazhon, ndërton dhe prish (mundësisht brenda ca orësh, ditësh a javësh). Është pra ai modeli i një, së pari njeriu, e mandej edhe politikani, i cili për interesin e tij, rrethit që e mban dhe deri diku edhe vartësve (më besnikë) u kurthon punë e keqadreson edhe ata që duan ta ndihmojnë: atë në njërën anë dhe vendin në anën tjetër.

Vetëm po qe se e shohim kronologjinë e qeverisjes së tij qe katër vjet sa udhëheq me Republikën e Kosovës mund ta vërejmë… vitin e parë kur të gjithë ishim tok dhe ëndërronim…

Për të vazhduar më pas me ankthet dhe dëshpërimet, mungesat e mëdha dhe më të mëdha, të cilat gjithmonë, ama gjithmonë mbulohen me mbushje të peizazhit të përshkëllirë politik me barut të lagur lajmesh e rrëfimesh që katapultojnë nga paslufta e Dytë Botërore (na e premtoi me “Komisionin”) përmes Fondeve e Vrasjeve të të ‘90 e deri te “korrupsionet” me antikorrupsione e që po dalin të jenë një dhe e vetmja gjë dhe deri te konfliktet e shkrira të Veriut (ngushëllime familjes Haradinaj nga Mitrovica!) të cilat kanë një dhe të vetmin qëllim: krijimin e një atmosfere depresive … në të cilën njerëzit s’kanë shansin të shpresojnë… e lëre më të ëndërrojnë për jetë më të mirë – për vete e brezat që do të vijnë.

Puna është vetëm se kur do ta marrim vesh që kjo gjë është kuptuar edhe atje dhe para së gjithash esenca është se kur dhe si do ta marrim vesh që edhe në Uashington është kuptuar që për vizitë u qëndroi. Rrobaqepësi… nga Prishtina. Sepse nëse atje ende s’e kanë marrë vesh po ua themi (sërish): jemi duke e përjetuar se si po na merr me vete drejt greminës. Prandaj, Kosovës s’i duhet “zyra Ligjore” e Bob Dole, por miku Bob Dole!

1 COMMENT

  1. Great publish, very informative. I ponder why the other experts of this sector don’t realize this. You must continue your writing. I am confident, you’ve a huge readers’ base already!|What’s Happening i’m new to this, I stumbled upon this I have discovered It absolutely useful and it has aided me out loads. I hope to contribute & aid other customers like its aided me. Great job.

Comments are closed.